Ceremonia filloi me një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të 15 Korrikut, dhe pas himneve kombëtare të të dy vendeve, u shfaqën edhe video gjatë momenteve të tentativës për grusht shteti
TIRANË (AA) – Ambasada e Turqisë në Tiranë, Ministria e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti të organizatës terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesë e ceremonisë së organizuar në Tiranë ishin ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Shqipërisë, Sonila Qato, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Ceremonia filloi me një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të 15 Korrikut, dhe pas himneve kombëtare të të dy vendeve, u shfaqën edhe video gjatë momenteve të tentativës për grusht shteti.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij në ceremoni tha se tentativa për grusht shteti e FETO-s ishte sulmi më i rëndë kundër rendit kushtetues demokratik, të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve turq dhe sigurisë kombëtare.
Ai tha se “Gjatë kësaj tentative për grusht shteti që kishte vënë në shënjestër vullnetin, unitetin, tërësinë dhe demokracinë e vendit tonë, me thirrjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan me miliona shtetas u bashkuan si një trup i vetëm”.
“Karakteristikat tipike të kësaj organizate janë pastrimi i parave, shpifjet, falsifikimi i dokumenteve zyrtare, evazioni fiskal, konspiracioni, mbyllja në vetvete, prodhimi i fakteve false në labirintin e obskurantizmit, organizimi në celula dhe larja e trurit. Organizata është e shkrirë me krimin. Kështu pjesëtarë të FETO-s të arratisur drejt Shqipërisë pas 15 korrikut janë kapur në Shqipëri me karta identiteti dhe pasaporta false”, tha ambasadori turk.
Duke folur për elementët e organizatës terroriste FETO në Shqipëri ambasadori Yörük tha: “Pastrimi i kësaj organizate nga Shqipëria para së gjithash është në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kur ne themi se kjo organizatë duhet asgjësuar plotësisht në këtë vend, duam që ajo që na ndodhi neve në sytë e të gjithë botës të mos u ndodhë edhe vëllezërve tanë shqiptarë. Sepse organizata është e njëjta organizatë. Funksionimi i saj është i njëjtë me atë në Turqi ose në vendet e tjera të Ballkanit”.
Ndërkohë në kuadër të programit “Heronjtë mes nesh”, në pranishëm në ceremoni ishin edhe veteranët Abdullah İrgin, Erdoğan Demir dhe Mehmet Tahir İkiler të cilët ndanë për të pranishmit përjetimet e tyre gjatë tentativës për grusht shteti.
Të pranishëm ishin edhe të afërm të dëshmorëve të 15 Korrikut, mes tyre edhe Nihal Olçok, bashkëshortja e dëshmorit Erol Olçok dhe nëna e dëshmorit Abdullah Tayyip Olçok.
Kujtojmë se më 15 korrik shënohet përvjetori i dytë i tentativës për grusht shteti në Turqi, organizuar nga organizata terroriste FETO, ku 251 policë, ushtarakë dhe civilë ranë dëshmorë dhe më shumë se 2000 të tjerë u plagosën.
Me rastin e 15 Korrikut, “Ditës së Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar” organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.