Vendit ju hap një dritare në procesin e integrimit, me kushtin e plotësimit të disa masave të rëndësishme.
“Komisioni rekomandon dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, pasi të përmbushen masat kyce në fushat e gjyqësorit dhe reformës së administratës publike, dhe pasi rregullorja e parlamentit të rishikohet”, deklaroi sot komisioneri per Zgjerimin Stefan Fyle
Pas dy vjetësh refuzimi, Shqipërisë sot ju hap një dritare në procesin e integrimit, dhe tani është në dorën e saj që të kapërcejë kushtet e vendosura. “Ne do të lëshojmë një raport sa më shpejt të jetë e mundur kur të arrihen përparime. Në këtë raport ne do të nënvizojmë përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Që të jetë e aftë për të vazhduar drejt fazës tjetër, hapjen e bisedimeve për anëtarësim, Shqipëria duhet të dëshmojë në vecanti zbatim të qëndrueshëm të angazhimeve të marra tashmë dhe përfundimin e prioriteteve kyce që nuk janë përmbushur ende. Fokusi do të jetë në shtetin ligjor dhe të drejtat themelore. Një dialog politik i qëndrueshëm mbetet thelbësor për një proces të suksesshëm reformash”, nenvizoi komisioneri
Por hapja e bisedimeve ka një tjetër kusht të rëndësishëm: “Zhvillimi I zgjedhjeve të ardhshme te 2013 do të jetë një test vendimtar dhe një parakusht për cdo rekomandim për hapjen e bisedimeve”
Që prej vitit 2010 komisioni europian përcaktoi 12 objektiva që Shqipëria duhet të arrinte për marrjen e statusit. Sot u publikua dhe raporti mbi ecurinë së vendit në të cilin vlerësohen hapat e bërë dhe klima e re politike e krijuar falë marrëveshjes politike të nëntorit të kaluar mes shumicës dhe opozitës. “Në përgjithësi Shqipëria ka bërë përparim të mirë në përmbushjen e kritereve politike për anëtarësim” thuhet në raport ku saktësohet përmbushja e katër objektivave, si “përmirësimi I funksionimit të parlamentit, miratimi I ligjeve me tre të pestat, emërimi i Avokatit të Popullit dhe procesi i dëgjesës dhe votimit të një anëtari të GJykatës së Lartë”.
Shqipëria vlerësohet të jetë në rrugën e duhur për përmbushjen e dy objektivave të tjerë që lidhen me reformën në adminisratën publike dhe përmirësimin e trajtimit të të dënuarve.Përsa i përket 6 objektivave të tjerë, komisioni vlerëson se ka patur “një përparim të moderuar në reformën në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, duke përmendur këtu kufizimin e imunitetit dhe miratimin e ligjit për Gjykatën administrative, ndërsa vlerëson se ka patur një përparim të pamjaftueshëm në politikat e antidiskriminimit përfshirë mbrojtjen e pakicave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës se komunitetit Rom.
Raporti i Komisionit bën një analizë të detajuar të zhvillimeve në të gjitha fushat. Bie në sy vecanërisht një vlerësim kritik i sistemit gjyqësor. “Shqipëria duhet të përshpejtojë më tej zbatimin e strategjisë së refromës gjyqësore për të siguruar pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve gjyqësore”, thuhet në raport. “Procesi i emërimeve të gjyqtarëve në gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, mbetet një cështje shqetësuese për shkak të mundësisë së politizimit. Paanshmëria dhe pavarësia e këtyre institucioneve nuk është ende e garantuar plotësisht”, vlerëson raporti. “Kushtet e varfëra të punës, mungesa e masave të përshtatshme të sigurisë në gjykata dhe përgjithësisht pagat e ulta, përfshirë mungesën e kontrolleve të duhura dhe një sistem I zbehtë emërimesh, promovimesh dhe transferimesh, vazhdojnë të jenë faktorët kyc të rrezikut për korrupsion në sistemin gjyqësor”.
Dhe lufta kundër korrupsionit vlerësohet si një fushë ku ka patur një përparim të moderuar. “Korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem vecanërisht serioz”, thuhet në raport ku vecohet fakti se “dënimet për raste korrupsioni mbeten të rralla. Nuk ka ende gjurmë bindëse hetimi, procedimi dhe denimi në raste korrupsioni në të gjithë nivelet, përfshirë funksionarët e lartë. Institucionet e ngarkuara me hetimin, inspektimin dhe dënimin mbeten të prekshme nga presionet politike dhe influencat e papërshtatshme”, vlerëson raporti. Ndërsa për luftën kundër krimit të organizuar raporti vëren se “mbetet një sfide madhore për Shqipërinë”./voa