Pakot me mishin e kurbanit shpërndahen për familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuar, si dhe për jetimët në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit
Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka vazhduar shpërndarjen e pakove të kurbanit për familjet në nevojë në Shqipëri me rastin e festës së Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë për shpërndarjen e pakove me mish kurbani merrnin pjesë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, si dhe të Fondacionit ALSAR.
Pakot me mishin e kurbanit shpërndahen për familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuar, si dhe për jetimët në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Cengiz Koç, përfaqësuesi i Gjysmëhënës së Kuqe Turke në një prononcim për AA tha se organizojnë shpërndarjen e kurbaneve në 40 shtete të botës pa dallim feje dhe race.
“Kemi organizuar therjen e kurbaneve në mënyrë shumë moderne dhe sipas rregullave islame, ku shpërndarjen e organizojmë me Fondacionin ALSAR. Kemi filluar me shpërndarjen e mishit të kurbanit. Dëshiroj të falënderoj donatorët që kanë kontribuar jo vetëm për Shqipërinë, por në të gjithë botën. Ne si Gjysmëhëna e Kuqe Turke mundohemi që njerëzit të kenë mundësi të bëjnë Bajram. Mesazhi jonë është që ne jemi pranë. Dëshirojmë që edhe në të ardhmen të realizojmë projekte kaq të mira”, tha Koç.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, tha gjatë aktivitetit se ndihmat me kurbane kanë ardhur nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, por edhe nga organizata të tjera turke. Ai tha se kurbanet shpërndahen pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe se kjo traditë që ka filluar prej vitesh do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të shpërndajë 9250 pako të kurbanit në Shqipëri, në bashkitë Tiranë, Shkodër, Bulqizë, Mat, Klos, Kukës, Durrës, Shijak, Kavajë, Fier, Berat, Vlorë, Tepelenë, Përmet, Konispol, etj.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka shpërndarë kurbane edhe në Maqedoni dhe Kosovë.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka organizuar therjen dhe shpërndarjen e 2.100 kurbanëve në Maqedoni ndërsa ka organizuar therjen e 200 bagëtivë të mëdha edhe në Kosovë të cilat janë dhuruar me rastin e festës së Kurban Bajramit personave në nevojë