10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Shqipëria dhe Kosova përgatiten për Kurban Bajramin

Më të lexuarat

“Duhet të përgatitemi e duhet të mendojmë edhe për ata që nuk kanë. Duhet t’i ndihmojmë, dhe ata që kanë mundësi duhet ta bëjnë kurbanin, si për veten ashtu edhe për t’iu shpërndarë të tjerëve”

Në prag të festës së Kurban Bajramit, në tregjet dhe dyqanet e Shqipërisë dhe Kosovës shikohen qytetarët të cilët bëjnë përgatitjet e fundit për pritjen e kësaj feste. Tregtarët janë kujdesuar që të kenë produkte të mjaftueshme, për të iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Banorët e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, kanë nisur prej disa ditësh përgatitjet e tyre për Kurban Bajramin.

Për të mësuar më shumë rreth këtyre përgatitjeve ekipi i Anadolu Agency ka folur nga afër me tregtarë dhe blerës në një nga tregjet tradicionale të fruta-perimeve në Tiranë.

Vurant Sila është një tregtar i cili tregton fruta në përgjithësi dhe ai tregon se ky vit është më i dobët se sa vitet e shkuara, por sipas tij përsëri qytetarët dhe sidomos besimtarët muslimanë pavarësisht kushteve të tyre ekonomike bëjnë të gjitha përgatitjet Dhe blerjet e nevojshme për pritjen e festës.
Duke theksuar se në vitet e kaluara gjallërimi në prag të festave dhe sidomos të Kurban Bajramit ka qenë shumë herë më i lartë, ai thotë se kjo ka të bëjë me kushtet e vështira të tregut, por edhe me uljen e mundësisë së blerjes së qytetarëve.

“Në këtë treg ka çmime shumë të mira. Kemi produkte me cilësi të lartë, por edhe me çmime të ulta. Gjatë viteve të kaluara gjallëria ndihej që prej 2 javësh përpara festës”, shprehet Sila.

Ndërkohë një tjetër tregtar në këtë treg është edhe Rakip Shahilli. Ai tregon për AA se numri i blerësve në krahasim me vitet e kaluara është më i ulët, por shton se qytetarët kujdesen që të marrin të gjitha produktet e nevojshme për pritjen e festës së Kurban Bajramit.

Vangjel Toli është një banor i Tiranës dhe ai tregon se në shtëpinë e tij kanë filluar përgatitjet që para disa ditësh. “Mundohemi të festojmë të gjitha festat me aq mundësi sa kemi. Për festën e Kurban Bajramit të paktën do të organizojmë një drekë, ku nuk do të mungojnë dhe ëmbëlsirat dhe gjërat simbol të festës. Kam menduar të jap ndonjë dhuratë të vogël për ndonjë person në nevojë”, thotë ai dhe më pas shton se çmimet në treg nuk kanë ndryshuar edhe pse është kohë feste.

Ndërkohë tregjet dhe dyqanet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, në ditët e fundit kanë një frekuentim më të madh, për shkak të afrimit të festës së Kurban Bajramit. Qytetarët e Prishtinës në prag të kësaj feste dalin të blejnë produkte të ndryshme, për të bërë përgatitjet e fundit për Kurban Bajramin.

Bedrie Bici nga Prishtina, e cila kishte dalë të blejë produkte të ndryshme në “Tregun e Gjelbër”, për AA u shpreh se me rastin e festës së Kurban Bajramit bëjnë përgatitje të shumta, sidomos me ëmbëlsira e gatime të ndryshme.

“Përgatitjet nisin disa ditë përpara, duke pastruar e duke u bërë gati për mysafirë. Përgatisim ëmbëlsira, bakllava dhe tortë, pastaj përgatisim edhe mishin”, u shpreh Bici.

Ajo theksoi se mundohen që Bajramet t’i kalojnë së bashku me familjen, duke u takuar edhe me fëmijët të cilët jetojnë në diasporë. Bici shtoi se gati çdo vit bëjnë prerjen e kurbanit, duke e shpërndarë mishin tek të afërmit e tek fqinjët.

Ndërkohë, Hajrullah Ramadani, një tjetër blerës në treg, për AA u shpreh se ka ardhur këtu për t’u përgatitur për këtë festë të rëndësishme, për të cilën theksoi se ka kuptimin e vet prej Profetit Ibrahim a.s. dhe prej traditës së atëhershme. Ai shtoi se në treg mund të gjejë gjërat e duhura, sidomos ne aspektin e përgatitjes së ushqimit të veçantë për Bajram.

Ai tha që secili besimtar përgatitet për Bajramin në mënyrën e vet, disa duke pastruar shtëpinë, disa duke blerë kurbanin e disa të tjerë duke shtuar veprat e mira, ibadetin, namazin e lutjet. Ramadani shtoi se me këtë rast ka bërë lutje si për veten, e ashtu për njerëzimin në mbarë rruzullin tokësor, që të mbizotërojë paqja dhe hareja, “Sepse këto festa e japin këtë mesazh”.

Duke theksuar se edhe ai vetë nuk ka mundur që sivjet të blejë kurbanin, Ramadani u shpreh se kjo në Kosovë zakonisht po ndodh për shkak të kushteve ekonomike.

“Kurban Bajrami ndoshta ka pak ndryshime prej viteve të kaluara, por prapë ka rëndësinë e vet. Të mos paragjykoj se disa ndoshta nuk e dinë vlerën e kurbanit, por ndoshta gjendja materiale e njerëzve ka bërë që ata që nuk kanë të mos e blejnë kurbanin. Por ata që kanë, me këtë gjest humanitar, bëjnë shpërndarjen e kurbanit, për familjet, të afërmit e fqinjët dhe për skamnorët”, u shpreh Ramadani.

Zela Bajrami, një blerëse tjetër nga Prishtina tha se ka ardhur në treg për ta bërë pazarin, në mënyrë që të bëjë përgatitje të ndryshme për festën e Kurban Bajramit.

“Duhet të përgatitemi e duhet të mendojmë edhe për ata që nuk kanë. Duhet t’i ndihmojmë, dhe ata që kanë mundësi duhet ta bëjnë kurbanin, si për veten ashtu edhe për t’iu shpërndarë të tjerëve. Kjo është shumë punë e madhe dhe shumë punë e mirë, dhe ditë më e mirë dhe ditë më të madhe se kjo nuk ka në asnjë vend”, u shpreh në fund Bajrami.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit