3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Shqipëria në modën e burrafortëve – Xhodi Hysa

Më të lexuarat

Shqipëria në modën e burrafortëve

Xhodi Hysa

Frika se demokracitë e rendit të ri global do të shuheshin ka qenë gjithnjë në mendjen e filozofëve dhe arkitektëve të shtetit që pas vitit 1945. Por asnjëherë më shumë sesa dekada e dytë e shekullit aktual, ato nuk e kanë vuajtur shqetësimin e një demokracie liberale (siç do ta pagëzonte Viktor Orban) apo një populizmi që do të trondiste edhe sistemin më të përkorë deri më sot të demokracisë, siç është ai i SHBA-së.

Armiqtë e demokracisë, për të cilën edhe presidenti i 46-të i SHBA-së u zotua ta mbronte, janë as më shumë e as më pak ata që konsiderohen si “populistët” e politikës botërore. Një establishment i fortë politik i shpërndarë nga libertarianët tek paleokonservatorët në SHBA. Këto rryma kanë promovuar konceptin e një burri të fortë shteti që tejkalon institucionet tradicionale të politikës.

Burrafortët janë shtetarë që kanë krijuar një kult individi personal, kanë një shpërfillje për sundimin e ligjit dhe pohojnë se përfaqësojnë qytetarët dhe që politikat e tyre i drejtojnë duke përdorur nacionalizmin si justifikim.

Shqipëria, megjithëse e renditur përherë nga Transparency Inernational si një shtet pjesërisht i lirë, duke pasur luhatje negative në performancën e saj të demokracisë institucionale, ka qenë ndër ato vende që ka përjetuar kulturën e burrave të fortë në qeverisje për një kohë të gjatë.

Në të vërtetë, kultura e qeverisjes së ashpër totalitare në Shqipëri përgjatë komunizmit u vu re edhe në periudhën paskomuniste në mënyrën sesi në atë kohë Qeveria Berisha drejtoi jo vetëm brenda forcës së tij politike, por edhe në popull të tërë. Kulti i individit qe i fortë në kohën e tij, sidomos gjatë mandatit 2005-2013, por jo aq i kuruar sa imazhi politik dhe publik që krijoi kryeministri aktual Edi Rama.

Qysh në krye të Bashkisë së Tiranës ishin impresionet e mira të cilat ndihmuan lindjen e një kulti pozitiv dhe tejet frytdhënës. Këmbëngulja për t’u paraqitur jashtë si një udhëheqës modern dhe i rinuar, që do t’i ofronte Shqipërisë koloritet e një Tirane të ngjyrosur në mënyrë të çrregullt, por kontemporane, ishin çelësat me të cilat ai nisi të punonte për imazhin e tij si një shtetar modern dhe liberal.

Vitet e para të qeverisjes ishin të angazhuara jashtë duke vijuar pa u lodhur krijimin e imazhit të një lideri që kishte shkruar një libër të përkthyer në disa gjuhë dhe që e kishte promovuar cep më cep të Europës. Përkundrazi në Shqipëri, duke përfituar nga magjepsja që kishte shkaktuar jashtë, nisi të ndërtonte anën tjetër të kultit të individit duke vënë në zbatim politika ekonomike, por jo vetëm ekonomike, që godisnin shqiptarët.

Vrazhdësia e aksioneve të tij politike kundër ndërtimeve pa leje ishte në kontrast të fortë me udhëheqësin europian të mençur që pikturohej jashtë. Ndërsa emri i tij arriti të përmendej më herët si kandidat për çmimin Nobel dhe më vonë si një pseudokandidat për sekretar të NATO-s, raportet i tij me ligjin dhe sundimin e tij ishin të kundërta.
Përgjatë dhjetë viteve në qeverisje, kryeministri Rama ka ofruar një manual të qartë të një lideri burrafortë dhe autoritar duke krijuar një imazh personal të ngjashëm me kultin e individit. Investimi në personalitetin e tij nuk duhet të limitohet në deklaratat që ministret e tij bëjnë nga foltorja e Kuvendit, por edhe në imazhin që ai kuron për veten duke i “personalizuar” raportet e tij me liderët europianë, sidomos me karizmatikët.

E gjitha kjo ka ndikuar shumë në shoqërinë shqiptare e cila ka parë tek Rama pikërisht përthyerjen e një ëndrre të vjetër të elitës kulturore të pasvitit 1992, ku prania europiane në genin dhe kulturën shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e identitetit tonë kombëtar. Rama e ka përdorur këtë ushqim të marrë për vite me radhë nga mediumet kulturore, letrare dhe intelektuale për të ndërtuar fasadën e përkorë të një lideri europian që në Shqipëri do të përdorej për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe një opozite (shumë demode) dhe për t’i dhënë jetë akteve të tij prej një njeriu që zhvlerëson sundimin e ligjit.

Fatkeqësia e Shqipërisë paskomuniste ka qenë e shkuara e saj staliniste: një regjim totalitar dhe gjakatar që shfarosi mendimin kritik dhe u investua fuqimisht për të ndërtuar një shoqëri të re përmes njeriut të ri socialist. Investim ky kolosal dhe kriminal në kurriz të shoqërisë shqiptare, që ndikoi fort për të zhbërë vetinë primordiale të njeriut për të pasur institucione dhe për t’i respektuar ato.

Vendi pasdiktatorial jo vetëm që kishte një neveri ndaj institucioneve të sigurisë (policia dhe ushtria) – pasi ato rëndom shiheshin si vazhdim i policisë personale dhe ushtrisë personale të byrosë komuniste – por njëkohësisht edhe iu zbeh dëshira për të pasur një shtet institucional. Kultura e dhunës që ishte imponuar në mendjen e njeriut të ri socialist u zëvendësua me kulturën e indiferentizmit dhe më tej me zëvendësime ligjore.
Kjo situatë e ndihmoi Ramën për të vendosur një sundim personal përmes metodave aspak demokratike, por me një fasadë propagande që evokonte “të bërit shtet”. Një mënyrë që ishte përdorur dhe nga paraardhësi i tij, por jo me kaq sukses si pasojë e dështimeve të tij në fushën e propagandës.

Kështu, dhuna si metodë u përdor në kufijtë e ligjshmërisë për të shtypur çdo reagim qytetar apo dhe opozitar në fushën e të drejtave të njeriut. Ndërsa u qeveris për vite me radhë me akte normative (diçka e palogjikshme në një shtet ku sundon ligji), parlamenti nisi të kthehej në një fabrikë të madhe stampimi të ligjeve preferenciale duke përfituar edhe nga një mungesë e gjatë (për një demokraci pjesërisht të lirë) e Gjykatës Kushtetuese.

Me parimin “më mirë djepi bosh, sesa shejtani në të”, kryeministri u përkujdes që të mos linte bosh djepin e aksioneve qeveritare që kalonin pa u kundërshtuar si pasojë e një mazhorance të konsoliduar. Kjo i dha jetë një tjetër tipari themelor të një sundimtari burrafortë që shpërfill ligjet dhe sundimin e tyre.

Edhe kritikës ndaj tij, kryeministri i përgjigjet duke i ftuar qytetarët të dëgjojnë dhe të marrin prej tij atë pjesën “interesante” të “hazër-xhevapit”. Për ta kuptuar më mirë natyrën e sjelljes së tij me publikun, mund të sjellim këtu si shembull përshkrimin që shefi editorialist i Financial Times, Gideon Rachman, shkruan për Vladimir Putin (që ai e konsideron babain e burrafortëve në politikë):
“Autoritarizmi i tij prej macho-je dhe inkurajimi i kultit të personalitetit ra në sy në një epokë teknokratësh ku shumica e politikanëve të epokës ishin cool, figura të nënvlerësuara, si Hu Chin Tao apo Angela Merkel.”

Sipas Rachman-it, kultura e burrafortit Putin erdhi në një epokë liderësh të dobët që kishin hequr dorë nga një politikë e paraviteve ‘90 ku trimëria dhe lidershipi tregohej përmes një qëndrimi dhe një personaliteti të akullt.

Në të njëjtën mënyrë, edhe qëndrimi i Ramës karshi gazetarëve është ai i një njeriu prej macho-je, që ka inkurajuar kultin e individit dhe imazhin e një sundimtari të fortë që di të përgjigjet në mënyrën popullore. Ai është njeriu që kënaq shqiptarët pasi e çon Erion Veliaj të pastrojë muret e një pallati në mesin e një vakie si tërmeti i vitit 2019. E bën këtë për t’u treguar shqiptarëve që ai është alfa në Shqipëri dhe se ato duhet ta respektojnë edhe për këtë gjë.

Një sjellje e tillë politike, që është kthyer në kulturë prej 30 vitesh, e ka dëmtuar thellësisht Shqipërinë. Fatkeqësisht, seancat parlamentare nuk janë debate teknike apo politike, por ato janë konvertuar në seanca shkëmbimi batutash mes fjalimeve të gjata, zakonisht, mes ish-kryeministrit Berisha dhe kryeminstrit Edi Rama.

Të dy këta duket se janë në garën e ethshme të udhëheqësve që duan të jenë sa më shumë burrafortë për të tërhequr vëmendjen dhe vështrimin e turmës. Edhe Ilir Meta shpalos shenja të tilla ndërsa vazhdon të ligjërojë si “një çun i Pazarit të Ri” që të “godet” duke na risjellë në vëmendje dëshirën e tij për të qenë po aq i fortë sa Rama.
Ajo që kuptohet qartë është se shoqëria është e tejmbushur me një numër të madh burrafortësh që nuk mendojnë se si të ndërtojnë një vend të jetueshëm, por se si të imitojnë cilësitë e një burri të fortë për të larguar kryeministrin. Duket sikur të gjithë duan në një farë mënyrë të kopjojnë stilin renegad, autoritar edhe përbuzës që ofron Rama-Berisha-Meta.

Kjo e ka shkatërruar natyrën e të bërit politikë dhe njerëzit gjithnjë e më shumë (mbase dhe pa kuptuar) janë duke u larguar nga kjo natyrë e papërgjegjshme politike. Natyrisht, sa më sipër është diçka e pamatur nga ana sasiore sepse deri më tani ofertat politike joburraforte nuk janë kristalizuar ende siç duhet.

Ajo që vërehet në një kulturë acide të burrafortit është se pasuesi nuk rezulton asnjëherë si paraardhësi. Sado dhe sido që të përpiqet pasuesi t’i shëmbëllejë paraardhësit të tij politik, natyra e burrafortëve është tërësisht personale dhe intimidimi që ato ofrojnë bazohet mbi cilësitë e tyre. Prandaj burrafortësia nuk mund të trashëgohet. Organizatat që përpiqen ta trashëgojnë këtë natyrë autoritare janë të destinuara të shkërmoqen apo të pësojnë një luftë të madhe mes tyre për të ndarë përfundimisht formën e tyre.

Ndonëse sot vendi është i tejngopur nga ligjërimi dhe kultura e burrafortëve që duan të zëvendësojnë njëri-tjetrin, por që në fakt mbajnë burrafortin më të talentuar në pushtet, realiteti kërkon që ne të kemi diçka tjetër. Koha e burrafortëve duhet të përfundojë dhe ne duhet t’i rikthehemi një politike të shëndetshme që i shërben institucioneve dhe, mbi të gjitha, qytetarëve.

Kredencialet e një politike që nuk punon për të unifikuar shtetin dhe gjithë shoqërinë me kryeministrin, por që udhëhiqet nga së paku parimi i një demokracie institucionale, i sundimit të ligjit dhe një qeverie për qytetarët janë në minimum. Gjithnjë e më tepër shqiptarët po tregojnë se nuk preferojnë më politikanë burrafortë që përpiqen të kapërcejnë gardhin e një demokracie institucionale për të prodhuar një pushtet personal.

Alternativa ndaj këtij pushteti personal të një njeriu të fortë që udhëheq me dorën e hekurt shtetin dhe që ka më shumë vetitë e një gati diktatori që dikton jetën dhe mendimin, është gjithnjë e më pak e pëlqyeshme. Si përherë, erozioni i vlerave njerëzore që shpërfaqen dhe në demokraci prek edhe kultin e burrafortëve. Prandaj zgjidhja e vetme që ka mbetur në këto kushte është një udhëheqës apo lider që nuk është fytyra e ashpër e frikës së një burraforti, por e një njeriu që përpiqet dhe punon për të ndërtuar një shtet për të gjithë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit