0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Shqipëria dhe shqiptarët në tekstet e shkollave osmane

Më të lexuarat

Dr. Hasan Bello

Abstrakt

Në tekstet shkollore osmane nuk mund të thuhet se flitej hapur mbi racat dhe kombet, por kishte raste kur në kuadër të trajtimit të aspekteve të veçanta me karakter gjeografik, përshkruheshin edhe detaje me interes për kombin tonë. Kështu, në tekstin “Gjeografia osmane” (“Coğrafya-yı Osmani”) në të cilin trajtoheshin karakteristikat e disa krahinave dhe popujve të Perandorisë, si shembull i mikpritjes dhe bujarisë merrej populli shqiptar. Mungesën e bujtinave (haneve) në qytetet shqiptare, autori e shpjegonte me faktin se te ky popull kjo traditë zinte një vend të rëndësishëm. Sipas tij, çdokush që udhëtonte nëpër Shqipëri dhe ngelte në mes të rrugës, qoftë ky mysliman ose i krishterë, nëse trokiste në derën e shqiptarit bëhej mysafir në shtëpinë e tij. Bujtësi ishte i detyruar që mikut t’i siguronte ushqim për aq ditë sa ai do të qëndronte.

[Hyrje]

Në tekstet shkollore të Perandorisë Osmane vihet re se janë pasqyruar të gjitha etapat e modernizimit dhe ideologjia zyrtare e kohës. Kështu, në periudhën e Tanzimatit (1839-1876), në tekstet dhe programet shkollore i kushtohet rëndësi e madhe identitetit osman të nënshtetasve të Perandorisë. Kjo politikë ishte në përputhje me zhvillimet e ngjashme të ndërtimit të identiteteve perandorake që kishin filluar të ndiqnin në këtë kohë edhe shtetet evropiane.

Në etapën e dytë, e cila përfshin periudhën e Sulltan Abdulhamidit II (1876-1909), në tekstet dhe programet shkollore zë vend ideologjia panislamiste si element përbashkues i të gjithë popujve të Perandorisë përballë rrymave nacionaliste (turke, arabe, shqiptare, kurde, etj…), që krahas zhvillimit të tyre normal, si rezultat i rrethanave historike, nxiteshin edhe nga shtetet evropiane si diversion dhe presion ndaj politikës centralizuese të Abdulhamidit II.

Në etapën e tretë, e cila përfshin periudhën pas shpalljes së Kushtetutës së dytë (1908), në tekstet dhe literaturën shkollore të Perandorisë Osmane merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe politika e ndërtimit të identitetit kombëtar.[1] Një trajtim pak a shumë të ngjashëm lidhur me këtë trajektore kishte bërë që në vitin 1904 edhe një nga themeluesit e nacionalizmit turk, Yusuf Akçura (Jusuf Akçura)*. Në një seri të gjatë shkrimesh të botuara në gazetën “Türk” (“Turk”) që asokohe dilte në Kajro, ai shkruante se në periudhën e Tanzimatit ishin bërë përpjekje për të krijuar popullin osman, në periudhën e Abdulhamidit II, popullin islam dhe se pas kësaj periudhe kishte filluar krijimi dhe ndërtimi i një identiteti të ri kombëtar, atij turk.[2]

Në periudhën e Tanzimatit, përveç festave me karakter fetar si ditë pushimi, ishte edhe data e hipjes në fron të sulltanit, ndërsa në periudhën e Abdulhamidit II u shtua si ditë pushimi edhe ditëlindja e tij. Ndryshime thelbësore ndodhën sidomos pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908 kur në kalendar u shtua si festë kombëtare edhe dita e shpalljes së Kushtetutës, ndërsa në tekstet shkollore u futën koncepte bashkëkohore të sistemit politik dhe shtetit kombëtar, si: atdheu, populli, shteti, kushtetuta, parlamenti, zgjedhjet, legjislacioni, sistemi gjyqësor, etj.

Zyrtarisht tekstet e para shkollore mbi historinë dhe gjuhën osmane filluan të shkruheshin në vitin 1850. Në periudhën e Tanzimatit, në shkollat osmane bëhej përpjeke që brezi i ri të edukohej me dashurinë për “atdheun osman”. Koncepti “atdhe” (“vatan”) në literaturën shkollore të Perandorisë Osmane i përket kësaj periudhe. Ky koncept shumë shpejt do të bëhet një nga temat më të parapëlqyera dhe më të debatueshme nga Osmanët e Rinj (“Yeni Osmanlılar”)*. Një përhapje të gjerë në masat e popullsisë dhe te shtresa intelektuale e Perandorisë Osmane ai do të gjejë sidomos nga vepra teatrale e Namik Kemal-it* “Vatan yahut Silistre”, subjekti i së cilës fund e krye përshkruhet nga patriotizmi romantik. Sipas shumë studiuesve të historisë së letërsisë osmane kjo vepër është botuar në dy versione. Në versionin e pacensuruar të shtypur ilegalisht, pjesa teatrale mbyllet me fjalët “Rroftë Atdheu. Rrofshin Osmanët” (“Yaşasın Vatan. Yaşasın Osmalılar”), ndërsa në botimin zyrtar ajo mbyllet me urime drejtuar sovranit “Rroftë Sulltani! Rroftë Sulltani” (“Padişahım Çok Yaşa! Padişahım Çok Yaşa”). Si rezultat i ndikimit që kjo pjesë pati kur u vu në skenë, Namik Kemal-i u internua, ndërsa vepra e tij u ndalua, për shkak se ajo tentonte të zëvendësonte dashurinë dhe bindjen ndaj sulltanit, me dashurinë për atdheun.

Tek Osmanët e Rinj koncepti “atdhe” (“Vatan”) sinjifikohej me kërkesën për miratimin e Kushtetutës dhe hapjen e parlamentit, të cilat në thelb e kufizonin pushtetin e sulltanit dhe automatikisht e kthenin Perandorinë Osmane në Monarki Kushtetuese.

Duke nisur nga viti 1880 në sistemin arsimor osman lëndët fetare morën rëndësi të madhe. Në programet dhe në tekste shkollore tani e tutje filloi të propagandohej politika panislamiste. Kjo për shkak se nga shkollat në të cilat lëndët shkencore-pozitiviste ishin futur që nga koha e Tanzimatit po dilnin çdo ditë e më shumë kundërshtarë të regjimit. Prandaj, Abdulhamidi II u përpoq që sistemin arsimor osman ta përdorte në funksion të politikës së tij panislamiste, për të formuar nëpunës të lidhur me sulltanin dhe me Islamin zyrtar. Ndërkohë që shtresa e dijetarëve (ulematë) u la jashtë këtij sistemi. Një dukuri e tillë nuk ishte specifike vetëm për Perandorinë Osmane, e njëjta gjë ishte duke ndodhur edhe në perandoritë fqinje dhe shtetet evropiane. Kështu, duke nisur që nga viti 1884, Car Aleksandri i III e kishte shtuar numrin e orëve fetare në shkollat ruse.[3]

Nga një vështrim qoftë dhe i përciptë i teksteve osmane vihet re se çdo epokë ka lënë gjurmët e saj. Në kapakun e botimit të dytë të tekstit shkollor “Gjeografia osmane” (“Coğrafya-yı Osmani”) theksohej rëndësia që Sulltan Abdulhamidi II i jepte arsimit dhe se çdo “mrekulli industriale” që po ndodhte brenda Perandorisë në këtë periudhë ishte rezultat i sistemit arsimor të ngritur prej tij.[4] Në parathënien e tekstit “Ruajtja e Shëndetit” (“Hıfz-ı Sıhhat”) autori e quan Sulltan Abdulhamidin II si sundimtarin më të lavdishëm dhe më të drejtë të kohës.[5]

Në tekstet shkollore përgjithësisht ushqehej fryma e tolerancës fetare. Kjo për shkak se Perandoria Osmane kishte edhe nënshtetas jo-myslimanë, të cilët që nga koha e Sulltan Mehmet Fatihut II (1432-1481) njiheshin si komunitete më vete (milete). Fëmijëve myslimanë u ndalohej që të kritikonin fetë e tjera dhe në vend që t’u mësoheshin “gabimet” apo “mangësitë” e tyre, u mësoheshin urdhëresat, ndalesat dhe monoteizmi i pastër islam.[6]

Në periudhën e Abdulhamidit II superioriteti i qytetërimit perëndimor nëpër tekstet shkollore kishte filluar të pranohej haptazi. Në tekstin “Gjeografia e re” (“Yeni Coğrafya”), në kapitullin ku trajtohej kontinenti evropian, autori i drejtohet nxënësve me fjalët: “Siç e shikoni edhe në hartë, megjithëse kontinenti evropian krahasuar me katër kontinentet e tjerë është më i vogël, përsëri ai është më i qytetëruar. Popullsia e tij krahasuar me popullsinë e kontinenteve të tjerë është më e përparuar në shkencë, art dhe tregti”.[7] Por nëse nga një anë atyre iu sugjerohej që Evropa dhe shoqëria perëndimore të merreshin si shembull për përparimin që kishin arritur në fushën shkencore dhe teknologji, nga ana tjetër iu bëhej thirrje që të bënin kujdes për të ruajtur zakonet dhe traditat osmane, veshjet dhe moralin islam.[8]

Në kuadër të politikës panislamiste, që ishte kthyer në doktrinë zyrtare të shtetit osman, në tekstet shkollore si sulltani më i lavdishëm nuk cilësohej më Sulltan Sulejman Kanuni (1520-1566), por Sulltan Javuz Selimi (1512-1520), sepse ky i fundit kishte qenë i pari që kishte transferuar qendrën e kalifatit nga Bagdadi në Stamboll dhe e kishte pastruar Anadollin nga shizmi duke e sunizuar.[9] Besnikëria dhe bindja ndaj sulltanit në tekstet shkollore konsiderohej jo vetëm si detyrë patriotike, por edhe si obligim fetar për çdo shtetas osman. Qëllimi kryesor i sistemit arsimor mbi të gjitha ishte edukimi dhe përgatitja e kuadrove besnikë ndaj sulltanit e kalifatit.[10] Krahasuar me periudhën e Tanzimatit ku vihej re një lloj liberalizmi, në epokën e Abdulhamidit II, në tekstet shkollore të Perandorisë Osmane, iu kushtua rëndësi e madhe përhapjes së sunizmit e sidomos shkollës juridike hanefite*. Në disa tekste shkollore tani bindja dhe besnikëria ndaj sulltanit konsiderohej si “vacib” (obligim fetar pothuajse kategorik),[11] e në disa të tjera si “farz” (obligim fetar kategorik).[12]

Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, partia “Bashkim dhe Përparim” u përball me një nevojë më të madhe se sa regjimi i vjetër që t’i shpjegonte popullit të mirat që sillte Kushtetuta dhe sistemi parlamentar. Prandaj, krahasuar me periudhën e mëparshme, tekstet shkollore osmane iu nënshtruan një kontrolli akoma dhe më të rreptë. Ato fillimisht u spastruan nga të gjitha simbolet e ideologjisë panislamiste të epokës së Abdulhamidit II; fjalët lavdëruese që shkruheshin për sulltanin tani u hoqën; ndërsa nga njëra anë ngrihej në qiell regjimi kushtetues, nga ana tjetër kritikohej ashpër Abdulhamidi II, i cili kishte shfuqizuar kushtetutën dhe kishte shpërndarë parlamentin. Një dukuri tjetër që vihet re në tekstet shkollore të kësaj periudhe është edhe fakti se, ngjyrimi fetar tani zuri të zbehej dhe të zinte një vend gjithnjë e më të vogël se më parë.

Në ndonjë tekst, indirekt ose duke përdorur një gjuhë të kujdesshme, kishte filluar të mbahej qëndrim kritik ndaj sulltanatit dhe të propagandohej se republika ishte një formë më e përparuar se monarkia. Megjithatë, duke pasur parasysh rrethanat politike, kur pjesa dërrmuese e popullsisë ishte e lidhur prej shekujsh me dinastinë osmane e sulltanin, bëhej kujdes që kjo të mos ngjallte reagimin e masës myslimane. Po në të njëjtin tekst ku vlerësohej forma republikane e regjimit ishte vendosur edhe një tregim në të cilin djali pyeste babanë nëse kjo formë do të zbatohej edhe në Perandorinë Osmane. Përgjigjja ishte tej mase interesante, sipas “babait”, ky regjim politik ishte i pamundur të zbatohej në Perandorinë Osmane. Në radhë të parë për shkak se kjo perandori përbëhej nga kombe të ndryshme, të cilët do të kërkonin që presidenti i republikës të ishte nga kombi i tyre dhe në radhë të dytë për shkak se ky shtet ishte themeluar nga dinastia osmane, e cila kishte sakrifikuar shumë dhe i kishte shërbyer prej shekujsh këtij populli. Prandaj, autori i këtij teksti konkludonte se shteti osman nuk mund të bëhej republikë.[13]

Në përputhje me zhvillimet politike që ndodhën pas Revolucionit Xhonturk në tekste tani theksohej kontributi i ushtrisë në realizimin e revolucionit dhe hyjnizohej roli i kushtetutës, duke e barazuar atë me lirinë. Koncepte të tilla si: atdheu, kombi, shteti, kushtetuta, parlamenti, zgjedhjet, ligji, gjykatat, etj., të cilat më shumë se sa perandorake ishin karakteristike për shtetet kombe ishin të pranishme kudo.[14] Në tekstet shkollore tani filloi të propagandohej një ideologji e re, e cila nga studiuesit është emërtuar si një “sintezë turko-islame”. Nxënësit nuk ishin më të detyruar të brohorisnin “Rroftë Sulltani”, por recitonin vjersha fetare e patriotike për atdheun (“vatanin”) dhe kombin osman. Abdulhamidi II konsiderohej si despot dhe periudha e tij si diktaturë kur populli vuante nga shtypja e mungesa e lirisë. Tani apologjizohej kontributi i ushtrisë dhe i partisë “Bashkim dhe Përparim”, e cila pasi kishte rrëzuar sulltanin, kishte shpallur Kushtetutën dhe i kishte rikthyer popullit lirinë.

Nga pikëpamja e kulturës politike, krahasuar me tekstet shkollore të periudhës së Abdulhamidit II, pas vitit 1908 vihen re ndryshime thelbësore. Nëse më parë bindja dhe besnikëria ndaj sulltanit konsiderohej si obligim fetar, tani bëhej thirrje për besnikëri ndaj atdheut, Kushtetutës dhe ligjeve. Shkolla nuk konsiderohej më vetëm si institucion shtetëror, por edhe si mjet socializues-partiak me anë të së cilës xhonturqit propagandonin pikëpamjet e tyre politike. Madje, për të arritur objektivat e saj, partia “Bashkim dhe Përparim” në disa zona të caktuara hapi shkolla private me programe specifike.

Në tekstet e historisë tani shpaloseshin përpjekjet e bëra për demokratizimin e Perandorisë që nga koha e Tanzimatit; theksohej kontributi i Osmanëve të Rinj dhe i përfaqësuesve më të njohur të kësaj lëvizjeje, si: Fazëll Mustafa Pasha, Zija Pasha, Shinasiu, Namik Kemal-i, Ali Suavi-u, etj. Shpallja e Kushtetutës dhe mbledhja e parlamentit të parë osman në vitin 1876-1877, konsideroheshin si data të rëndësishme historike, ndërsa shfuqizimi i tyre si fatkeqësi. Një vend po aq të rëndësishëm zinin edhe përpjekjet e xhonturqve përballë regjimit despotik të Abdulhamidit II, aktiviteti i tyre politik brenda dhe jashtë vendit e sidomos Revolucioni i vitit 1908.[15]

Në këtë periudhë, e cila përkon me lindjen dhe zhvillimin e nacionalizmit turk kemi një shtim të temave mbi rrënjët historike të popullit turk. Koncepte të tilla nacionaliste si: “ekonomia kombëtare”, “letërsia kombëtare”, “edukata kombëtare” filluan të artikuloheshin haptazi e të zinin vend çdo ditë e më shumë në të gjitha tekstet e shkollave osmane në mbarë Perandorinë. Në funksion të kultivimit të kësaj fryme në tekste u vendosën copëza leximi letrar me anën e të cilave kultivohej ndjenja e sakrificës për atdheun, interesin kombëtar dhe dashuria për kombin.[16] Bindja dhe dashuria për sulltanin, tani kushtëzohej me faktin se ai duhej të ishte simpatizant i Kushtetutës dhe respektues i detyrimeve që buronin prej saj.[17]

Në kuadër të politikës së osmanizimit që xhonturqit filluan të ndiqnin, në tekstet shkollore propagandohej me të madhe se, të gjithë ata që jetonin nën flamurin e Perandorisë, konsideroheshin si pjesëtarë të kombit osman. Ky i fundit përbëhej nga turqit, arabët, shqiptarët, grekët, hebrenjtë, kurdët, bullgarët, etj. Anëtarët e këtij kombi quheshin osmanë dhe se gjuha e tyre zyrtare ishte osmanishtja. Prandaj, sipas tyre, të gjithë fëmijët ishin të detyruar ta mësonin këtë gjuhë.[18] Një anë pozitive e kësaj politike ishte fakti se partia “Bashkim dhe Përparim”, e cila synonte konsolidimin e unitetit të brendshëm dhe rritjen e kohezionit social, e kundërshtonte njësoj si ndarjen e racave ashtu edhe diskriminimin fetar. Në tekste propagandohej se pas shpalljes së Kushtetutës ndarjet ishin zhdukur dhe se të gjithë nënshtetasit osmanë, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike dhe fetare, ishin të barabartë. Myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë ishin të obliguar njësoj që të sakrifikonin për atdheun e tyre. Kombi osman konsiderohej si një komb me moral të lartë, brenda të cilit kishte pasur dhe kishte personalitete që duheshin marrë shembull, jo vetëm nga myslimanët por edhe nga të krishterët. Osmanizmi nuk i përkiste vetëm myslimanëve. Çdokush që jetonte nën hijen e flamurit perandorak dhe që i bindej ligjeve të shtetit, quhej ose mund të bëhej osman.[19] Në tekste, siç shihet, propagandohej vëllazërimi i të gjithë elementeve si një vullnet politik. Për ta ilustruar këtë po citojmë një pjesëz leximi nga teksti i shkollave fillore “Detyrat qytetare” (“Vezaif-i Medeniye”), në të cilin përshkruhet një stërvitje e improvizuar ushtarake ku merrnin pjesë fëmijë me përbërje të ndryshme fetare, myslimanë dhe të krishterë, të cilëve komandanti u drejtohet me fjalët:

“Tani nuk ka më ndarje dhe përçarje. Të gjithë jemi osmanë, të gjithë jemi bijtë e këtij atdheu, të gjithë jemi për përparimin e tij. Për t’i shërbyer atdheut që të gjithë do bëhemi ushtarë. Artin ushtarak duhet ta mësojmë që tani, që në të ardhmen të mos hasim vështirësi e të bëhemi ushtarë të mirë. Ushtrisë osmane duhet t’ia zbardhim faqen edhe një kat më tepër. Hajdeni shokë, të vazhdojmë stërvitjen në emër të osmanizmit dhe atdheut.”[20]

Si ideologji, osmanizmi vazhdoi të propagandohej deri përfundim të Luftërave Ballkanike, rezultati tragjik i të cilave bëri që vendin e tij ta zinte nacionalizmi turk (turqizmi). Humbja e këtyre luftërave u shoqërua me humbjen e territoreve evropiane të Perandorisë Osmane, duke shkaktuar një zhgënjim të madh te xhonturqit. Sipas tyre, Evropa nuk e kishte mbajtur fjalën e dhënë se sido që të ishte përfundimi i tyre nuk do të kishte ndryshime të hartës së Perandorisë. Kjo shkaktoi një skepticizëm të përgjithshëm tek elita drejtuese osmane lidhur me perspektivën dhe unitetin që mund të sillte tani e tutje osmanizmi. Pas humbjes së pjesës më të madhe të Rumelisë, e vetmja shpresë për ta mbeti turqizmi.

Në qoftë se më parë osmanizmi e refuzonte ndarjen dhe mbivendosjen e racave, ideologjia e re tani filloi të ndërtohej mbi virtytet superiore të kombit turk. Pabesia e Evropës së krishterë dhe dimensioni panortodoks i Luftërave Ballkanike bëri që vëllazërimit midis elementeve të ndryshëm fetarë brenda Perandorisë t’i jepej fund. Në tekstet shkollore osmane tani filloi të mbizotëronte ligjërimi i luftës midis “kryqit” dhe “gjysmëhënës”. Pothuajse në të gjitha librat u vendosën shkrime dhe vjersha të Ziya Gökalp-it (Zija Gokalpit)*, i cili i bënte thirrje rinisë osmane të kishte kujdes nga çdokush që s’ishte i kombësisë turke.[21] E vetmja gjë e përbashkët dhe që kishte njëfarë ngjashmërie me osmanizmin e propaganduar më parë tani ishte fakti se nacionalizmi turk mbarte një lloj identiteti islam.

Krahasuar me tekstet shkollore të periudhës së Abdulhamidit II, në të cilat superioriteti i qytetërimit evropian në fushën e shkencës dhe teknologjisë pranohej hapur, por që nga ana tjetër bëhej thirrje për një lloj selektiviteti, që nga ky i fundit, zakonet të mos kopjoheshin, traditat dhe veshjet, në tekstet shkollore të pas Revolucionit Xhonturk shoqërisë osmane i sugjerohej që Perëndimi të merrej si model pa rezerva edhe në këto aspekte.[22]

Si përshkruhej Shqipëria dhe shqiptarët në tekstet shkollore të Perandorisë Osmane?

Në tekstet shkollore osmane nuk mund të thuhet se flitej hapur mbi racat dhe kombet, por kishte raste kur në kuadër të trajtimit të aspekteve të veçanta me karakter gjeografik, përshkruheshin edhe detaje me interes për kombin tonë. Kështu, në tekstin “Gjeografia osmane” (“Coğrafya-yı Osmani”) në të cilin trajtoheshin karakteristikat e disa krahinave dhe popujve të Perandorisë, si shembull i mikpritjes dhe bujarisë merrej populli shqiptar. Mungesën e bujtinave (haneve) në qytetet shqiptare, autori e shpjegonte me faktin se te ky popull kjo traditë zinte një vend të rëndësishëm. Sipas tij, çdokush që udhëtonte nëpër Shqipëri dhe ngelte në mes të rrugës, qoftë ky mysliman ose i krishterë, nëse trokiste në derën e shqiptarit bëhej mysafir në shtëpinë e tij. Bujtësi ishte i detyruar që mikut t’i siguronte ushqim për aq ditë sa ai do të qëndronte.[23]

Në tekstin e parë shkollor të historisë osmane “Fezleke-i Tarih-i Osmanî” (“Përmbledhje e Historisë Osmane”) që u shkrua nga Ahmet Vefik Pasha* në vitin 1869, në kapitullin e nëntë ku autori trajton periudhën e Sulltan Mehmed Fatihut II përshkruan shkurtimisht edhe ekspansionin e ushtrisë osmane në territoret shqiptare,[24] qëndresën njëzetepesëvjeçare të Skënderbeut në malet e Shqipërisë[25] dhe rrethimin e Shkodrës.[26] Një rëndësi më vete në këtë tekst ka edhe fakti se në kapitullin e gjashtëmbëdhjetë ku autori trajton ndarjen e vjetër të Perandorisë Osmane në ejalete, Shqipëria (“Arnautluk-u”) trajtohet si njësi administrative më vete, në përbërje të së cilës bënin pjesë sanxhaqet e Prizrenit, Shkodrës, Dukagjinit, Ohrit, Elbasanit, Vlorës, Delvinës dhe Janinës.[27] Me përjashtim të Shkupit dhe Manastirit që bënin pjesë në një njësi tjetër administrative, këto sanxhaqe që autori i ka përfshirë nën emrin “Arnavutluk” (“Shqipëria”) përputhen pak a shumë me arealin etno-linguistik shqiptar. Studimi i trajtimit të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve në tekstet shkollore osmane e sidomos, prania e këtyre dy koncepteve, gjeografik-Shqipëri (“Arnavutluk”) dhe etnik-shqiptar (“Arnavutlar”), në hartat e atlaset historiko-gjeografik, ndonëse deri tani e pahulumtuar siç duhet, na bën të konkludojmë se:

  1. a) tek elita drejtuese (politike) dhe intelektuale e Perandorisë Osmane, Shqipëria si koncept gjeo-etno-linguistik ka qenë perceptuar qartë dhe saktë;
  2. b) trajtimi i historisë së Shqipërisë si koncept gjeo-etno-linguistik dhe e shqiptarëve (si p.sh. Skënderbeu dhe qëndresa e tij, Ali Pashë Tepelena, veprimtaria e të cilit trajtohet shkurtimisht si nxitës i popullsisë së Moresë në kryengritje për të përmbushur qëllimet personale[28]) edhe pse si pjesë integrale të historisë së Perandorisë Osmane nuk mund të mos ketë ndikuar si te nxënësit osmanë ashtu edhe te nxënësit shqiptarë që studionin në shkollat osmane për të krijuar një përfytyrim gjeo-etno-linguistik objektiv, që më vonë, me lindjen e frymës kombëtare, do të shndërrohet në vetëdije nacionale.

[1]. Mehmet Ö. Alkan, “Osmanlı Imparatoluğu`nda Modernleşme ve Eğitim”, TALID, 6 (12), 2008, s. 13-14.

*Yusuf Akçura (1876-1835) një nga themeluesit dhe teoricienët më të njohur të nacionalizmit turk. Autorë i disa librave dhe artikujve mbi këtë tematikë.

[2]. Këto teza dhe shkrime ai i përmblodhi në librin e tij të njohur Üç tarzı siayaset, Istanbul, 1912.

*Osmanët e Rinj (“Yeni Osmanlılar”) janë pararendësit e Turqve të Rinj ose xhonturqve. Kjo shoqëri gjysmë ilegale u themelua në vitin 1865 nga një grup intelektualësh osmanë të cilët nën shembullin e Revolucionit Francez dhe zhvillimeve politike e kulturore në vendet evropiane mendonin se, P-Osmane mund të shpëtonte vetëm duke u demokratizuar. Një kërkesë tjetër e tyre ishte shpallja e kushtetutës dhe drejtimi i vendit nga një grup individësh të përzgjedhur siç ishte parlamenti.

*Namik Kemal (1840-1888) mendimtar dhe shkrimtar osman me origjinë shqiptare i gjysmës së dytë të shek. XIX. Autor i disa veprave letrare dhe teatrale që kanë lënë gjurmë në historinë e letërsisë osmane. Në veprat e tij kultivohet dashuria për atdheun osman. Ai njihet gjithashtu edhe si një nga përfaqësuesit më të njohur të lëvizjes së Osmanëve të Rinj.

___________________

[3] Robert Gilda, Barricades and Borders Europe 1800-1914, Oxford: Oxford University Press, 1987, p. 352.

[4]. Ahmet Celal, Coğrafya-yı Osmani, Istanbul: Mekteb-i Harbiye Mat.,1316 (1900).

[5]. Besim Ömer, Hıfz-ı Sıhhat, Istanbul: Karabet Mat.,1318 (1902), s. 1.

[6]. Ali Tevfik, Yeni Coğrafya, Istanbul, 1305, s. 18.

[7]. Azmi, Yeni Coğrafya, Dersaadet: Kasbar Mat, 1314, s. 58.

[8]. Ayşe Sıdıka, Usul-ü Talim ve Terbiye, Istanbul: Alem Mat, 1313, s. 46.

[9]. François Georgeon, Sultan Abdülhamid, Istanbul: Homer Kitabevi, 2006, s. 228.

[10]. Namik Sinan Turan , “Osmanlı Toplumunda Modernleşme ve Eğitimin Ideolojik Dönüşümüne Dair Gözlemler”, Folklor Edebiyat, Ankara 2008, c. 14, sy. 55, s. 123.

*Shkolla juridike hanefite është një nga katër shkollat juridike të islamit suni. Kjo shkollë është themeluar nga juristi i njohur Ebu Hanife (v. 767) dhe përfshin një sërë rregullash të praktikimit të fesë islame më shumë të përshtatshme për zonat urbane. Në Perandorinë Osmane kjo shkollë ishte përcaktuar edhe si linjë zyrtare.

[11]. Ahmed Ziyaeddin, Vesitü`n-Necat, Dersaadet: Şirket-i Mürettibiye Mat, 1317, s. 5-6.

[12]. Ahmed Cevdet, Eser-i Ahd-ı Hamdi, Istanbul: Matbaa-i Amire, 1309, s. 26-29.

[13]. Ali Seyyidi, Musâhebat-ı Ahlâkiye, Istanbul: Şirket-i Mürettibiye Mat, 1332, s. 24.

[14]. Mustafa Gündüz, “II.Abdülhamid Dönemi Eğitimi ve Ideolojisi Üzerine Tartışmalar”, TALID, 6 (12), 2008, s. 266.

[15]. Ahmed Hilmi, Resimli ve Haritalı Milli Küçük Osmanlı Tarihi, Dersaadet: Kasbar Matbaası, 1330, s. 134-140.

[16]. Halil Aytekin, Ittihad ve Terakki Dönemi Eğitim Yönetimi, Ankara: Gazi Üniversitesi Eğitim Fakültesi Yayını, 1991.

[17]. Nuri Doğan, Ders kitapları ve sosyalleşme (1876-1918), Istanbul: Bağlam, 1994, s. 79.

[18]. Selim Kohen, Malumat-ı Eftal, Istanbul: A.Asadoryan ve Mahdumları Matbaası, 1328, s. 14.

[19]. Süleyman Şebahettin & Fuat Köprülü, Meşrutiyette Terbiye-i Etfal, Istanbul: Necm-i Istikbal Matbaas-ı, 1327, s. 98.

[20]. Ali Seyyidi, Vezaif-i Medeniye, Istanbul: Kaanat Matbaası, 1329, s. 34-35.

*Zija Gokalp (1876-1924) sociolog, teoricien dhe themelues i nacionalizmit bashkëkohor turk. Për disa vite me radhë ai shërbeu edhe si ideolog zyrtar i partisë xhonturke “Bashkim dhe Përparim”.

[21]. Ahmet Cevat, Resimli Osmanlı Lisanı, Istanbul: Matbaa-yı Hayriye ve Şürekası, 1330, s.12.

[22]. Nuri Doğan, Ders kitapları ve…, s.101.

[23]. Ahmet Celal, Coğrafya-yı Osmani, Istanbul, 1311, s. 86-87.

* Ahmet Vefik Pasha (1813-1891) shkrimtar dhe burrë shteti osman. Në karrierën e tij të gjatë politike ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme, si: kryeministër, kryetar parlamenti, ministër arsimi, ministër drejtësie, etj. Ai njihet gjithashtu edhe si përkthyes dhe autor tekstesh. Për 36 vjet me radhë, nga 1869-1905 libri i historisë “Përmbledhje e Historisë Osmane” që ai hartoi për shkollat ryshtije shërbeu si tekst bazë duke u bërë model edhe për tekste të tjera që do të shkruhen më vonë. Nga të dhënat që na ofrojnë studiuesit e jetës dhe veprës së Ahmet Vefik Pashës thuhet se ky libër historie ka thyer të gjitha rekordet e kohës së tij duke u ribotuar mbi 15 herë.

[24]. Ahmet Vefik Paşa, Fezleke-i Tarih-i Osmanî, (Yayına Hazırlayan: Şakir Babacan), Istanbul: Boğaziçi Yayınları, 2011, s. 101.

[25]. Po aty, s. 102.

[26]. Po aty, s. 104-105.

[27]. Po aty, s. 150.

[28] Po aty, s. 282: 287

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit