-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Shpargu dhe dobitë e tij

Më të lexuarat

Shpargu (Asparagus densiflorus). Shpargu është një bimë që kultivohet si perime dhe përdoret për dekorimin e gjellëve. Llojet e shpargut të egër hasen shpesh në klimat e ngrohta në mbarë botën. Lulet e shpargut kanë një ngjyrë të verdhë në të gjelbër dhe çelin në qershor dhe korrik. Shpargulli është një bimë barishtore shumëvjeçare. Farat e shpargut mbillen në pranverë, ndërsa i nevojiten 4 vjet deri sa të arrijë në madhësinë për vjelje e korrje. Edhe pse është një kohë e gjatë e pritjes për të korrur, një arë me shparg mund të jap prodhim për 20 vjet. Në qoftë se shpargu nuk korret dhe mundësohet rritja e tij natyrore, ai mund të arrij një lartësi deri në 170cm, pas fletëve të holla në formë gjilpëre çelin lulet e vogla me ngjyrë të verdhë. Këto lule më pas shndërrohen në fruta me ngjyrë të kuqe. Shpargu, që njihet prej kohërave antike greke dhe romake, është një perime e pasur me vitaminat A, B1, B2 dhe C si dhe me sheqer, yndyrë dhe minerale të ndryshme. Nga shënimet historike nënkuptohet se Perandoria Romake kishte një flotë të përbërë prej anijeve të posaçme që kishin për detyrë vetëm mbledhjen e shpargut. Shpargu në Evropë u bë i famshëm në Angli dhe Francë në shekullin e 16-të, ndërsa në Amerikë kjo bimë kaloi me kolonët. Ndërkaq në ditët e sotme më së shumti ai kultivohet në Kinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë dhe Itali. 

Lloji më i njohur në mesin e shpargut për dekorim është ai i shpargut tyl për shkak të hollësisë së tij. Për shkak të pamjes së tij ai kultivohet në saksi. Fletët e shpargut tyl përdoren mjaftë gjatë përgatitjes së tufave të luleve. Gjella që gatuhet më së shumti nga shpargu është supa. Ndërsa sallatave shpargu u jep një shije të veçantë, ndërkaq në gjellë zakonisht ai gjendet pranë mishit, për shkak të shijes së tij.

Besohet se supa e shpargut ndihmon në uljen e ënjtjeve të këmbëve dhe duarve. Në kuzhinë dhe për shërimin e sëmundjeve përdoren trupi, rrënja dhe gonget e shpargut. Kjo bimë është edhe një diuretik mjaft i mirë, ai ndihmon në pastrimin e kanaleve të urinës dhe në nxjerrjen e ujit të tepërt nga organizmi. Krahas këtyre veçorive të mira, nëse ekzagjerohet me përdorimin e tij, shpargu mund të shkaktojë dëmtimin e kanaleve të urinës. Për këtë arsye personat që kanë probleme me veshkat nuk duhet ta përdorin shpargun. Kjo bimë në të njëjtën kohë lehtëson tretjen e ushqimit, forcon nervat dhe ndihmon në çlodhjen mendore. Ai ndihmon në funksionin e mëlçisë dhe forcon sytë dhe zemrën. Dihet gjithashtu se pastron gjakun dhe ndihmon në shërimin e puçrrave dhe problemeve të lëkurës

Në pranverë shpargu së bashku me barishtet e tjera të stinës zë vendin e tij në treg. Ekspertët këtë bimë e vlerësojnë si bimë e botës së vjetër. Në Azi dhe Evropë janë të njohura rreth 100 lloje të shpargut.

Prodhimi i shpargut mund të bëhet me lehtësi në zonat e Egjeut, Mesdheut dhe Marmarasë, madje ekspertët thonë se ai mund të jetë më fitimprurës se produktet tjera bujqësore. Edhe pse investimi i parë për bujqit është mjaftë i lartë, shpargu është një bimë e kërkuar dhe që ka treg në botë.  Mjekët në Kinë shpargun e përshkruajnë si ilaç për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë. Dobitë e shpargut për mëlçinë janë të njohura qysh prej kohërave të lashta. Gjatë kohës kur Ataturku ishte i sëmurë në Turqi shpargu u mboll në një sipërfaqe prej 5 dynymëve, por më vonë kultivimi i tij u la pas dore. Viteve të fundit me orientimin e njerëzve drejt natyrës, shpargu tani preferohet edhe nga ana e mjekëve.

Mirëpo çfarë duhet pasur kujdes gjatë blerjes dhe ruajtjes së shpargut? Do të ishte mirë që gjatë blerjes të shpargut të vihet re që majat e tij të jenë të mbyllura, të ketë një trup me një ngjyrë të gjelbër të shkëlqyer. Në qoftë se majat e shpargut kanë filluar të vyshken, atë mund ta freskoni nëse e fusni në ujë të ftohtë. Propozohet që shpargun ta mbani të njomë deri në kohën e përdorimit për gatimin e gjellëve. Shpargun mund ta ngrini, por do të ishte më mirë që mos ta shkrini para përdorimit. Në qoftë se shpargun e blerë nuk mendoni ta përdorni menjëherë, atëherë priteni shpargun në fund dhe futeni në një enë të mbushur me ujë në gjendje vertikale. Nëse mendoni që ta ruani për një kohë më të gjatë, atëherë shpargun mbështilleni me një letër të pastër dhe vendoseni në një qeskë plastike dhe ruajeni në frigorifer. Në këtë mënyrë shpargun mund ta ruani më së shumti 5 ditë. Për më tepër mund të përdorni konservat e shpargut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit