Çdo ditë vijnë lajme për shpërthime, ndërkohë që për 17 muaj, që nga fillimi i revoltës popullore kundër regjimit, raportohen të kenë humbur jetën mbi 17 mijë vetë (kjo është shifra e fundit të cilës i referohet CNN), ndërsa 150 mijë të tjerë janë detyruar të largohen për t’u strehuar në shtetet fqinje, përfshi dhe Turqinë e cila ka pritur deri tani 50 mijë refugjatë.
Mes të vdekurve apo të tjerëve që janë detyruar të braktisin shtëpitë në Siri ka edhe shumë familje shqiptare (të njohur si Arnautë). Në fakt, ata kanë shumë, shumë vite që jetojnë atje, kryesisht që nga koha e Shtetit Osman. Ata tashmë janë integruar dhe kanë pasaportë siriane, e megjithatë nuk e kanë harruar origjinën e tyre, bile ka prej tyre që dinë të flasin dhe shqip.
Ermal Bega, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), në Tiranë, i cili ka njohuri dhe ka kontakte personale me shumë shqiptarë të Sirisë na tregon se viktima e parë me origjinë shqiptare që humbi jetën qysh se shpërtheu rebelimi popullor ishte Ubejde Arnaut, më 4 qershor 2011.
Ndërsa para pak javësh Munir dhe Behlul Arnauti (të dy me origjinë shqiptare nga Kosova) humbën jetën pasi u vranë nga forcat e regjimit diktatorial të Bashar al- Assadit, shkruan “Shqiptarja”.
Në kryeqytetin e Sirisë, në lagjen Divanije, njihet rruga e Arnaut, ku jetojnë vetëm shqiptarët. Aty ka qenë dhe xhamia Arnaut, (Xhamia e Shqiptarëve), por tani gjithçka është e shkatërruar. Fotot e siguruara ekskluzivisht për Shqiptarja.com. tregojnë banesa të shkatërruara, qepena të deformuara nga forca e shpërthimit dhe bombardimeve të forcave siriane.
“Pothuajse çdo shqiptar në Sham, (kështu njihet ndryshe në arabisht Damasku, shënim i gazetarit) që unë njoh kanë emigruar në një shtet tjetër. Disa persona u kthyen por shtëpitë e tyre ishin shkatërruar. Unë vetë prej një muaji kam emigruar me familjen time në Arabi Saudite” ,i shkruan me e-mail, Abdulgani Arnaut mikut të tij në Tiranë, Ermal Bega.
Ai banon në Damask por pas luftimeve të tmerrshme është detyruar të largohet së bashku me familjen e tij. Pak muaj më parë në Al-Kadem (lagje në Damask ku banojnë shumë familje shqiptare) ishte gjithçka e qetë, por para disa javësh ushtria e Assad e sulmoi dhe çdokush u detyrua të largohet.
“Familja ime prej 20-30 personash jetonin në një shtëpi. Pak ditë më parë u detyruan të kthehen, aktualisht ata janë mirë por nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas, por kam frikë se situata mund të jetë më tragjike se më parë” , vazhdon rrëfimin Abdulgani Arnaut mikut të tij në Tiranë.
Nga të parët e tyre kanë mësuar se janë vendosur në Siri që në kohën e Shtetit Osman, apo nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, e megjithatë ata nuk e kanë harruar se kanë origjinë shqiptare. Disa prej tyre dinë të tregojnë se e kanë origjinën nga Shkodra, Peja, Podujeva, Vushtria etj. Shumica mbajnë mbiemrin “Arnaut” (shqiptar) dhe të gjithë i dinë lagjet ku banojnë shqiptarët. Mes tyre ka dhe njerëz të njohur të letrave në Siri, në botën arabe, por edhe në trojet shqiptare, si Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti nga Damasku, i cili ka shkruar dhe përkthyer mbi 40 libra të ndryshëm, në arabisht dhe shqip, të botuara në vende të ndryshme si në Damask, Bejrut, Prishtinë, Tiranë etj. Ai është po ashtu nipi i një nga dijetarët më të mëdhenj myslimanë me origjinë shqiptare, Abdulkadër Arnauti, i cili ka jetuar në Damask.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë thotë se bëhet fjalë për 5 mijë shqiptarë, ndërkohë që nga Kosova dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), Ermal Bega thotë se atje jetojnë mbi 10 mijë shqiptarë, në qytete të ndryshme të Sirisë. Madje ai shton se ngritja e një ambasade atje do ta forconte më tej këtë komunitet. /Telegrafi/kohaislame