27 C
Pristina
Saturday, September 28, 2024

Shkëndija që i vuri flakën botës arabe

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Shkëndija që i vuri flakën botës arabe

Një natë para se Bu Azizi ti vërë flakën vetes, shkëndijat e të cilës mbërritën në të gjithë vendet arabe, i kishte thënë nënës së tij se portokallet, hurmat dhe mollët që do të shiste të nesërmen, ishin ndër më të mirat që kishte pasur ndonjëherë. Ai i kishte premtuar se me paratë që do të fitonte, do i blinte asaj një dhuratë. Në fund, ai kishte shtuar:”Nesër do të jetë një ditë e mbarë.”
Kishte shumë vite që Bu Azizi i fliste nënës së tij mbi korrupsionin në tregun e fruta perimeve, vend i frekuentuar shumë nga forcat e rendit, të cilët përvetësonin njëra pas tjetrës qeset me fruta nga tregtarët. Për të paguar as që bëhej fjalë, madje as edhe një shenjë falënderimi dhe mirënjohje nuk shihje në fytyrat e tyre. Sikur kjo të mos mjaftonte, ata talleshin dhe ironizonin tregtarët, saqë u kërkonin që qeskat e mbushura me fruta, t’ua çonin tek makinat e tyre.
Para se të lindë dielli i 17 dhjetorit 2010, Bu Azizi, duke shtyrë karrocën e tij modeste u nis nëpër rrugët e ngushta drejt tregut të fruta perimeve. Gjatë rrugës, disa forca të rendit e ndaluan dhe u orvatën ti konfiskojnë karrocën plot me fruta. Xhaxhai i tij që ishte prezent, kishte ndërhyrë për ti bindur që ta linin të qetë, pasi kështu ai fitonte bukën e gojës.
Duke parë se përpjekjet e tij kishin dështuar, xhaxhai kishte kontaktuar drejtorin e policisë përkatëse, i cili u kishte komunikuar menjëherë policëve ta linin të qetë Bu Azizin. Policët ishin detyruar ta linin të largohej, por ishin nevrikosur shumë për faktin se xhaxhai i Bu Azizit kishte komunikuar me shefin e tyre.
Hakmarrja
Pasi Bu Azizi kishte mbërritur në treg dhe kishte nisur të shesë, mbërrin Fadie Hamdi e shoqëruar nga dy policë të tjerë, të njëjtët persona që e kishin ndaluar më parë. Policja Fadie, mbush një qese me fruta nga karroca e Bu Aziz dhe e çon tek makina e saj. Mandej, kthehet dhe fillon të mbushë qesen e dytë, por këtu i ndërhyn Bu Azizi dhe ia heq qesen nga dora. Policja rreket ti marrë peshoren, por edhe atë ia rrëmben Bu Azizi. Policja duke u ndjerë ngushtë, e qëllon me pëllëmbë në fytyrë, në prezencën e mbi pesëdhjetë burrave të tjerë prezentë në këtë ngjarje. Bu Azizi, i fyer rëndë nga kjo e papritur, shpërthen në të qara, nga turpi. Sipas dëshmitarëve në treg, Bu Azizi e pyet me ngashërime policen:”Përse ma bëni këtë? Unë jam një fukara dhe nuk dua gjë tjetër veçse të punoj dhe të siguroj bukën e gojës.”
Shpërthimi
Menjëherë, Bu Azizi niset të ankohej në bashki, por atje u prit ftohtë, madje rojet as që e lejuan të hyjë, duke i kërkuar atë largohej në shtëpi dhe ta harronte si çështje. Ai kthehet në treg ku u tregon kolegëve të tij tregtarë se do i tregonte të gjithë botës mbi korrupsionin që kishte depërtuar në çdo damar të regjimit. Ai u tregoi se do i vinte flakën vetes. Një nga tregtarët, thotë:”Menduam se janë thjesht fjalë. Por disa minuta më pas, dëgjuam britma dhe ulërima të tregtarëve disa dhjetëra metra larg nesh.”
Muhamed Bu Azizi, pa thënë asnjë fjalë tjetër pas atij çasti, kishte vajtur para ndërtesës së bashkisë, ishte lyer me lëndë djegëse dhe i kishte vënë flakën vetes. Të gjithë njerëzit përreth ishin turrur ta ndihmojnë, kishin rrëmbyer zjarrfikëset të cilët kishin qenë bosh. Ata i kishin telefonuar policisë, por askush nuk kishte ardhur. Mandej kishin kërkuar ambulancën, e cila kishte ardhur vetë një orë e gjysmë pasi Bu Aziz i kishte vënë flakën vetes.
Tregon nëna e Bu Aziz:”Vendimi i tim biri për të djegur veten, i erdhi rastësisht në një moment kritik, si pasojë e fyerjes dhe poshtërimit.”
Sytë e saj u mbushën menjëherë me lot, kur i shoqi solli një mangall me prush për tu ngrohur. Prushi është mjeti i vetëm i ngrohjes për familjen e varfër të Bu Azizit. Ajo është një familje pa të ardhura, pa makina, madje edhe energji elektrike nuk ka. Por, vlen të theksojmë se nuk ishte fukarallëku shkaku që djali i tyre dogji veten, siç thekson dhe nëna e tij. Shkaku kryesor ishte lufta për më shumë dinjitet.
Shou mediatik i presidentit
Tregon nëna e Bu Aziz, se ish presidenti Ben Ali e kishte vizituar djalin e saj në spital, madje kishte bërë dhe një shou mediatik, ku i kishte dorëzuar asaj në dorë një çek prej dhjetë mijë dinarë tunizian (7 mijë dollarë). Veçse ky çek i ishte konfiskuar me të kthyer shpinën Ben Ali dhe me tu larguar mediat.
Tre javë pasi Bu Azizi i kishte vënë flakën vetes, ai vdiq nga djegiet e rënda që kishte marrë. Në muajin janar të këtij viti, u arrestua policja Fadie Hamdi.
Flakët që dogjën trupin e Bu Azizi u shtrinë dhe përfshinë të gjithë Tunizinë, mandej Egjiptin, Jemenin, Bahrejnin, Jordaninë, Sirinë, Libinë etj… Sakaq, vetë Ben Ali u arratis. /ardhmeriaonline/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit