Kërkuesit e Universitetit të Harvardit kanë arritur të ruajnë plot 704 TB të dhëna në një gram ADN, substancën që është përgjegjëse për trashëgimninë gjenetike të të gjitha qenieve të gjalla.
Kjo arritje mund të çojë në adaptimin e ADN-së si një medium ruajtës afatgjatë.
Eksperimenti, i publikuar fillimisht në journal-in ‘Science’, kishte për qëllim të provonte se ishte vërtet e mundur të ruaje madhësi të konsiderueshme të dhënash në molekulat e ADN-së.
Meqenëse të dhënat regjistrohen në çifte të veçanta nukleotidesh (adeninë-guaninë/citozinë-timinë), ADN-ja mund të ruajë më tepër informacion për milimetër kub se sa kujtesa flash apo edhe disa teknologji të tjera më të avancuara.
Vështirësia qëndron në përkthimin e të dhënave si tek ADN-ja ashtu edhe në drejtimin e kundërt. Shkencëtarët filluan punën me përmbajtjen e një libri, i cili përfshinte tekst, 11 imazhe dhe një program javascripti.
Të gjitha këto u konvertuan në kod binar. Më pas, i caktuan çdo 0 dhe 1 nga një nukleotid (bazat T dhe G =1, A dhe C = 0). Në vijim, bënë sintetizimin e fijes së ADN-së, e cila ishte 5.27 milionë baza e gjatë. Ata e ndanë fijen në pjesë më të vogla, 96 baza të gjata secilën. Në përfundim, libri ishte thjesht një pikë e vogël ADN-je e sintetizuar që peshonte sa një e milionta e një kokrrize rëre.
Leximi i ADN-së ishte pak më i thjeshtë, meqenëse nevojitej vetëm një teknologji që të bënte renditjen e pjesëve (ajo realizohet nga një ‘microfluidic chip’). Pas këtij hapi, ishte mjaft i lehtë dekodimi në kod binar e më pas në librin përfundimtar si skedar HTML. Shkencëtarët deklaruan se gabimet që kishin ndodhur ishin minimale, vetëm 10 bite nga 5.27 milionë të tilla në total.
Përveç kapacitetit të madh ruajtës, ADN-ja ka edhe dy përparësi të tjera.
E para është jetëgjatësia; ajo jeton për qindra mijëra vjet (madje edhe miliona, nëse ruhet në qelibar).
Avantazhi i dytë është fakti se meqenëse ADN-ja është thelbi i ekzistencës së jetës, shoqërite e ardhshme do të kenë gjithmonë teknologji që të mundësojnë leximin e saj (kjo duke supozuar në një farë mënyre se inteligjenca artificiale nuk do t’i japë fund njerëzimit).
Por, nga ana tjetër ka edhe disavantazhe. Së pari, kostoja – të sigurosh një aparaturë për renditjen e ADN-së është tepër e shtrenjtë. Së dyti, të dhënat nuk mund të ndryshohen më pas kodimit. (PCWorld Albanian).kohaislame