3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

SHKENCA KURANORE

Më të lexuarat

Kur’ani i Shenjtë zbriti për ta bërë njeriun të kuptojë dhe të besojë në ekzistencën e Allahut, si dhe ta orientojë në rrugën që i sjell atij lumturinë.

Kur’ani ka tri tematika kryesore: 1. Besimin tek Allahu xh.sh.; 2. Legjislacionin Hyjnor; 3. Etikën.

Mirëpo, këtu do të prekim diçka tjetër dhe pikërisht shkencën kur’anore si një mesazh për njohjen e Krijuesit.

Kur’ani në vetvete nuk është një traktat shkencor, ku i bëhet analizë shkencave të ndryshme, por një mesazh që nxit mendimin njerëzor për hulumtime dhe i lë hapësirë njeriut të reflektojë relativisht.

Në Kur’an ka kolorite të sofistikuara të një morie shkencash, mirëpo pa i trajtuar ato në detaje. Nga këto njeriu përcakton vlerën e këtyre të dhënave elementare për t’i bërë ato kompakte në teori të plota.

Kur’ani i zbulon njeriut, ose hulumtuesit, disa të fshehta që ndoshta në fillim duken si misterioze, mirëpo koha dhe zhvillimi i logjikës njerëzore është garanci për shndërrimin e tyre në ligje dhe teori të pavdekshme.

Sipas statistikave të bëra nga hulumtimet, në Kur’an është arritur në përfundimin se ka shumë ajete që flasin për shkenca të ndryshme dhe këto ajete përbëjnë një të dhjetën e krejt Kur’anit.

Ky është përfundimi i arritjes së mendimit njerëzor deri më sot, sepse shkenca e Kur’anit do të jetë e pranishme te njerëzia deri në Ditën e Gjykimit, duke i dhënë kështu shans gjithmonë logjikës të gjykojë dhe të kuptojë fuqinë e Allahut.

Kur’ani ka gjithsej 6666 ajete, të përmbledhura në 114 sure. Nga këto ajete mbi 600 janë me karakter shkencor dhe mund të themi se pothuaj nuk ka shkencë që Kur’ani të mos ketë thënë diçka për të.

Duke iu përmbajtur gjithmonë statistikave, gjejmë se prej tyre: 100 ajete kur’anore flasin për anatominë; 73 ajete i përkasin gjeografisë; 64 ajete i përkasin fizikës dhe po aq kërkimeve shkencore; 62 ajete relativitetit; 61 ajete matematikës; 36 ajete flasin për kozmosin dhe historinë kozmike; për biologjinë 26 ajete dhe 21 për bujqësinë; klimatologjisë i përkasin 20 ajete po aq dhe gjeologjisë; 14 ajete i përkasin hidrologjisë; 12 ajete bëjnë fjalë për anatominë në përgjithësi; 11 ajete sqarojnë të dhëna për galaktikën; 10 ajete për progjeninë njerëzore; 9 ajete për kiminë; 5 ajete flasin për anatominë si bazë e çdo molekule.

Duhet të kemi parasysh se të gjitha këto zbulime kanë koeficient kufizimi, i cili është arritja bashkëkohore e mendimit njerëzor.

Tani le të marrim disa prej këtyre ajeteve për t’i shqyrtuar se ç’thonë.

Allahu xh.sh. në suren Jasin, në ajetin 38 thotë: “Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar”, dhe pak më poshtë, po në këtë sure ajeti 40, thotë: “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta”. Le t’i drejtohemi tani ajetit të parë, pra “Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar”. Ky ajet vërteton lëvizjen e diellit, e cila u zbulua në fillim të shekullit 20-të dhe pikërisht para kësaj kohe njerëzit e parafytyronin diellin të palëvizshëm.

Ajeti tjetër “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta”, shpjegon qartë lëvizjen e diellit, të tokës dhe të hënës në shpejtësi dhe orbita përkohësisht të ndryshme, gjë që pasqyrohet në lindjen e ditës dhe të natës. Nga ana tjetër, shfaqja e ditës dhe e natës vërteton se toka është e rrumbullakët, sepse, në qoftë se nuk do të ishte e tillë, atëherë do të kishte vetëm ditë ose vetëm natë. Këtë fakt shkencor kur’anor e përforcon edhe më tepër një ajet tjetër ku thuhet: “Zoti i dy lindjeve dhe dy perëndimeve”. Po ç’kuptim kanë dy lindjet dhe dy perëndimet? Kur dielli është mbi hemisferën lindore, ndriçon gjithë pjesën lindore, duke e bërë dritë atë dhe hemisfera perëndimore është në errësirë të plotë, pra është natë.

Por kur arrin dielli në hemisferën perëndimore, atje e bën ditë dhe në hemisferën lindore në të njëjtën kohë është natë. Pra, shfaqja e këtyre dy lindjeve dhe dy perëndimeve bëhet brenda 24 orëve. Pra, ky ajet tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë se toka është e rrumbullakët. Kur’ani e ka thënë dhe sqaruar këtë që para 1400 vitesh, ndërsa shkenca e ka zbuluar vetëm shekullin e kaluar, pra në shekullin 20-të, duke pasur parasysh se shumë dijetarë kanë rënë viktima të gjyqeve të inkuizicionit për këto zbulime.

Le t’i drejtohemi tani një ajeti tjetër ku thuhet: “Ai i lejoi dy detet të takojnë njëri-tjetrin, ndërmjet tyre është një pengesë dhe ata nuk mund ta kapërcejnë”. Ky ajet flet për dy llojet e ujërave, uji i ëmbël i lumenjve dhe uji i kripur i deteve. Dimë se pjesa më e madhe e lumenjve e kanë shtratin mbi nivelin e detit me përjashtim të disa rasteve. Përveç kësaj, dendësia e uji të ëmbël të lumenjve është më e vogël se ajo e deteve, kështu kur derdhen lumenjtë në dete, uji i tyre rri mbi sipërfaqen e deteve dhe nuk përzihet. Amazona për shembull derdhet në Oqeanin Atlantik dhe futet 200 milje në brendësi pa i humbur vetitë.

E njëjta gjë ndodh edhe me detin e Gjirit Persik, ku brenda në det ka burime me ujë të ëmbël dhe s’përzihen ndërmjet tyre.

Kjo dukuri në dete tërhoqi njohësin më të madh të deteve, Zhak Kusto, duke e habitur atë me Kur’anin dhe ajetet e tij shkencore.

Këto nuk janë gjë tjetër veçse disa nga zbulimet e njeriut deri në ditët tona, por që Kur’ani i ka sqaruar para 14 shekujsh. Në fillim thamë se në Kur’an nuk ka teori të plota, por vetëm të dhëna që shërbejnë për nisjen e mendimit njerëzor, duke e ftuar logjikën të zbulojë të vërtetën, gjë që e bën njeriun të dorëzohet para fuqisë së Allahut dhe të zgjedhë rrugën e lumturisë.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit