-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Shqiptarët protestojnë pak, shkak indiferenca, frika dhe mungesa e shtresës së mesme

Më të lexuarat

Shumë indiferentizëm dhe ngurrim dhe pak protestë, kryesisht aty ku i bën më pak dëm vetes, në rrjetet sociale.

Ky është një ndër treguesit më kryesorë të Barometrit të Ballkanit këtë vit. Studimi ka matur besim të ulët tek institucionet politike, apati shumë të përhapur të qytetarëve, ku shumica e të anketuarve ngurojnë të angazhohen në vendimmarrjet e qeverisë- 46% as nuk i diskutojnë ato, 32% i diskutojnë privatisht jashtë mjediseve publike; vetëm 9% protestojnë, 6% i komentojnë në rrjetet sociale vendimet e qeverisë dhe 4% marrin pjesë në debatet publike.

Këto shifra flasin për kërcënim madhor për zhvillimin demokratik në rajon, thuhet në raport.

Por për çfarë shkaqesh qytetarët shqiptarë nuk bashkohen në protesta. Pyetëm profesor Përparim Kabon.

“Mendoj që nuk jam vetëm në këtë botë”, thotë profesori.

Shkrimtari Rudi Erebara, aktiv në rrjetet sociale, së fundmi është i përditshëm në protestën kundër shembjes së Teatrit.

“Në fakt është e trishtueshme kur mendon të shkojmë në teatër dhe nuk mbështesim protestën për të mbrojtur sallën ku kanë hyrë”, thotë Erebara.

Sipas tyre shkaku i parë pse nuk protestohet në Shqipëri është mosbesimi. Shteti kryesisht shteti nuk reagon.

“Të protestoj, por për çfarë? Të protestoj, por deri kur? I kanë rënë shkurt ose indiferentizëm, ose pajtohu me gjendjen, ose shërbe atje ku përfiton individualisht, ose ik fare nga ky vend”, thotë Kabo.

“Protestat janë specifikuar, janë profilizuar, nuk janë më gjithëpërfshirëse dhe në fakt edhe në botë kështu ndodh. Tërhiqet njëra palë, që është shteti. Por atje shteti dëgjon”, thotë Rudi Erebara.

Të protestosh është edhe frikë për sigurinë fizike.

“Si në rastin e teatrit dhe në rastin e Kukësit ne përfundojnë në konflikt fizik midis njeriut që ka hallin dhe shtetit, që është policia”, shprehet shkrimtari.

“Protestat këtu tremben, nga policia, nga shantazhi, i jepen vendime të padrejta në gjykatë”, thotë profesori.

Është edhe hendeku i madh mes të varfërve e të pasurve. Të parët nuk ngrenë krye, të dytët nuk kanë arsye të ngrenë.

“Mungon klasa e mesme, e cila ka një lloj sigurie në vetvete dhe si e tillë ajo nuk ka frikë nga politika, nuk ka frikë se nuk e përballon dot jetën në treg”, thotë Kabo.

“Njerëzit nuk protestojnë atje pasi i heqin nga puna dhe unë e kuptoj. Ne nuk mund të rrezikojmë bukën e fëmijëve për kauza”, shprehet Rudi Erebara.

Politika, ndërkohë ia ka dalë historikisht të manipulojë protestën.

“E para, për ta ndarë, një pjesë me një parti dhe një pjesë tjetër me partitë tjetër. E dyta, për ta manipuluar, duke e deformuar në atë që është thelbi i protestës civile, që është oponenca civile. Opozita politike lufton për të marrë pushtetin. Gjithashtu ka edhe organizata të shoqërisë civile që janë rezerva paramilitare të forcave të caktuara politike. Edhe media e ka humbur rolin, nuk u kthye dot në pushtet. E humbi marrëveshjen me të vërtetën”, thotë profesor Kabo.

Shqipëria është një vend ku organizatat jofitimprurëse vetë quhen shoqëri civile. E gjitha e kanalizon frymën e protestës online; në terren vështirë mbijeton vështirë.

“Teatri nuk do të shembet pasi qëndresa jonë do të jetë një qëndresë njerëzore”, thotë Erebara.

Artistët kanë paralajmëruar ngujim, opozita ka deklaruar se do vërë trupat e saj në mbrojtjet të teatrit. Por prova e kësaj proteste do të marrë kohë derisa ruspa e parë të afrohet për shembjen e teatrit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit