(Pjesa e dytë e serisë së artikujve “Ardhja e turqve në Ballkan dhe përhapja e islamit, shkaqet themelore të vazhdimësisë etnike të shqiptarëve”, nga Hasan Kaleshi, si pjesë të kumtesës që kishte lexuar në Kongresin I Ndërkombëtar të Turkologjisë në Stamboll, në vitin 1973).
Të fillojmë nga Kosova. Për këtë informacione autentike ofron Tahrir Defteri Mufassal i Vilajetit VLK i vitit 1455 (Oblast Brankovića. “Opširni katastarski popis iz 1455 godine”, Instituti Oriental, Sarajevë, 1972).
Para së gjithash, ky defter dhe të tjerë që do t’i shfrytëzojmë në vazhdim, vërtetojnë mendimin tashmë të ngulitur në historiografinë serbe se deri në luftën austriake-turke të viteve 1683-89, nëpër fshatrat e Kosovës nuk jetonin shqiptarë.
Kur analizojmë emrat dhe mbiemrat e kryeshtëpiakëve të regjistruar në Tahrir Defterët për pagesat e tatimeve, në mesin e 646 vendbanimeve gjejmë mbi 80 emra dhe mbiemra të shqiptarëve, si: Gjon i biri i Kozhicës, Radica Arabanas, Gerdash Arbanas, Arbanas i biri i Bogdanit, Mazreku i biri i Ivanit, Arbanasi i biri i Todorit, Dimitrije Arbanas dhe emra e mbiemra të ngjashëm si këta.
Veçanërisht është interesante se këto shtëpi shqiptare gjendeshin në rajonin e Moravës në brendësi të Kosovës, pra shumë larg nga vendet e llogaritura etnike të serbo-shqiptarëve (Shih: Adem Handzic. “Nekoliko vijesti o Arbanisma na Kosovo i Metohiji sredinom XV vijeka”, Konferenca për Skënderbeun, Prishtinë, 1962). Një realitet të tillë e hasim edhe në Maqedoninë e vitit 1467. (Opširen popisen defter no 4, (1467 – 1468), Arkivi shtetëror, Shkup, 1972).
Nga ana tjetër, gjendja është krejt ndryshe në pjesët kufitare serbo-shqiptare. Sipas një regjistrimi të kryer në vitin 1482, në nahinë e Alltun – Ilisë që ndodhet në rajonin e Gjakovës së sotme, vendet malore ishin të populluara me serbë, kurse rrafshi me shqiptarë. (Selami Pulaha, “Nahija e Alltun – Ilisë dhe popullsia e saj në funt të shekullit XV”, “Studime Albanologjike I”, 1971, Prishtinë, 1972). Duke u bazuar në fakte të tilla dhe nëse marrim parasysh përqindjen e shumicës dhe pakicës së popullatës, arrijmë në përfundim se Kosova nuk popullohej më shumë se 4-5 për qind me shqiptarë./Koha