1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Shqiptarët dhe serbët shkëmbejnë zjarr te “Kroi i Vitakut”

Më të lexuarat

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar të martwn rreth orës 10: 45 minuta në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës ndërmjet banorëve shqiptarë dhe serbë.

Këtë incident e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila e ka bërë të ditur se nuk ka pasur ndonjë viktimë apo të plagosur nga ky shkëmbim zjarri.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata është tensionuar në momentin kur zyrtarët e administratës së UNMIK-ut kanë kërkuar që të ndërpriten punimet në shtëpitë të cilat janë duke u ndërtuar nga banorët shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut, ndërtime këto të cilat janë kundërshtuar nga banorët serbë të kësaj lagjeje.​​

“Si duket një situatë e tillë ka inkurajuar aty më tepër banorët serb të asaj lagjeje, të cilët kanë kundërshtuar rindërtimin e shtëpive. Ka pasur hedhje të gurëve nga ana e këtyre serbëve, si protestues në atë aspekt. Ndërsa, për t’u tensionuar situata edhe më tutje dhe më thellë, janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, që nuk dihet se prej çfarë lokacionesh kanë ardhur. Por, besohet se të dyja palët kanë vënë në përdorim armë zjarri. Fatmirësisht, nuk kanë shkaktuar lëndime të njerëzve apo dëme materiale”, tha Hoti.

​​Ai shtoi se Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën nga EULEX-i dhe KFOR-i për ta qetësuar situatën në atë pjesë të Mitrovicës.

Aktualisht, sipas tij, te Kroi i Vitakut po qëndrojnë njësitë e specializuara të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Shtëpitë e rindërtuara të shqiptarëve te Kroin e Vitakut kanë qenë cak i sulmeve edhe disa ditë më parë, kur njërës prej tyre i është vënë zjarri dhe është djegur nga persona ende të paidentifikuar nga organet e rendit.

Incidentet e shpeshtuara në veri

Ndryshe, rastet e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm janë shpeshtuar kohët e fundit në veriun e Kosovës, ndërkohë që organet e rendit janë duke i hetuar motivet dhe autorët e mundshëm.

Vetëm gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës, janë shënuar tri zjarr-vënie të qëllimshme në vetura private, në dy lokacione në veriun e Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. Ndërkaq, në mesnatën ndërmjet 18 dhe 19 nëntorit në Zveçan, në rrugën “Mbreti Petër”, është shënuar një shpërthim nga i cili, siç ka njoftuar policia, kanë pësuar dëme një lokal dhe dy vetura civile.

Zëdhënësi i policisë, Hoti, thotë se në veri është krijuar një situatë, e cila ua mundëson grupeve kriminale, përfaqësuesve të grupeve të interesit, grupeve të strukturuara apo strukturave ilegale, që të veprojnë dhe përfitojnë.

“Është krijuar një situatë e favorshme për njerëzit që të përfitojnë nga situata, duke kundërshtuar ngjarjet, bisedimet ose të arriturat për marrëveshje rreth IBM-it (Menaxhimit të Integruar të Kufijve) apo edhe rreth kundërshtimit të arrestimeve që janë bërë kohët e fundit në veri të Mitrovicës. Do të thotë, kryesisht ka të bëjë me një karakter apo motiv të tillë të mundshëm, për ta mbjellë frikën kryesisht tek popullata serbe, me qëllim që të parandalojnë çfarëdo lloj bashkëpunimi me institucionet e Kosovës dhe kjo është dukshëm e qartë”, tha Hoti.

Ai ka shtuar se policia dyshon që organizuesit e mundshëm të këtyre sulmeve janë grupe, të cilat ai i përmendi, por nuk ka ende ndonjë dyshim për ekzekutorët e mundshëm të këtyre akteve kriminale.

Reagime ndaj incidenteve

Lidhur me shpeshtimin e incidenteve në veri, ka reaguar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka theksuar se me Kushtetutën e Kosovës, stabiliteti dhe siguria janë të garantuara në gjithë territorin e vendit.

​​“Është ekzekutivi i Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, ata që duhet ta garantojnë sigurinë dhe stabilitetin në çdo pjesë të Kosovës. Natyrisht, nuk është përgjegjësia e paktë edhe e institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës. Ata nuk duhet të reagojnë vetëm kur ka protesta në Prishtinë, por ku shkelet sovraniteti dhe tërësia territoriale dhe ku shkelet rendi dhe ligji në çdo pjesë të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ahmet Isufi, kryetar i komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i sheh si jo të rastësishme incidentet e fundit në veri të Kosovës.

Të gjitha ato, ai i sheh të ndërlidhura me politikën e Beogradit, e cila, sipas tij, në njërën anë përpiqet të tregojë se dëshiron dialogun me Kosovën dhe në anën tjetër dëshiron ta bëj të ditur praninë e saj në veri të Kosovës, siç thotë ai, madje edhe publikisht, siç ishte rasti ditën e diel, me ushtrimet e organizatës së ashtuquajtur “Civilna zastita” apo “Mbrojtja civile”.

Isufi thotë se mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë në Kosovë nuk duhet të lejojnë që situata në veri të përkeqësohet.

​​“Me mandatin që kanë institucionet ndërkombëtare, në këtë rast KFOR-i dhe EULEKS-i, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nuk duhet të lejojnë asnjë veprim, i cili bie në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, e cila është në fuqi në Kosovë, sepse veprimet e tilla po e destabilizojnë Kosovën dhe po tregojnë shenja të rrezikut, të cilat mund të eskalojnë në përmasa më të mëdha”.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se rezultatet e policisë në hetimin dhe zbulimin e kryerësve të akteve kriminale, varen shumë nga afërsia dhe sinqeriteti për bashkëpunim i qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës, të cilat sipas tyre, janë nën presionin dhe frikësimin që të mos bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Siç kanë thënë ata, Policia e Kosovës i ka të kufizuara veprimet e saj në veri të Kosovës për shkak se edhe njësitë shtesë dhe të specializuara të policisë janë të kufizuara në atë pjesë të vendit, duke marrë parasysh që mandatin për siguri në veri, në radhë të parë, e kanë EULEX-i dhe KFOR-i.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit