Klinika e Onkologjisë Mjekësore, e njohur në opinion si Instituti i Onkologjisë tregon se rastet e reja me kancer janë të njëjta sikur në tre mujoret e para të dy viteve të kaluara.
Në një komunikatë për media ky Institut thotë se për tre muajt e parë të këtij viti Onkologjia ka ofruar 21.752 shërbime shëndetësore dhe ka pranuar 190 raste të reja me kancer.
“Në këtë tremujor, ka pasur 190 raste të reja që janë lajmëruar në këtë institucion shëndetësor, prej tyre 52 tumore të gjirit, 35 tumore të sistemit respirator, 32 tumore të traktit gastroendestinal, 39 tumore të traktit urogjenital dhe tumoret gjinekologjike, 32 tumore të sistemeve te tjera (S.N.Q, koka, qafa,lëkurës, indeve te buta dhe kockave. Gjatë kësaj periudhe, janë ofruar 18. 985 shërbime të kimioterapisë, kurse ka pasur 3667 seanca të radioterapisë”, thuhet në këtë komunikatë.
Në komunikatë theksohet se shërbimi i kimioterapisë në fillim të vitit është karakterizuar me mungesa të mëdha të citostatikëve, por përmirësimi ka filluar në fillimin e muajit shkurt dhe pastaj ky përmirësim ka vazhduar, derisa në muajin prill ky furnizim mbulon mbi 85-90% të nevojave të pacientëve, krahasuar me buxhetin që ka në dispozicion ky shërbim.
Onkologjia sqaron po ashtu në këtë komunikatë se nuk ka listë të pritjes për kimioterapi, përderisa për radioterapi ekziston lista e planifikimit të rasteve.
“Pas paraqitjes së rastit pacienti më së largu fillon rrezatimet pas tre jave që është sukses edhe për vendet me shëndetësi më të zhvilluar”, thuhet më tutje në komunikatë./KP/.kohaislame