-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Shqiptarët, popull frikacak, dembel, primitiv, grabitqar e injorant. Janë drejtuar gjithmonë nga cuba, që s’dinë të bëjnë shtet!

Më të lexuarat

Nga Nexhmedin Spahiu*

Viteve të ‘90-ta, në lokalet e Tiranës bisedonim se çfarë është profesioni stereotip i kombeve të ndryshëm. Për shumë gjëra, shumica pajtoheshin se gjermani ishte mekanik, se italiani ishte një këngëtar apo poet, se japonezi ishte një inxhinier, se greku ishte tregtar, se serbi ishte një bujk, se bullgari ishte një punëtor, se kinezi ishte një ndërtimtar, se amerikani ishte një kauboj, se anglezi ishte një administrator, se suedezi ishte një organizator, se turku ishte një luftëtar etj. Por, pyetja më e rëndë që shtrohej ishte: çfarë ishte shqiptari?

Përgjigjet ishin: shqiptari nuk është mjeshtër, ai vetëm aktron mjeshtrin. Shqiptari nuk është mësues, ai vetëm aktron mësuesin. Shqiptari nuk është luftëtar, ai vetëm aktron luftëtarin. Shqiptari nuk është mjek, ai vetëm aktron mjekun.

Nga përgjigjet e shumta të këtij lloji, njëri nga të pranishmit brofi në këmbë dhe tha: shqiptari pra qenka aktor. Ndryshe, si mund të ishte aktori më i mirë jugosllav i të gjitha kohërave, shqiptari Bekim Fehmiu. Të bëhesh aktori më i madh në një ambient armiqësor, siç ishte Beogradi për shqiptarët, kjo mund të ndodhte vetëm kur je aktor e përtej aktori.

Aktorët shqiptarë kanë për publikë aktorët. Dhe këtu nuk dihet nëse aktorët më të zotë janë ata që janë në skenë apo ata që janë të ulur në sallë si publikë. Shqiptarët që shikojnë teatër janë aktorë që aktrojnë publikun. Por, shqiptarët jetonin edhe në kohën kur aktrimi nuk njihej si profesion dhe dikush nga diskutuesit tha se megjithëkëtë duhet ta gjejmë një profesion më themeltar që i përgjigjet shqiptarit. Përfundimi ishte se profesioni bazik i shqiptarëve është cubnia. Shqiptarët ishin dhe mbetën cuba.

Shqiptarit i mungon durimi (me përjashtime, kuptohet). Shqiptarit i mungon pasioni për punë (me përjashtime, kuptohet). Prandaj, shqiptari nuk mbjell se kjo do punë dhe nuk pret që fryti të piqet se kjo do durim. Shqiptarit i pëlqen që të grabisë frytin e tjetrit, ashtu të gatshëm.

I keni parë shqiptarët e Maqedonisë, që ndër shqiptarë konsiderohen më punëtorët? Edhe këta janë grabitqarë. Nuk lodhen që të ndërtojnë institucione në Maqedoni. Ata duan që bullgarët/maqedonët t’i bëjnë institucionet, kurse këta vetëm të ulën në Parlament dhe për së gatshmi të votojnë nëse u pëlqejnë apo jo ato çfarë kanë bërë bullgarët/maqedonët.

Shih në anën tjetër vëllezërit e tyre. Shqipëria nuk u bë shtet tamam as edhe për më shumë 100 vite qëkur Fuqitë e Mëdha e njohën për shtet. A nuk po ecën edhe Kosova rrugës së njëjtë si Shqipëria? Cubat shtet nuk bëjnë, ata vetëm e grabisin atë. Po për të grabitur dikush duhet të krijojë gjënë që do të grabitet. E bota u mëshirua me shqiptarët dhe u krijoi jo një, por dy shtete, e këta vazhdimisht i shkatërrojnë duke i grabitur ato.

Natyrisht, çdo shoqëri përmes përjashtimeve kompenson vetveten. Sa më frikacak që është një popull, trimat e tij të rrallë shquhen deri në ekstrem. Sa më i padijshëm që të jetë një popull, dijetarët e tij të rrallë shquhen deri në ekstrem. Sa më i padurueshëm të jetë një popull, durimtarët e tij shquhen deri në ekstrem. Kështu me radhë.

Shqiptarët si popull në përgjithësi, frikacak e jo sakrifikues, nxorën trima si Adem Demaçi e Adem Jashari. Shqiptarët si popull jo i durushëm në përgjithësi, nxorën simbolin e durimit Ibrahim Rugovën. Shqiptarët si popull i padijshëm, nxorën dijetarë si Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Gjergj Fisha, Branko Merxhani e Ferit Murati. Shqiptarët si popull grabitqarë nxorën simbolin planetar të humanitetit, Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Tereze.

Shqiptarët nuk ndërtuan shtet, se nuk u shquan në ndërtime, por në grabitje. Këtë profesion e shpurën deri në përsosmëri. Kulmi i këtij profesioni ishte kur shqiptarët ua grabitën sulltanëve Perandorinë Osmane.

Në shkrimin paraprak tek revista “Shenja” kam shpjeguar se si Qypërlinjtë shqiptarë e grabitën pushtetin perandorak osman dhe e mbajtën atë që nga 1656 e deri më 1710. Kjo është koha më e lavdishme e shqiptarëve. Shqiptarët ndërruan fe në masën 85 për qind dhe u bënë zotër të një perandorie të cilën dikur e kishin luftuar kur kishte qenë në kulmin e saj (koha e Skënderbeut). Në kohën e Qypërlinjëve shqiptarët kishin pushtetin, zotërimet faktike dhe namin.

Ky duket të jetë kulmi çfarë shqiptarët mund të bëjnë si tërësi.

Konform këtij shembulli nuk është e pritshme që Shqipëria e Kosova të bëhen shtete të hairit as edhe më 2050, sepse energjia primitive e shqiptarëve ndeshet me njëri-tjetrin dhe nuk krijohen sisteme të qëndrueshme.

Shansi i shqiptarëve do të paraqitet në Bashkimin Evropian. Livadhet e gjëra të kësaj perandorie moderne do të jenë pre të lehta për cubat shqiptarë. Ata do t’i gllabërojnë ato me energjinë e tyre primitive, dhe duke qenë ky një sistem i krijuar me shekuj, do t’ua mundësojë shqiptarëve që të ecin shtigjeve të rrahura me energjitë e tyre të ndrydhura.

Faza e parë, ajo kulturore, veçse po vegjeton: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi… Majlinda Kelmendi e sportistë të tjerë në klubet anë e mbanë Evropës veçse dëshmojnë energjinë e ndrydhur të prindërve të tyre, me ëndrrat e lëna përgjysmë në një truall që për një arsye apo tjetër nuk ua mundësoi realizimin e këtyre ëndrrave. Prindër që ëndrrat e tyre muzikore apo sportive nuk i realizuan dot në atdheun e tyre, gjithë energjitë e tyre i investuan tek fëmijët, rezultatet e të cilëve po vërehen.

Por, pas fazës kulturore e sportive vjen faza e ambicieve më të mëdha, ambicieve politike. Fëmijët e prindërve, mbijetesa e të cilëve funksionon vetëm përmes politikës, ku nuk mund ta punësosh djalin apo vajzën po nuk je i kyçur në partitë që kanë pushtetin, janë fëmijë që shtresojnë etjen për pushtet. Livadhet e mëdha të Bashkimit Evropian do të jenë kafshatë e lehtë për këta fëmijë të prindërve me ëndrra të thyera.

Shqiptarët do ta kenë në dorë gjithë Bashkimin Evropian. Ndoshta ky edhe do të jetë fundi i kësaj perandorie moderne, por më 2050 kjo perandori do të udhëhiqet nga shqiptarët e shtrirë në të gjitha skajet e saj. Përkundër këtij fakti, Shqipëria e Kosova do të ngelen vendet më të prapambetura të kësaj Perandorie. Edhe më 2050 shqiptarët do të kenë Gjergj Fishtën e Branko Merxhanin e Faik Konicën e vet, edhe Nënën Tereze, por cubat e 2050-shit do t’i lënë ata nën hije.

Gjithsesi, kryebashkiaku shqiptar i Londrës, Parisit apo Berlinit të vitit 2050, do ta ketë më të lehtë e më të suksesshme qeverisjen se kryebashkiaku i Tiranës, Prishtinës, Pukës apo Skenderajt,

Ndonjë nga këta edhe do të jetë dorëlirë në bamirësi si Adem Kurtpasha në poezinë Hafiz Yvejs Efendisë nga Gjakova e shkruar me shkronja arabe më 1699.

Uratë për Adem Kurtpashën

Do t’i lutem unë Allahut
Adem Kurtpashës t’i falë shnet,
E t’ia ruej Murat begin
Që t’a pshtojë kët milet.

Do t’i lutem që Adem pashës
T’i falë Allahu aq vjetë e jetë,
Gjithë sa ka yje qielli
Gjithë sa ka n’botë dushk e fletë.

O Zot, t’lus unë m’katari,
Falnaj m’katet për jetë e mot,
Gjithë ku shkel këmbë shqiptari
Ti, bekoje, i Madhi Zot.

Adem pashë po t’kënnoj uratën
Oxhak i parë n’kët Shqipni,
Nuk u lodhe për arkëthatën
Veç ky popull t’marrë dijeni.

Murat beg, Uvill Sabahu
Si fener ti Dritë na jep
Me emër t’vet t’ruejt Allahu
Që nxorre pop’llin n’selamet.

Kjo poezi e vjetër shqipe, njëra ndër më të mirat në letërsinë shqipe, ku sidomos strofa e tretë do të duhej të ishte himn kombëtar, tregon se nga disa prej atyre që grabitën pushtetin perandorak osman, panë dobi shqiptarët.

Nga ndonjëri shqiptar që më 2050 do të jetë në krye te Parlamentit Evropian apo Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës, apo që do të jetë në vend të Frederica Mogherinit, shqiptarët mund të kenë ndonjë dobi, por shumica e tyre do të jenë vetëm për vetën e tyre, sepse brezi i këtyre që tani janë 10-20 vjeç, e që më 2050 do të jenë në kulmin e karrierës së tyre politike, nuk është duke u edukuar aspak me frymë patriotike.

Nëse tani do të bënim reforma rrënjësore në edukimin tonë patriotik, nëse tani nxënësit tanë do të mësonin nga abetaret e viteve 1941-1944 dhe frymën patriotike që mbartin ato tekste shkollore, në vitin 2050 Evropa jo vetëm që do të ishte në dorë të shqiptarëve, por edhe do të përjetonte lulëzim. Në të kundërtën, nëse vazhdojmë kështu, Evropa më 2050 do të jetë në duar të shqiptarëve, por nga ky fakt nuk do të kenë dobi as shqiptarët e as evropianët e tjerë.

*Titulli origjinal: Cubat e vitit 2050

**Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit