Edhe viti 2013 Komunën e Dragashit e ka gjetur pa e rregulluar çështjen e arsimit. Në shumicën e fshatrave të Gorës mësimi zhvillohet edhe me plan-programe të Kosovës edhe me ato të Serbisë. Plan-programi në gjuhën serbe dhe financimi i mësimdhënësve po ashtu nga Serbia paraqet shqetësim për mësimdhënësit goranë dhe ata shqiptarë. Madje nxënësit e shkollës së Restelicës tregojnë se po kanë fërkime ndërmjet komuniteteve.
Po bëhen 14 vjet që nga përfundimi i luftës, ndërsa në Komunën e Dragashit ende kanë mbetur të pa zgjidhura problemet në arsim. Në disa fshatra të Gorës të banuara me popullatë të përzier, gorano-boshnjake dhe shqiptare, mësimi po zhvillohet edhe në gjuhën serbe.
Të joshur nga pagat e majme të Beogradit, drejtuesit e institucioneve arsimore paralele vazhdojnë të punojnë me plan-programe serbe. Në shkollën e fshatit Restelicë ka rreth 500 nxënës prej të cilëve mbi 200 i ndjekin mësimet në gjuhën serbe, transmeton RTK.
Zëvendësdrejtori i shkollës, Shaban Haxhi nga komuniteti goran me një ton të lartë nuk hezitojë t’i kritikojë institucionet e vendit për të cilat thotë se është dashur të jenë më këmbëngulëse.
E njëri nga mësimdhënësit shqiptarë të kësaj shkolle, Fadil Bahtijari, i cili bën me shumë se 80 kilometër rrugë në ditë për të shkuar nga fshati i tij, Bellobradi deri në Restelicë, thotë se ndonëse po punojnë bashkërisht në të njëjtin objekt nuk kanë pas ndonjë fërkim mes vete sa u përket plan-programeve.
Por, për dallim nga ky mësimdhënës nxënësi i shkollës së Restelicës me përkatësi gorane, Azmir Hoxhaj, tregon për incidentet e kohëpaskohshme që ndodhin në shkollë.
Drejtuesit e lartë të arsimit në Dragash mbesin me shpresë se ky problem do të gjejë zgjidhje në një të ardhme të afërt, marrë parasysh edhe bisedimet që po zhvillohen midis Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/