Në mënyrë solemne, në prani të strukturave më të larta të bashkësive islame të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës, hoxhallarëve , e shumë mysafirëve tjerë nga e tërë Zvicra, është inauguruar të shtunën xhamia e re “Dituria” në Gjenevë.
Në këtë manifestim, kryetari i Asociacionit të Komunave të Gjenevës, Thierry Apothéloz, përshëndeti komunitetin shqiptar për hapjen e xhamisë dhe uroi që kjo qendër fetare dhe kulturore të shërbejë për dituri të reja dhe fqinjësi të mirë.
“Shqiptarët janë dëshmuar si shembull i tolerancës”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch.
Këtë e theksoi edhe Montasar BenMrad, president i Federatës së Organizatave Islame në Zvicër, i cili tha se “toleranca ndërfetare e shqiptarëve në Zvicër, bashkë me integrimin e tyre në këtë vend, duhet të shërbejnë si shembull për komunitetet e tjera fetare”.
Xhamia “Dituria” e cila hapi dyert për 15 mijë shqiptarë në Gjenevë, u ndërtua pas një angazhimi aktiv të këshillit të kësaj xhamie dhe përkrahjes të besimtarëve myslimanë dhe autoriteteve zvicerane.
Në fund imami i xhamisë së re në Gjenevë Rijad Aliu ka falënderuar të gjithë mysafirët nga Shqipëria, Kosova , Maqedonia e Presheva, si dhe pjesëmarrësit nga Zvicra që erdhën në këtë manifestim./albinfo.ch