-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Shqipëria vendi me çekuilibër financiar dhe borxhin publik më të lartë në Ballkanin Perëndimor

Më të lexuarat

Heqja me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik rrezikon rritjen e mëtejshme të tij dhe daljen jashtë kontrollit. Sipas Bankës Botërore çekuilibrat financiarë pengojnë rritjen ekonomike në Shqipëri.
Borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në muajt e parë të këtij viti në 63,8 %, të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB ose GDP) në një kohë kur vendet e rajonit e kanë më të ulët borxhin publik dhe më të lartë PBB. Referuar të dhënave të fundit: Serbia e ka borxhin publik 58%, Kroacia 54%, Mali i Zi 52%, Maqedonia 31% dhe Bosnja 27%. Ndërkohë që heqja me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik rrezikon rritjen e mëtejshme të tij dhe daljen jashtë kontrollit. Përvoja e hidhur e Greqisë, me një borxh publik mbi 100 % të GDP-së dhe cilësimi i krizës emblematike të Greqisë si “krizë e borxhit publik” ka ngjallur alarm tek institucionet financiare ndërkombëtare, të pranishme në Shqipëri. Banka Botërore (BB), në mënyrë këmbëngulëse, përmes përfaqësuesve të saj e ka paralajmëruar qeverinë e Tiranës se nëse nuk ulet borxhi publik apo kombëtar, Shqipëria rrezikon ta pësojë si Greqia. Shqetësimi artikulohet si “rritje e çekuilibrave financiarë që pengojnë rritjen ekonomike”.
Nga duhet filluar kthimi tek ekuilibrat fiskalë?
Drejtorja e re e Bankës Botërore dhe Koordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore, që sapo e ka marrë këtë detyrë, në përfundim të vizitës së saj të parë në Tiranë, e konsideroi rritjen ekonomike të Shqipërisë në 20 vitet e postkomunizmit “të shpejtë dhe një ndër më të mëdhatë në Europën Jug- Lindore”. Por konteksti i vështirë global ka sjellë jo vetëm ulje të rritjes ekonomike, por edhe prishje të ekuilibrave fiskalë. Me fjalë të tjera: rritje të borxhit publik, rrezik për asfiksim të rritjes ekonomike. “Kriza në eurozonë e ka bërë shumë të vështirë që vende si Shqipëria të kenë rritje ekonomike dhe bashkë me faktorë të tjerë ka ndikuar në rritjen e çekuilibrave fiskalë që duhet të zgjidhen në një periudhë aftashkurtër, që Shqipëria të ketë rritje ekonomike” tha Goldstein, në një konferencë shtypi në Tiranë.

Rekomandimi Nr 1. i BB-së është shlyerja e faturave të prapambetura të sipërmarrësve dhe investitorëve privatë, që kanë kryer punë të mëdha publike dhe nuk janë paguar nga qeveria, si një nga shkaqet e rritjes së borxhit publik.
Sa duhet të jetë borxhi publik në vende si Shqipëria që të mos rrezikojë rritjen ekonomike? Ellen Goldstein tha në Tiranë se “niveli më i përshtatshëm i borxhit për një ekonomi në zhvillim si Shqipëria është rreth 40 për qind e PBB-së. Ky është standardi global, që ekonomia të mos jetë në stres dhe në risk, por nuk ka ndonjë shifër magjike sesa duhet të jetë niveli i borxhit publik. E mira është të jetë i ulët”, theksoi ajo.
Përfitimet nga ulja e borxhit publik janë bazike: dhënia hapësirë rritjes ekonomike dhe mosasfiksimit të saj, hapje dhe rritje e vendeve të punës, reduktim i papunesisë.
Rekomandime e BB-së për qeverinë e re pas zgjedhjeve të qershorit
Trajtimii i çekuilibrave fiskalë në Shqipëri do të jetë pjesë e studimi që Banka Botërore ka nisur të kryejë. Ksenya Lvovski, Drejtorja e Bankës Botërore në Shqipëri tha se “masat fiskale për të trajtuar çekuilibrat fiskale do të jenë pjesë e një drafti për qeverinë, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke i ofruar asaj opsione dhe alternativa për të përmirësuar situatën fiskale të borxhit publik. Cilado qeveri që do të formohet pas zgjedhjevete 23 qershorit do të përballet me detyrën për të përmirësuar situatën e financave publike, për të përmirësuar efikasitetin e administrimit të të ardhurave dhe rritjen e qëndrueshmërisë së regjimit fiskal”, theksoi Ksenya Lvovski./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit