0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Shpirti

Më të lexuarat

Dr Mustafa Mahmud

Një mbrëmje më ra ndërmend ta provoj dhe hulumtoj memorien time. Në një copë letër i kam shënuar të gjitha numrat që i kam mbajtur mend: numrin e pasaportës, automobilit, banesës, letërnjoftimit, numrat e telefonave të miqve dhe kolegëve, institucioneve dhe redaksive, gazetave, rezultatet e shumëzuesit dhe të shumëzueshmit, të cilat i di përmendësh dhe operimet tjera llogaritëse, të njohura intuitivisht. Pastaj e kam shkruar datën e ditëlindjes sime dhe fëmijëve të mi, vlerat stabile nga matematika dhe fizika siç është shpejtësia e dritës, zërit, shumën e trekëndëshit, shkallën e vlimit të ujit dhe tërë atë që e kam mësuar në Fakultetin e Mjekësisë: përqindjen e sheqerit në gjak, numrin e rruzave të kuqe e të bardha të gjakut, sasinë e gjakut në trupin e njeriut, numrin e pulsit dhe frymëmarrjes normale e tjera. Për një kohë të shkurtër para vetes kam pasur disa faqe me qindra numra, të cilët i rikujtova dhe të cilët, si vetëtimë, kaluan nëpër memorien time – sikur të isha llogaritës elektronik.

Edhe vetë kam qenë i habitur! Si kam mundur të mbaj në mend kaq numra, kur çdonjëri ka qenë gjashtëshifror ose shtatëshifror. Pyetesha ku janë të vendosur këta numra në qelizat trurore dhe si pason rimemorimi i tyre momental? Pastaj kam menduar se si këta numra me radhë dhe ndaras janë radhitur; me çdo numër është edhe komenti përkatës i cili e shpjegon dhe definon. Pyetesha se si në memorien tonë grumbullohen me qindra e qindra numra të tillë e nuk përzihen, as nuk e fshijnë njëri tjetrin?

Përveç numrave memoria jonë është përplot me emra, terma, fjalë, forma dhe fytyra të mbajtura mend. Nuk i kemi harruar panoramat e vendeve dhe shteteve nëpër të cilat kemi kaluar dhe vizituar. Me disa erëra është e lidhur fotografia e femrës të cilën e kemi njoftuar, ose pamja e cila na rikujtohet, vjetërsia e romanit, skenarit me mijëra kuadro, ushqimet dhe aromat. E shikojmë ushqimin dhe momentalisht, nga dëshira për të, na “rrjedh” nga goja ose ndjejmë instinkt për vjellje. Me shijen e ushqimit e vëmë në lëvizje shiritin manjetofonik, i cili fillon të flasë mbi një gosti të pasur, ose gëlltitja e ilaçit të idhët na përkujton në sëmundjen e gjatë dhe dhembjet e mundimshme. Madje memoria na e ka ruajtur kujtimin mbi flladin dhe aromat e guacave bregdetare e era e lehë dhe e freskët në këtë na përkujton sikur këtë krejt sërish po e përjetojmë. Zërat, pëshpëritjet, zhurma, britma, apeli për ndihmë dhe të qamurit na përkujtojnë në diç. Rasti i njëjtë është me ndonjë takt muzikor, strofën e vjershës, flakareshën, goditjen me shkop shpinës dhe psherëtimën e dhembshme. Tërë këtë e ka mbajtur mend memoria dhe në kartonin e vet informativ kujdesshëm dhe besueshëm e ka shkruar: datën, rrethanat, emrat e personave, shkakun e ngjarjeve, deklaratat e dhëna… Kjo është ajo mrekulli (mu’xhize) të cilën e quajmë memorie.

Me vete e kemi kontrolluesin e vërtetë, i cili, sikurse me pendë nëpër letër, shënon në zemrat tona çdo gjë, e edhe çdo hap të bubrrecit.
Nganjëherë mendojmë se diçka kemi harruar, por së shpejti zbulojmë se jo, dhe në çastin e plogështisë dhe gjysmëgjumësisë, befasisht dëshmohemi se kjo te ne është prezente. Ndonjëhere kjo na ndodh, derisa jemi te psikiatri, ose kjo rastësisht “nga gjuha na ikë”, ose këtë joqëllimisht e diktojmë.

Asgjë përgjithmonë s’është harruar, asgjë pakthim s’është humbur. E kaluara, pa kontestim, është shkruar dhe këtë me radhë, moment pas momenti, një e rrahur e zemrës pas tjetrës.
Është pyetje e madhe ose fshehtësi hutuese ku janë të rregulluara të gjitha këto fotografi, ku është vendosur tërë ky aktiv sekret? Kjo është pyetje në të cilën janë orvatur të përgjigjen shumë shkencëtarë dhe shumë filozofë.

Filozofët materialistë kanë thënë se fuqia e memories është në tru dhe se qenësia e memories është në ndryshimet kimiko – elektrike, të cilat zhvillohen në materien e trurit si pasoja të veprimit nervor në ndodhitë (e jashtme). Saktë, ashtu siç ndodh kjo me shiritin manjetofonik me rastin e incizimit. Me fjalë tjera, këto ngacmime të regjistruara deponohen në tru dhe ato, në çastin e orvatjes së rikujtimit automatikisht, besnikërisht, kthehen në kujtesë.

Sipas këtij supozimi materialist, memoria s’është asgjë tjetër përpos skalitje ose transplantim në materien qelizore trurore. Fati i memories është të zhduket dhe të derdhet, sikur që shkatërrohen ose zhduken të gjitha gravurat dhe prerjet. Me vdekjen e njeriut dhe kalbjen e qelizave trurore do të zhduket edhe memoria.
Kjo është vërtet përgjigje e thjeshtë dhe e lehtë, por njëkohësisht edhe autorët e saj i vendosi në grackë prej kah nuk mund të dalin.

Me fjalë tjera, nëse supozojmë se memoria është vetëm veprim material e cila është manifestuar në qe lizën trurore, është logjike që me çdo dëmtim material të qelizave trurore të pasojë edhe dëmtimi përkatës i memories. Nëse kështu i hyjmë këtij fenomeni – është e detyrueshme – se ekziston përpjesëtimi përkatës ndërmjet këtyre dy rasteve: çrregullimi i memories në intensitetin e caktuar duhet medoemos të manifestohet edhe në materien përkatëse qelizore, e kjo është ajo që pikërisht nuk manifestohet me rastin e dëmtimit të trurit dhe sëmundjeve trurore. Ajo që ndodh është pikërisht e kundërt prej asaj. Kështu për shembull dëmtohet qendra e të folurit, por kjo aspak nuk manifestohet në memorien e fjalës, pason paraliza e fuqisë së të folurit, respektivisht defektit në punën e instrumentit të të folurit.

Me fjalë tjera, prishja qelizore në të vërtetë është prishje e motorit, lëvizësit, por jo edhe e memories. Fotografia e fjalës në tru mbetet e shëndoshë dhe e paprekur.
Kjo na dëshmon se funksioni i trurit nuk është i njëjtë me funksionin e memories dhe rikujtimit. Truri, në këtë rast, është vetëm central i cili jep kontakt, lidhje. Ai është vetëm mjet nëpërmjet të cilit, me ndihmën e instrumentit material e shpreh fjalën, bëhet zë kumbues (tingëllues), ngjashëm siç vepron radioaparati kur radio vala shndërrohet në impulsin tingëllues, elektrik. Dhe, kur radio-aparti të prishet dhe dëmtohet, kjo nuk do të thotë se defekti është te radio valët ose te emisioni, porse ky defekt është shkaktuar në membranën e radio-marrësit i cili krijon zë. Mirëpo, vala funksionon dhe mund ta pranojë radio marrësi tjetër, në gjendje të rregullt.

Rasti i tillë është edhe me memorien, ajo është prëmbledhje e pavarur fotografish, idesh dhe pikëpamjesh, e cila është e vendosur dhe gjendet në shpirt, e kurrsesi në tru ose trup. Truri s’është tjetër përpos një mjet, nëpërmjet të cilit këto fotografi transmetohen në mënyrë që, në botën materiale, të bëhen fjalë tingëlluese dhe të theksuara. Së këndejmi, dimë se aftësia e të folurit do të goditet nëse trupi dëmtohet, por kjo nuk do të jetë në rastin e memories, sepse ajo është çka edhe shpirti dhe nuk do të reagojë siç reagon trupi i njeriut. Pandaj, trupi dhe shpirti nuk janë sinonimë, një e njëjta gjë. Këtu e kemi të ashtuquajturin dualizmin fenomenal: një është trupi (materia) e tjetër është shpirti.

Në rastet e harresës së pjesërishme, në të cilat njeriu i harron ngjarjet nga periudha e caktuar kohore, i sëmuri e harron një periudhë kohore, e humb nga vetëdija e vet dhe zhduket nga memoria e tij. Në shembujt e këtillë, në pajtim me teorinë materialiste, e obligueshme do të ishte të pasojë edhe dëmtimi i pjesërishëm i trurit, periudhës përkatëse të harresës. Mirëpo, dimë nga përvoja se këto kryesisht janë rastet e shok gjendjes (çrregullimit) të përgjithshme psikike, e jo dëmtimit të pjesërishëm të qelizave të trurit.

Për herë të dytë, edhe në këtë shembull, po bindemi se nuk ekziston sinonimia fenomenit të harresës dhe dëmtimit material, fizik.
Në rastet e dëmtimit të rëndë material, truror, në qoftë se ka të bëjë me thyerjen, kalljen ose sëmundjen tumorite, kur lind harresa totale, gjithnjë vërehet se kjo harresë përparon rrjedhës së caktuar: më së pari fillon të harrohen emrat e përveçëm, e më së voni harrohen foljet. Nëse tash, kemi parasysh se kjo harresë e shkallëzuar ka lindur për shkak të dëmtimit i cili nuk ka qenë i shkallëzuar, në këtë rast e kemi edhe një argument në mosmarrëveshje, joidentitet të dy nocioneve të larttheksuara (trupit dhe shpirtit), sepse dëmtimi i memories, në raport me rrethin e veprimit, intensitetin dhe shkallëzimin, nuk ka lidhje me dëmtimin material të trurit.

Përsëri vimë deri te konkludimi se teoria materialiste mbi memorien është e paqëndrueshme. Përsëri u gjetëm para fenomenit i cili është sipër trupit të njeriut dhe qelizave të tij të trurit.
Së shpejti qelizat e trurit do të vdesin dhe prishen (kalben), e memoria me të gjitha detajet e veta do të mbesë e gjallë duke na rikujtuar, në jetën tonë tjetër, shpirtërore në të gjitha veprat të cilat më parë i kemi filluar.

Në të vërtetë, trupi i njeriut në këtë botë, materiale, s’është asgjë tjetër veçse zbatues dhe manifestues i qëllimeve. Trupi ka qenë vetëm instrument i shpirtit dhe i nënshtruar atij, e truri vetëm central dhe tel ngjitës. I tërë roli i trurit përbëhet prej asaj që të bëjë (zhvillojë) bashkim prej botës shpirtërore në materiale, ose, siç e thotë këtë filozofi Bergsoni: “Donner la communication”, dmth, të jepet kontakti, lidhja. Me fjalë tjera, “fijet nervore” e transmetojnë atë që shpirti e fsheh dhe e transmeton nëpërmjet impulsit elektrik në mënyrë që, në anën tjetër të përçuesit, organi i gjuhës ta komunikojë. Pra, atë të njejtën që e bën radioja nëpërmjet radio-valëve. Në këtë mënyrë, deri sa ende jemi trupa, e zhvillojmë komunikimin gjuhësor. E kur trupat të vdesin, na mbeten shpirtrat që ta rikujtojmë çdo moment, çdo shkronjë, t’i rikujtojmë të gjitha qëndrimet (sjelljet) të cilat (në shpirt) janë regjistruar.

Ekzistojnë hipoteza shkencore të cilat shkojnë edhe më larg se kjo, se njohja jonë e kësaj bote në të vërtetë është vetëm rimemorim i dijes kaherë të arritur, në shpirt të deponuar dhe të regjistruar. thënë më tekstualisht, kjo njohje nuk është ajo nga tabela e shkollës. Sipas këtij supozimi për ne njohja 2 x 2 = 4 nuk është e re. Ne me këtë njohje jemi lindur, e (në shkollë) vetëm e kemi përsëritur. Rasti i tillë është me të gjitha aksionet matematikore, gjeometrike dhe logjike. Të gjitha këto njohuri te ne janë të “deponuara”, ne me to lindemi dhe ne vetëm i përtërijmë. Në Këtë supozim shkencor udhëzon përvoja e përditshme e kësaj bote.

Diç e ngjashme është edhe me personalitetet, individualitetet tona. Me to lindemi ato te ne janë të shënuara, ne i bartim në shpirtërat tonë. Tërë procesi përbëhet prej asaj që realiteti i kësaj bote ofron raste, rrethana dhe modelim material në mënyrë që ky personalitet të përcaktohet mbi të mirën apo të keqen dhe që të caktohet kuptimi i veprimit të tij. Ky caktim, ose klasifikim, kryhet në këtë botë.

Kjo është ajo përgjegjësi në bazë të secilës fe, pas sprovimit dhe përvojës së kësaj bote, mëkatarit ia varin për qafe dhe e klasifikojnë lajthimin e tij. Çfarë do të jetë njeriu, All-llahu këtë e ka ditur edhe më parë, por kjo është e ashtuquajtura “dituri pasive”, e jo aktive, sepse All-llahu, edhe pse e di çdo të bëjë njeriu, kjo dituri askend s’e obligon as detyron në të keqe; të gjithë njerëzit sillen sipas natyrës së tyre të brendshme, dhe se veprimi i tij do të jetë pasqyrim (reflektim) i subjektit të tij. Këtu nuk ka kurrfarë fatalizmi(1) sepse kjo natyra e brendshme njerëzore është si edhe ndërgjegjja (damir), nganjëherë e quajmë ide sekrete (seriretu), ndonjëherë zemër (fu’âd), e All-llahu e ka quajtur fshehtësi, e në Kur’an thotë: ja’lemu s-sirre we ehfâ, , dmth. “Ai e di edhe atë që tjetrit fshehtë ia thua, edhe atë që vetëm e mendon”(Taha, 7).

Në zhargonin (dialektin) popullor, me rastin e vdekjes thuhet: “Doli fshehtësia Hyjnore”, dmth. shpirti i shkoi Krijuesit të vet.
Këtë të ashtuquajturën fshehtësi talismane All-llahu e bëri plotësisht të lirë kështu që të gjitha sjelljet njerëzore në të vërtetë janë, emancipimi i saj, vepra të subjektit të saj. Për këtë nuk mund të shtrohet pyetja mbi njëfarë domosdoshmërie në fushën e veprimit të njeriut sikur që janë determinizmet e luftës klasore dhe fatalizmit historik, sepse veprimtaria e njeriut është liridashëse dhe njeriu nuk është gozhdë, ose burmë e ndonjë makine.

Sikur që nuk mund të profetizojmë (parathemë) në jetën e njeriut çdo të sjellë e nesërmja, po ashtu është e pamundur të flitet edhe mbi determinizmin në bashëkësitë shoqërore dhe histori. Krejt ç’ka në këtë botë, mundemi të themi se kjo është në bazë të të dhënave statistikore, e këto janë hipotezat të cilat mund t’i qëllojnë ose gabojnë. Sepse, prognoza në bazë të statistikës lejon devijim të rëndësishëm, poshtë dhe lart. Kështu për shembull mesatarja e jetës së njeriut në Angli është gjashtëdhjetë vjet. Kjo mesatare statistikore është marrë nga të dhënat mesatare por ky konkludim nuk është absolutisht i saktë, sepse në Angli ka individë për shembull Bernard Sho, i cili ka jetuar më shumë se nëntëdhjetë vjet dhe e ka tejkaluar mesataren. Ndodh që dikush në fatkeqësi të vdesë në të njëzetën, e ndoshta edhe si fëmijë nga sëmundja infektuese.
Përveç kësaj, vetë mesatarja nuk është permanente: prej viti në vit mund të rritet ose të bjerë. Për këtë nuk është e saktë se këtu ka të bëjë mbi fatalizmin dhe determinizmin(2). Gjithashtu nuk është në rregull t’i nënshtrohet fusha e veprimit të njeriut – qoftë ajo që ka të bëjë me njeriun, shoqërinë ose historinë – shablonit teorik, llogarisë statistikore ose hipotezës filozofike.

Me fjalë tjera, ideja e gabueshme e fatalizmit rrjedh nga supozimi i gabueshëm mbi njeriun, se ai është vetëm trup, pa shpirt dhe arsye, si edhe të kuptuarit të gabueshëm se shpirti dhe arsyeja janë vetëm grumbull i funksioneve kulminante të sistemit nervor. Mendimtari materialist, në të shikuarit e rëndomtë të përditshëm të nënshtrimit të trupit ligjësive fiziologjike, do të përfundojë se njeriu dhe mbarë njerëzia është rob i ligjësive materiale. Në këtë mënyrë njeriu është vendosur si masë materiale, e ngjashme me të hënës e cila, sipas ligjësive të gjithësisë, është e detyruar në rrotullim rreth Tokës.
————————————————————————-

1Fatalizmi (fatum), mësim sipas të cilit gjithçka që ndodh në natyrë, në shoqëri, në jetën e njeriut është e paracaktuar, predestinuar dhe se njeriu nuk mund të ndikojë në ndryshimin e saj.

2Determinizmi (determinare), doktrinë sipas së cilës të gjitha dukuritë e ngjarjet kanë karakter ligjësor e kushtëzohen nga lidhje shkakore objektive; as dëshira e vullneti i njeriut nuk janë të lira.

Të tillët harrojnë se njeriu njëkohësisht jeton jetë të dyfishtë. Njëri aspekt i tij jetësor është jashtë kohorë, objektiv, material, jeton me kohën e orës sonë të rëndomtë. Duke jetuar në këtë kohë njeriu lidhet me termat kohore, obligimet shoqërore dhe jeton në robëri të ligjeve dhe determinizmit.Pjesa tjetër e jetës së tij zhvillohet në kohën e tij personale, të brendshme, kohën e emocioneve dhe fantazive. Në këtë aspekt njeriu vërtet jeton i lirë dhe persiat, imagjinon, krijon novatori dhe në raport me të gjitha rendet shoqërore dhe historinë, shikon revolucionarisht. Dhe jo vetëm kjo, por është i aftë që këtë revolucion të brendshëm ta përcjellë në botën e jashtme dhe ta ndryshojë rendin shoqëror dhe nga themeli ta ndryshojë historinë, siç ka ndodhur kjo në të gjitha revolucionet përparimtare.

Ky dualizëm jetësor është atribut me të cilin shquhet vetëm njeriu. Vetëm njeriu në natyrë mund të jetojë me jetën e vet të brendshme, të lirë. Sepse, shpirti i njeriut shquhet me kualitete të llojllojshme, të ndryshme nga qeniet dhe krijesat joorganike. Në këtë rast ne gjendemi para individit i cili me vend është i pacaktuar, pakufizuar, ai është ai “uni” njerëzor i cili është karakteristik me prezencën, vazhdimësinë, ekzistencën dhe paraqitjen e vazhdueshme në vetëdije dhe me atë ky “unë” vetëm i ka imponuar botës së jashtme dhe e ka ndërruar atë.
Ai i imponohet trupit, atë e orienton dhe drejton madje i disiplinon nevojat trupore: vullnetarisht ia imponon agjërimin dheabstenimet tjera.
Ndodh që ky “unë”, në të vërtetë shpirti, trupin si sakrificë ta shpjerë në vdekje.

Ky “unë”, respektivisht shpirti, nuk mund të jetë manifestim i rëndomtë trupor, bisht (satelit) dhe materie e tij e cila prej trupit është zhvilluar. Konfirmimi i këtillë materialist nuk na sqaron asgjë. Për këtë medoemos duhet pranuar se shpirti është mbi trupin, më i lartë se ai, substanca e tij është ndryshe nga qenësia e trupit e cila i është e nënshtruar. Ai në të vërtetë e shfrytëzon trupin si mjet për synimet e veta dhe instrument për qëllimet e veta. Diç e ngjashme sikur që arsyeja (akl) ekskluzivisht e përdor trurin për kontakt ose centralin e vet.

Është e kuptueshme dhe logjike që shpirtin e këtillë nuk mundemi ta përfytyrojmë që të sillet si trup: të vdesë, të mundë të zhduket dhe kalbet. Ai këtë nuk mundet për arsye të substancës dhe qenësisë së vet me të cilën, krejt kohën, në vetëdije na rikujton në prezencën, vazhdimësinë dhe joshkatërrimësinë e vet. Ai nuk shteret dhe nuk zhduket, siç është këtu rasti me trupin, nuk bien siç bien flokët, nuk thërmohet siç thërmohen dhëmbët. Së këndejmi, plotësisht dhe intuitivisht e përfytyrojmë vazhdimësinë e tij edhe pas vdekjes.

Nëse, tash, mendojmë mbi përgjegjësinë të cilën e ndjejmë gjatë ndonjë pune, mbi pendimin ose lehtësimin pas kryerjes së saj, përfundojmë se posedojmë kontrollin e lindur dhe idenë e fortë, e cila kujdeset mbi atë se a do të gabojmë ose do të sillemi në mënyrë korrekte. Sepse ne në mënyrë aksiomatike dhe instiktive dimë se drejtësia dhe rregullimi janë ligjësi të botës fenomenale (wuxhid) dhe se përgjithësia është rregulli i saj themelor.

Kjo ndjenjë e pashmangshme natyrale na flet se tirani, i cili i është shmangur dënimit të kësaj bote, ose dorasi i cili ka shpëtuar nga ligji njerëzor i kësaj bote, duhet të dënohet, sepse kjo botë në të cilën jetojmë, flet mbi rendin dhe rregullimin pedant, qoftë se ka të bëjë me atomin e imët ose gjithësinë e gjerë. Çrregullimi është prezent vetëm në konceptet tona, në konkludimet dhe vendimet tona të gabueshme dhe të devijuara. Ideja e drejtësisë dhe rendit si edhe e domosdoshmërisë së tyre na tregojnë në pashmangshmërinë e botës tjetër në të cilën drejtësia do të triumfojë, rendi dhe dhënia e llogarisë do të prezentohen.

Me këtë njohje ne jemi lindur dhe kjo është e vërtetë mbi të cilën na flasin instinkti dhe intuita (natyra). Për këtë as nuk është çudi që filozofi Emanuel Kanti në veprën e vet “Kritika e mendjes praktike” e pranon këtë të vërtetë. Dhe nuk është çudi që ka ardhur deri te ky përfundim pa e lexuar Kur’anin(3), sepse nuk ka nevojë që njeriu me mendje të shëndoshë ta lexojë Librin e shenjtë dhe tek ajo të mësojë se si ai, njeriu, posedon shpirt, se do të jetojë pas vdekjes dhe do të japë llogari për veprat e bëra, sepse edhe vetë mendja e shëndoshë (bon sensce) do ta shpjerë te ky realitet.

Kjo njohuri me të cilën lindemi dhe këto aksioma të cilat te ne janë të lindura, shërbejnë si orientues për të gjitha njohuritë e fituara në jetë. Ose, thënë më mirë, ato janë normativa për konfirmimin e njohurive të fituara. Me fjalë të tjera, njohuritë e fituara mund të jenë të sakta dhe të gabuara, por njohuritë e lindura janë pjesë e rendit të përkryer kozmik, a priori, e vërteta origjinale (fillestare) në dritën në të cilën i veshtrojmë të gjitha të vertetat tjera organike. Njohja e parë, e lindur është kriter, normativ, dhe nëse ai normativ nuk është në rregull, çdo gjë tjetër do të vendoset gabimisht, e kjo nuk mund të jetë. Nëse në njohuritë e lindura, intuitive dyshojmë dhe i akuzojmë, atëherë automatikisht do t’i akuzojmë edhe të gjitha njohuritë tjera e ato do të lëkunden, sepse bazohen në njohuritë e para aksiomatike.

Pra, këtu ka të bëjë me një prej bazave të njohjes në të cilat nuk guxon të dyshohet, sepse ky burim i njohjes është çka edhe vetë jeta, ky është mishi dhe gjaku i njohjes. Sikur që, duke ardhur në botë, jemi të furnizuar me gjymtyrët me të cilët lëvizim dhe ushqehemi, kështu njësoj lindemi të furnizuar me njohjet intuitive në mënyrë që nëpërmjet tyre të drejtohemi në të arbitruar gjatë të dalluarit të gabueshmes prej të drejtës.
Njohjen më të sigurtë e gjejmë në brendinë tonë. Ne më së miri e dimë pozitën tonë, edhe pa e shikuar vetveten (se a jemi duke qëndruar, në këmbë, jemi të shtrirë ose ulur). Këtë e kuptojmë edhe symbyllur e dimë nga brendia jonë. Kjo njohje është më e sigurt se cilado (njohje) tjetër eksperimentale.

Ose, kur vetvetes i thua: unë jam fatlum, unë jam fatkeq, ose unë jam i pikëllueshëm. Kjo është e vërtetë të cilën nuk duhet përgënjeshtruar me argumente logjike. E edhe orvatja që njohja e këtillë logjikisht të shpjegohet do të jetë e padobishme dhe e tepërt, sepse këtë askush s’e di më mirë sesa vetë ti. Po ashtu, me qëllim të argumentimit, na shërbejnë konkluzionet aksiomatike dhe bindjet intuitive, e kjo është shkalla më e lartë e njohjes, sepse kur lindshmëria dhe intuita konkludojnë diç të caktuar, dhe kjo të vërtetohet shkecërisht dhe idealisht – kur të gjithë ato pohojnë se ekzistojnë shpirti, arsyeja, liria, përgjegjësia, dënimi dhe shpërblimi (për veprat e bëra), kur njeriu është i inspiruar të veprojë duke e pasur parasysh se gjithësia e ka rendin dhe ligjësitë e veta, – ne atëherë jemi para argumentit i cili është më tepër sesa aksiomë. Dokumentariteti i tij, vlera dëshmuese është më e fuqishme sesa qartësia, sepse intuita është organ njerëzor, sikur edhe syri dhe me të lindemi.
Lindshmëria, intuita është më e fuqishme sesa argumentimi shkencor, sepse e vërteta shkencore në të vërtetë është statistikore, e teoritë shkencore rezultat i mesatares shifrore, deri sa gjykimi intuitiv e ka fuqinë e saktësisë jorevokuese. Kështu për shembull 2 x 2 = 4, kjo është e vërtetë jorevokuese dhe mbi këtë nuk mund të aplikohen korreksionet, korrigjimet evolutive dhe ndryshimet të cilat në vete përmbajnë teori shkencore, sepse ky është konkludim intuitiv.

Ose, për shembull 1 + 1 = 2 rezultat i cili nuk mund të jetë objekt dyshimi, pasi që është realitet i fituar nëpërmjet lindshmërisë tonë të brendshme dhe inspirimit aksiomatik. Këto janë njohuri të cilat me lindje i kemi sjellë me vete.
Sikur, të gjitha këto që u thanë më lart për shpirtin, njeriu menjëherë t’i mësonte, nuk do t’i shqetësonte as vetën as të tjerët. Me fjalë tjera, kur flitet mbi problemin e shpirtit, trupit, arsyes, trurit, lirisë njerëzore, determinizmit, përgjegjësisë dhe llogarisë (për veprat e bëra në këtë botë), po të ishte njeriu i vetëdijshëm për të gjitha këto dhe të mbështetej në pëshpëritjen e intuitës së vet, atë që ia këshillon zemra e tij dhe që ia imponon arsyeja, njeriu do t’i kursente shumë diskutime, biseda të tepërta, sofizma dhe kundërthënie.
Thërmia e sinqeritetit është më e mirë sesa grumbulli i librave. Për këtë më mirë do të ishte që ta përgjojmë zërin e sinqertë të shpirtit dhe pëshpërtijen e zemrës dhe që të mos orvatemi me intrigat e logjikës dhe me dëshmitë e dyshimta ta shëmtojmë atë thirrje natyrale. Atyre të cilët do të dyshonin në këtë konkludimin tim definitiv dhe atyre të cilët e preferojnë dialektikën, diskutimin dhe shqyrtimet logjike, u preferoj që sërish ta lexojnë këtë artikull.
——————————————————————————————————-
3-Sigurisht autori nuk është i informuar se Kanti është interesuar për Islamizmin, e si dëshmi të kësaj e cekim faktin se në kopertinën e tezës së disertacionit të tij ndeshemi me motive islame (nga Kur’ani).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit