3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Shqipëri, mbahet simpoziumi shkencor për “Qytetërimin Osman”

Më të lexuarat

Simpoziumi është organizuar me rastin e botimit në shqip të veprës me të njëjtin titull të autorëve Prof.Dr. Halil İnalcık dhe Prof.Dr.Günsel Renda

 

Simpoziumi shkencor me temë “Qytetërimi Osman”, ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të institucioneve nga Turqia, të institucioneve turke në Shqipëri si dhe studiues nga të dy vendet, për të diskutuar për disa aspekte të këtij qytetërimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Simpoziumi është organizuar me rastin e botimit në shqip të veprës me të njëjtin titull të autorëve Prof.Dr. Halil İnalcık dhe Prof.Dr.Günsel Renda.

Në aktivitet ishte i pranishëm kryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, i cili gjatë fjalës së tij tha se prezantimi i veprës dhe simpoziumi përbëjnë “lumturi të madhe për ne”.

“Marrëdhëniet e ngushta të Shtetit Osman me këtë pjesë gjeografike kanë pasqyrimet e tyre në gjitha fushat e jetës deri sot. Poeti i himnit tonë kombëtar me orgjinë shqiptare është një nga figurat që e përfaqësojnë më së shumti këtë bashkëjetesë. Një personalitet tjetër në këtë drejtim është edhe Sami Frashëri”, theksoi Eren.

Ai u shpreh se krahas punimeve të tjera, profesor Prof.Dr.Halil Inalcik u ka dhënë të gjithëve një vizon shumë të gjerë në studimet për Shtetin Osman. “Prof.Dr. Halil İnalcık gjithashtu ka formuar edhe shumë historianë dhe shkencëtarë të tjerë. Ai na ka treguar gjithëve që qytetërimi osman është qytetërim i përbashkët i të gjithë neve. Kjo vepër me dy vëllime është shumë e rëndësishme për theksimin e kësaj të kaluare, e trashëgimisë së përbashkët”, theksoi ai.

Eren gjithashtu theksoi se populli turk dhe shqiptar kanë bashkëjetuar për 600 vjet, dhe si institucion me projekte arsimore, kulturore, programin e bursave për studentët do të arrijnë që të kontribuojnë për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkan.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, u shpreh se Qytetërimi Osman është njohur mjaft mirë në të gjithë Ballkanin. “Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuuan në përkthimin në gjuhën shqipe të kryeveprës me titull ‘Qytetërimi Osman’. Profesori i shquar İnalcık është në krye të personaliteteve botërore që na ka bërë ne të kuptojmë sa më mirë Shtetin Osman, që përfaqëson një ndër qytetërimet më të rëndësishme shtetërore dhe kulturore në historinë botërore”, tha ambasadri turk.

Ai shtoi se ky simpozium është organizuar për njohjen sa më mirë dhe sa më të saktë në këtë rajon gjeografik të Shtetit Osman, i cili sipas tij, është krijuar si një shtet ballkanik, por ka qenë pjesë e pandashme e kontinentit evropian. “Punimet e tilla të kësaj fushe të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Si Ambasadë e Turqisë bëjmë përpjekje që të ndriçohet kjo periudhë historike dhe të sigurohet vazhdimësia i ndriçimit të saj. Ne aktualisht po vazhdojmë përgatitjet për të krijuar qendrën e përbashkët të studimeve turko-shqiptare”, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Dr Persida Asllani, në fjalën e saj përshëndetëse, tha se libri “Qytetërimi Osman” është një projekt madhor që ka përfshirë në realizimin e tij shumë potenciale njerëzore dhe personalitete të dijes. “Në të kanë kontribuar njohësit më të mirë të historisë dhe Qytetërimit Osman, si dhe një rrjet i gjerë bashkëpunëtorësh, specialistësh, madje dhe figura politike të Turqisë bashkëkohore dhe kanë të drejtë të ndihen krenarë për këtë rezultat të shkëlqyer”, tha Asllani.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, theksoi se ky aktivitet është i veçantë për faktin se trajtimi i Qytetërimit Osman do të ndërthuret me trajtimin e figurës së historianit të mirënjohur turk, të ndjerit Halil İnalcık.

“Kjo nismë u mor teksa pamë se ka një boshllëk mjaft të madh të literaturës në lidhje me periudhën historike pesëqindvjeçare. Mungojnë librat, stendat e muzeve që për periudhën osmane janë tepër të varfra, thuajse nuk ofrojnë asgjë me vlerë. Nuk e dimë nëse kjo është e qëllimshme apo pasojë e paaftësisë, por fakti është se kemi mungesë të theksuar të materialit mirëfilli shkencor. Mungojnë autorët seriozë, mungojnë studimet serioze. Periudhën e Perandorisë Osmane e njohim më shumë nga përshkrime ekzotike, nga narrativa romaneske, nga serialet e shumta”, tha Gurra.

Simpoziumi është organizuar nga bashkëpunimi i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) dhe Fondacionit ALSAR, ndërsa referuan studiues nga Shqipëria, Turqia, Kosova dhe Maqedonia.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit