1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Shpërthen kriza: 6 mijë divorce brenda vitit

Më të lexuarat

Teksa të gjithë preokupohen për krizat politike e ekonomike, shohim indiferencë të thellë ndaj llojit më të keq të krizave njerëzore që po përhapen në Shqipëri: krizave sociale. Ndonëse herë-herë, lajmet na ofrojnë të dhënat e një krize alarmante të tillë, përveç dy-tre komenteve të çastit, sa për të mbushur hapësirën kohore të lajmeve, asgjë nuk merret seriozisht. Shifrat mbi numrin e divorceve që na vijnë nga Gjykata e Tiranës janë shokuese, ndërkohë që, kurrfarë shqetësimi, lëvizjeje a serioziteti nuk shohim as prej shtetit, as prej intelektualëve e as nga opinioni publik.

Nga mediat mësojmë se në 7 muajt e parë të këtij viti kemi pasur rreth 1300 kërkesa për divorc në Gjykatën e Tiranës, të cilat përkthehen në 8 divorce për çdo ditë pune të saj. Gjithsesi këto shifra duken të zbutura në krahasim me ato të një viti më parë, ku u realizuan rreth 6 mijë të tilla. Psikologët në gjykata thonë se arsyeja kryesore e këtyre divorceve është tradhëtia bashkëshortore. Ajo po shkatërron familjet si një epidemi masive.

Për të kuptuar më mirë problemin po përpiqemi të bëjmë më të qartë se çfarë do të thonë këto shifra.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë, në Shqipëri ka rreth 740 mijë familje. Prej tyre, afro një e treta jetojnë në Tiranë. Kjo do të thotë se brenda një viti janë divorcuar 2.4 përqind e të gjithë familjeve në këtë qark. Po t’i shtosh arsyetimit edhe faktin se pjesa dërrmuese e këtyre divorceve ndodhin në qytet, përqindja do të dalë shumë më e lartë gjë që na ndihmon realisht të bindemi për përmasat e kësaj krize në kryeqytetin shqiptar, i cili si për ironinë të të gjithëve pretendon të jetë në avangardë te ndryshimeve sociale, duke i ofruar të gjithë vendit modelet e tij shoqërore si standarde të zhvillimit. Me këto ritme, do të vijë një moment kur kjo sëmundje nuk do të ketë lënë familje pa prekur dhe shanci për një martesë të lumtur do të jetë një BINGO.

Në një vështrim më njerëzor do të shihnim dramën e 12 mijë njerëzve të zhvilluar brenda një viti, e cila merr përmasa të frikshme po t’i shtosh edhe masën e madhe të padukshme të familjeve që mbahen me zor, teksa e kanë humbur kuptimin e tyre, apo edhe të atyre që kanë pranuar burgun familjar për shkak se hesapet u dalin më keq me divorcin. Të gjitha këto ndodhin çdo ditë para hundës sonë, pa u bërë kurrë shqetësime serioze publike. Kjo është një dramë e pëditshme që nuk alarmon askënd. Ajo nuk shfaqet ne faqet e gazetave, dhe as ne ekranet e lajmeve. Kjo mund të jetë vërtetë tragjedia më e madhe e shoqërisë së sotme shqiptare, më e madhe se ajo e Gërdecit, Otrantos, Himarës etj. apo edhe vetë 97-s. Por sot për të askush nuk vajton e mban zi, dhe as që e çan njeri kokën .

Duhet thënë gjithashtu se kjo është mrekullia e modernitetit shqiptar. Këto janë pasojat e mjedisit ndotur social që kemi krijuar me isntitucionet tona arsimore, mediat, tregun, etj. Ky është dështimi i kësaj shoqërie për të formuar individë të shëndetshëm, për të edukuar njerëz, për t’i motivuar ata drejt një jete të shëndetshme e të virtytshme. Në thelb, ky është dështimi i liberalizmit ideologjik e moral që po përqafohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Ky është produkt i materializmit të egër që i ka tharë shpirtërat e njerëzve, duke i paaftësuar ata për të qenë bashkëshortë apo prindër të mirë. Ky është produkt, kyresisht i mediave të çoroditura që janë ç’edukatorët më të mëdhenj të rinisë shqiptare duke ofruar modelet e një jete të mbushur me hedonizëm konsumerist e materializëm.

Të gjitha këto kultivojnë egoizëm, duke i bërë njerëzit që vetëm të kërkojnë e jo të japin. Ai i bën ata të paaftë të sakrifikojnë për familjen e tyre, e cila nuk mund të ndërtohet pa individë të gatshëm për t’u përmbajtur nga qefet dhe trillet e egos. Për këtë arsye ata nuk mund të jenë dot familjarë të mirë, gjë që premton një të ardhme të palumtur. Kjo është tragjedija jonë, e cila po përhapet me ritme katastrofale, duke zymtësuar jetët e njerëzve në mënyrë të padukshme. Jemi të gjithë viktima të një sistemi që na bën të zgjedhim me duart tona paaftësinë për të jetuar. /ezani/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit