3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Shpjegime rreth ngjarjeve në Egjipt – Naser el Umer

Më të lexuarat

Të gjitha falenderimet i takojnë Atij i Cili e ndaloi padrejtësinë dhe e bëri atë të ndaluar në mesin e robërve të Tij. Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Allahut i cili tha: “Ndihmoje vëllaun tënd qoftë zullumqar apo ai që i është bërë zullum!” (Transmeton Bukhariu), dhe mbi familjen e tij, shokët e tij, dhe gjithë ata që e pasuan! E pastaj …
Allahu i Lartmadhëruar ka thënë (përkthim i përshtatur): “Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri tjetrit, ata urdhërojnë për punë të mira dhe ndalojnë nga të këqijat, e mbajnë (falin) namazin e tyre dhe e japin zeqatin, dhe i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij. Këta janë ata të cilët Allahu do t’i mëshirojë. Vërtetë Allahu është i Plotëfuqishm dhe i Urtë.” Pastaj, duke shikuar atë që po ndodhë në Egjipt, tokën e Kenanëve, armiqësinë e ushtrisë ndaj pushtetarit musliman, izolimi i tij dhe i anëtarëve të qeverisë së tij duke ndihmuar grupet ushtarake të liberalëve dhe të krishterëve, dhe të disa prej atyre që interesi i tyre është dynjaja; dhe ajo që u organizua pas kësaj duke futur vendin në sprova dhe gjaqe pasojat e së cilave nuk dihen; dhe ajo që Allahu na ka treguar rreth obligueshmërisë së predikimit të së vërtetës dhe ndalimit të fshehjes së diturisë, ka thënë i Lartëmadhëruari (përkthim i përshtatur): “Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë.” Kështu që, unë do të shpjegojë këtë që vijon:

Së pari: Prej gjërave të përcaktuara me ligjin sheriatik është ndalimi i lejimit të ngritjes kundër pushtetarit musliman, dhe ndalimi i heqjes dorë prej bindjes ndaj tij. I dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush sheh nga emiri (udhëheqësi) i tij një gjë të cilën e urren atëherë le të bëjë durim, sepse nuk ka kush i cili përçan xhematin qoftë edhe një pëllëmbë e pastaj vdes, veçse do të vdesë vdekje injoranti.” (Muttefekun alejhi). Ndërsa në verzionin e Muslimit: “sepse nuk ka kush prej njerëzve që del qoftë edhe një pëllëmbë nga pushteti dhe vdes në këtë gjendje, veçse do të vdes vdekje injoranti.” Ndërsa në Sahihun e Muslimit: “kush heqë dorë nga bindja (ndaj një pushtetari) do ta takojë Allahun në Ditën e Gjykimit pa asnjë argument mbështetës.” E nëse dikush do të debatonte se kjo ka të bëjë me një kontratë shoqërore dhe lejohet prishja e saj, atëherë them: A mos vallë ka qenë marrëveshja e besimtarëve ndaj prijësve të tyre, në të kaluarën dhe në të tashmen, veçse një marrëveshje për të cilën Allahu obligoi besnikërinë ndaj saj: “O ju të cilët keni besuar! Përmbushni detyrimet!”

Së dyti: Ata të cilët janë ngritur kundër pushtetit dhe e kanë rrëzuar kryetarin dhe ata që kanë prezantuar në këtë të keqe dhe e kanë përkrahur atë, janë të obliguar me pendim tek Allahu i Lartësuar, duke u larguar nga kjo vepër e tyre; t’ua kthejnë hakun atyre që u përket; ata që kanë bërë agresion dhe dhunë ta shpallin haptas padrejtësinë që ua kanë bërë atyre që janë në hak; (janë të obliguar) të ndjejnë keqardhje për pjesëmarrjen e tyre në këtë padrejtësi të qartë; dhe të jenë të vendosur se asnjëherë nuk do të kthehen më në këtë vepër, sepse pendimi i obligon gjërat e mësipërme, dhe tërheqja (pendimi) i fajtorëve para se të forcohen e ka domethënien e vet, e kur koha të kaloj, e gjaqet të rrjedhin, atëherë kjo bëhet më e vështirë, dhe fajtori duhet të mirren në përgjegjësi për krimet e tij, sepse prej çështjeve më problematike prej të cilave nuk kanë rrugëdalje njerëzit është derdhja e gjakut të ndaluar pa asnjë përgjejgjësi, ashtu siç po ndodhë tani.

Së treti: Trazira e cila është ndezur në Egjipt është një trazirë e cila nuk ka ndonjë shëmbëlltyrë. Përkrahës të saj janë grupi agresor i sekularistëve, të krishterëve dhe rebelëve, të cilët nuk dëshirojnë udhëheqës që kanë ngjyrim Islam. Ata janë përgatitur për agresionin e tyre me muaj të tërë, siç është bërë e qartë tani, dhe e kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre qoftë edhe ndaj atyre që kanë qenë me ta me deklaratat e tyre, dhe në rrëzimin e kryetarit të tyre kanë participuar edhe ata që kundërshtojnë menhexhin (metodologjinë) e tyre. Prandaj, e kemi obligim që të kundërshtojmë këtë rebelim duke u kundërpërgjigjur sipas mundësisë që kemi ndaj marrjes së pushtetit nga këta tiranë zullumqarë dhe duke mos i përkrahur ata, derisa të kthehet e vërteta në origjinën e saj.

Së katërti: Ata që janë në hak dhe të cilët kërkojnë kthimin e kryetarit dhe qeverisë së tij duhet të kenë kujdes e mos të hakmirren ndaj kundërshtarëve të tyre me luftë ndaj popullatës, e as të mos bëjnë bujë e vrasje në të cilat nuk zgjedhet se kush është viktima, shkon poshtë i pafajshmi për shkak të zullumqarit, dhe derdhet gjak shtesë i atyre që kërkojnë hakun e tyre në përputhshmëri me legjislaturën e tyre. Prandaj, vazhdon të jetë pjesë e fesë së besimtarit që mos të marr gjak të ndaluar, ashtu siç është transmetuar në hadith të saktë. Dhe ata duhet të vazhdojnë kërkesën e tyre dhe refuzimin e padrejtësisë, dhe përpjekjen e tyre në plotëkuptim të fjalës që të përdorin metodën paqësore dhe të lejuar sheriatikisht, derisa tu kthehet haku pronarëve të vet.

Së pesti: Populli Egjiptian në veçanti, dhe popujt arab dhe Islamik në përgjithësi, duhet ta kuptojnë se ajo që po ndodh tani në Egjipt në esencë është një përplasje në mes të legjislacionit Islam dhe legjislacionit perëndimor armiqësor ndaj Islamit, edhe në qoftë kjo një pjesë e së vërtetës. Ata duhet të kenë kujdes që mos të devijojnë mjetet informative të cilat rrotullojnë të vërtetat, mveshin të vërtetën me të kotën, trillojnë gënjeshtra e falsifikojnë faktet, pa kurrfarë frike e as turpi.

Së gjashti: Dijetarëve, thirrësve, bashkësive Islame, njerëve të ngritur të umetit, u takon të qëndrojnë në hak dhe të kundërshtojnë agresorët. Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthim i përshtatur): “Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai. Pastaj ata e hodhën pas shpine (premtimin) dhe e ndërruan atë me një vlerë të vogël. Eh, sa këmbim të shëmtuar që bënë ata!” Secili sipas mundësisë së tij dhe pozitës që e ka. Allahu ka thënë (përkthim i përshtatur): “Keni frikë Allahun aq sa të mundeni!”

Së shtati: Diplomatët e shteteve Islamike, arabe dhe botërore, si dhe organizatat ndërkombëtare shtetërore, duhet të kundërshtojnë këtë revolucion, dhe të kërkojnë prej anëtarëve të ushtrisë që të kthehen në barakat e tyre dhe çështjet t’u kthehen atyre që u takojnë, dhe haku t’u kthehet pronarëve të tij, dhe të kthehen tek populli i cili dëshiron që tu ktheheshit atyre, përndryshe shpërblimi është sipas llojit të veprave, dhe ashtu siç i trajton të tjerët do të trajtohesh. Dhe në Sahihun e Muslimit ka ardhur transmetimi se pejgamberi (Salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush dëshiron që të shpëtoj nga Zjarri dhe të futet në Xhennet atëherë le ta zëjë vdekja duke qenë besimtar në Allahun dhe Ditën e Fundit, dhe le tu ofrojë njerëzve atë të cilën ka dëshirë t’ia ofrojnë atij; e kush e zgjedh imamin dhe ia beson detyrën atij dhe i jep pasuri atij, le ti bindet atij sipas mundësisë, e nëse vjen ndonjë tjetër dhe grindet me të atëherë goditeni atë në qafë (vriteni)!”; dhe ata të cilët u kanë ndihmuar rebelëve duhet që të tërhiqen prej ndihmës ndaj tyre, sepse ky është një zullum, krim, dhe armiqësi, ndërsa Allahu e ka ndaluar padrejtësinë tek Vetja e Tij dhe e ka bërë atë të ndaluar për robërit e Tij, dhe ka thënë: “… e mos u ndihmoni në mëkate e armiqësi!”

Së teti: Vëllezërit tanë të shtypur të cilët janë në hak (në Egjipt) duhet të jenë të durueshëm, dhe ta bëjnë rregullimin e çështjeve me urtësi dhe vizion, duke iu shmangur prishjes më të madhe me prishje më të vogël, sepse ajo që ka ndodhur aty ka një urtësi të madhe një pjesë të së cilës mund ta kuptojmë mirëpo pjesë të tjera (të urtësisë) mund të mos i shohim. Dhe të jeni optimist për një përfundim dhe rezultat të mirë, sepse shpërblimi i të durueshmëve, ashtu siç ka thënë i Lartësuari: “Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore dhe perëndimore të tokës që kishim bekuar. Kështu u përmbush premtimi i bukur i Zotit tënd ndaj izraelitëve, për shkak të durimit që treguan. Ndërsa ndërtesat dhe kullat e Faraonit dhe të popullit të tij Ne i shkatërruam.” Dhe ka thënë i Lartësuari (përkthim i përshtatur): “Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Vet. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. Dhe ka thënë: “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm. (Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.”

E sa u përket zullumqarëve dhe tiranëve të cilët e përkrahin padrejtësinë e tyre, ne themi për ta ashtu siç ka thënë i Lartësuari (përkthim i përshtatur): “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).” Dhe të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave! Përfundimi i mirë u takon të devotshmëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e dhe shokët e tij, dhe mbi ata që kanë ecur në metodologjinë e tyre e që pasojnë rrugën e tyre, deri në Ditën e Gjykimit!

Prof. Dr. Naser ibn Sulejman el-Umer

Perktheu, Hekuran Helshani/tezkije

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit