1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Shkëmbime akademike Kosovë Gjermani

Më të lexuarat

DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik) ofron bursa për studentë. Vitin e kaluar (DAAD) mbështeti 96 bursistë nga Kosova, për studime, apo hulumtime në Gjermani.
Florina Haziri nga Prishtina jetoi në Gjermani prej moshës 10-të deri në 18-të vjeç. Prandaj e ndjen Gjermaninë aq afër, sa të perpiqet vazhdimisht për t´i qënë pranë, fillimisht me studimin në nivelin e parë në gjermanistikë në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj aplikimi tek Zyra Ndërlidhëse e DAAD(Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik), për bursë studimore në ndonjë universitet gjerman.

Me 2007-të ëndrra e saj u bë realitet dhe ajo dy vjet e gjysmë bëri master në Universitetin e Würzburgut. „Pata ndjenjën se isha për herë të parë në Gjermani, se tashmë isha e diplomuar, për dallim nga herë e parë, që isha si fëmijë. Ndërsa, me e veçanta në universitetet gjermane për mua ishte laramania e lëndëve dhe lëndët e shumta zgjedhore, me anë të të cilave kemi pas mundësi të thellohemi më shumë në fushat, që na interesonin. Këtë mundësi nuk e kishim në Prishtinë”, thotë Florina.
Alban Kajtazi, 33 vjeç, pas studimeve në Universitetin e Prishtinës, më një burse të DAAD-së udhëtoi për në Universitetin e Marburgut për punimin e diplomës në semestrin dimëror 2006/2007. Ndërsa me 2010, bursa studimore nga DAAD ia mundesoi masterin per Integrime Evropiane në Universitetin e Kemnicit (Chemnitz), ku u vlerësua me më shumë nga ç’priste: „ Faktikisht, universitetet gjermane ofrojnë gjithçka dhe unë mora më shumë se prita. Ndërsa përshtypja më e madhe për mua ishte marrëdhëna student-profesor, gjithmone i hapur e i gatshëm për ndihmë e konsultime, i cili nuk krahasohet me atë në Kosovë, ku profesori konsiderohet si i paprekshëm”, thotë Albani.
Vitin e kaluar nga DAAD 96 bursistë nga Kosova

DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik) që nga viti 1990 është i perfaqësuar në Kosovë me një lektorat në Universitetin e Prishtinës. Ndërsa parësore janë këshillimet ditore për bursat interesante, që ofron, thotë për Dojçe Vele-n, Katharina Ertle, lektore në zyrën ndërlidhëse të DAAD-së, dega e gjuhës gjermane në Fakultetin e Filologjisë.
„Mundësia e parë, që ofrohet, është programi i bursave për master, ku DAAD financon studim dyvjeçar për studentët, që kanë kryer nivelin e parë. Programi i dytë janë bursat hulumtuese për studentët e diplomuar dhe shkëncëtarët e rinj, të cilët pas hulumtimit disamujor në Gjermani vazhdojnë punën akademike në vendin e tyre, apo në raste të vëçanta, në Gjermani. Dhe e treta, janë bursat për kurse verore të gjuhës në Gjermani për studentë dhë të diplomuar, për çfarë nuk ka shumë interesim, meqë pjesa dërmuese e studentëve nga Kosova janë të shtyrë të punojnë gjatë verës”, shpjegon zonja Ertle, sipas së cilës vetëm në vitin 2011 DAAD ka mbështetur 110 bursistë nga shtetet e rajonit, 96 prej të cilëve nga Kosova. Ndërsa për programin e bursave 2013/2014 janë edhe 50 aplikues.
Studentë e shkencëtarë edhe nga Gjermania në Kosovë

Por e veçanta në rajon është programi i DAAD/OPI (Open Society Institute), i cili ofron bursa për master, ose doktoraturë në resurse njerëzore, shkenca sociale dhe në ato shoqërore, shton z.Ertle: „Programi per diploma master, ose doktoraturë për studentë dhe shkencëtarë nga Kaukazi, Azia Qendrore, Moldau, Ukraina dhe Evropa Juglindore ka për qëllim ndërtimin e rrjeteve ndërmjet studentëve me qëllim të rikthimit të tyre në rajon dhe përafrimit të këtyre vendeve ndërmjet vete. Dhe unë mburrem me faktin se tashmë kemi 10 bursa për Kosovë, ndërsa shpresoj për më shumë.”
Në vitin e kaluar qendruan në Kosovë 14 studentë, shkencëtarë dhe mësimdhënës të shkollave të larta nga Gjermania. „Gjithsesi kjo është e rëndësishme dhe interesante, sepse profesorët e shkollave të larta dhe fakulteteve të Universitetit të Prishtinës janë pjesë e rrjetit të Paktit të Stabilitetit dhe përmes mjeteve të projektit „Rindërtimi akademik i Evropës Juglindore“ financohen mbi 60 përqind e këtyre nevojave. Ky projekt ka për qëllim rindërtimin e urave të rrënuara gjatë luftës dhe të solidaritetit në rajon, nëpërmjet profesorëve dhe shkencëtarëve nga Gjermania. Më duhet ta pranoj se kam takuar njerëz në Prishtinë, angazhimi i të cilëve me ka prekur“, pohon Ertle.
Bashkëpunimi i UP-së me universitetet gjermanofolëse është traditë

Hana Kursani nga zyra për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin e Prishtinës thotë se të rinjtë nga Kosova janë tejet të interesuar për studime në universitetet gjermanofolese. „Kjo, për shkak se e kemi traditë të bashkëpunojmë në fushën e arsimit të lartë. Andaj, kur studentët vinë në zyrën tonë për mundësi studimi në universitete gjermane, ne i drejtojmë tek Zyra DAAD-së. Me 2012 UP ka nënshkruar me DAAD-në një projekt bashkëpunimi me Universitetin e Lajpcikut (Leipzig), i cili synon shkëmbimin në nivel të masterit, doktoraturës dhe të kërkimeve shkencore”, shpjegon Kursani.
Por për shkaqe të ndryshme shumica e studentëve s´mund t´i shfrytëzojnë këto mundësi. Prandaj, Florina dhe Albani, ish bursistë të DAAD-së, sugjerojnë hulumtim dhe kurajo më të madhe për t´i shfrytëzuar këto shanse për jetë.“Duhet më shumë publicitet nga zyra e DAAD-së këtu, si dhe hulumtim nga vetë studentët, meqë pjesa dermuese mendon se ato bursa janë vetëm për studentët e gjuhës gjermane. Prandaj, iu kisha thënë mos të hezitojnë dhe t´i shfrytëzojnë mundësitë, që ofron shteti gjerman”, porosit Albani. Ndërsa Hana shton: „Aplikoni! Mos i leni konkurset të mbyllen pa aplikantë, çfarë ndodh shpeshherë”.
Sherbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD) per vitin 2013/2014 ofron bursa për: kurse verore në Gjermani për studentë të huaj dhe të diplomuar; bursa Studimi për të diplomuarit në të gjitha disiplinat; bursa DAAD/OSI për master dhe doktorature; Bursa për studentë të diplomuar dhe shkencëtarë të rinj, si dhe qëndrim disamujor në Gjermani për punë hulumtuese për profesorë dhe shkencëtarë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit