-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shkeljet e Komunës së Deçanit për një pronë milionëshe

Më të lexuarat

Disa shkelje ligjore janë bërë për një pronë njëmilionëshe në qendër të Deçanit. Komuna e Deçanit i ka dhënë 44 hektarë në këmbim të 37 arëve tokë në qendër të qytetit me arsyetimin për ndërtim të shkollës.

Shkollën s’e kanë bërë, por e kanë dhënë me koncesion për ndërtime të larta me qëllim të fitimit të 1 milion eurove. Në ndërkohë, Dhoma e Posaçme ka marrë vendim për masë të përkohshme mbi këtë pronë.

Komuna e Deçanit e ka shkelur një vendim të Agjencinë Kosovare të Privatizimit për një pronës njëmilionëshe. Ajo, përmes procedurës së këmbimit të pronës në vitin 2012 kishte arritur që të marrë aprovimin e AKP-së për t’u bërë pronare e një prone në qytetin e Deçanit në të cilën synonte të ndërtonte një shkollë. Por, pas tre vjetëve Komuna e Deçanit e kishte kuptuar se sipërfaqja nuk ishte e përshtatshme për ndërtim të shkollës. Përmes asamblesë komunale, kjo komunë ka vendosur që prona në fjalë(Lloti-nr.6) të shfrytëzohet për ndërtimin e një objekti afarist banesor me koncesion-partneritet publiko-privat për 99 vjet.

Komuna e Deçanit pret se do të ketë një përfitim prej 1 milion eurove nga ky transaksion. Kryetari i Komisionit për Dhënien me Koncesion në Komunën e Deçanit, Agron Demukaj, thotë së interesi publik i komunës është nga përfitimet që vijnë nga objekti banesor që pritet të ndërtohet.

“Ato mjete janë të aprovuara në asamblenë komunale që do shkojnë për zgjerimin e rrugës me katër korsi”, thotë Demukaj.

Ndërrimi i destinimit të pronës e ka alarmuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila ka kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të anulohet vendimi i Komunës së Deçanit duke kërkuar që prona t’i kthehet në pronësi Agjencisë së Privatizimit.

Bëhet fjalë për 37 ari tokë në qendër të Deçanit, të cilën komuna e ka këmbyer me 44 hektarë dhe 56 ari tokë komunale në fshatin Baballoq.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Veton Hajdini,tha për Gazetën Jeta në Kosovë se bordi ka vendosur që të anulojë vendimin për këmbim të pronës.

“Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e mbajtur në muajin tetor të këtij viti e konfirmoi vendimin për anulimin e kontratës për këmbim prone me Komunën e Deçanit për arsye të ndërtimit të shkollës dhe mori vendim që të kërkojë nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPH) shqyrtimin e interesit publik të kërkesës për ndërtim të objektit banesor”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Gazetën “Jeta në Kosovë”.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, për Gazetën Jeta në Kosovë tha se parcela e këmbyer me AKP-në nuk i plotësonte as kushtet minimale për ndërtim të shkollës.

“Ne atëherë e kemi kërkuar atë parcelë për shkollë. Mirëpo kur me vonë kanë dalë inxhinierët, ka rezultuar që aty nuk ka hapësira të mjaftueshme për fusha sportive. Edhe e kemi ndërtuar një shkollë në një vend ku nuk mund të ketë aktivitete sportive për nxënës”, thotë Selmanaj për Gazetën JnK.

Pasi e kanë kuptuar se sipërfaqja nuk është e mjaftueshme dhe e përshtatshme për shkollë, Komuna e Deçanit ka vendosur që këtë pronë ta japë me koncesion për ndërtime të larta afariste. Për këtë ndërrim kishte vendosur edhe Asambleja Komunale.

Shkelja me vetëdije e vendimit të AKP-së

Ligji për Këmbimin e Pronave thotë se komunat nuk kanë të drejtë t’ua japin në shfrytëzim palëve të treta. Këto kufizime që i bën ligji kanë qenë të njohura për kryesuesin e Komisionit për Dhënien me Koncesion në Komunë të Deçanit, Agron Demukaj.

Ai thotë se kanë filluar me procedurat e dhënies me koncesion që të mos humbin kohë, përkundër që kanë qenë të vetëdijshëm se janë duke e shkelur vendimin.

“Edhe pse ne si komunë e kemi ditë që kemi afatin katërvjeçar që duhet ta presim, ne kemi marrë hapat tanë që të mos humbim kohë. Ne kemi shpallë konkursin publik për shprehjen e interesit të investitorëve në bazë të ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për 99 vjet,me qëllim përfitimi publik”, thotë Demukaj për Gazetën “Jeta në Kosovë”.

prona2

Ai tregon se procedura e iniciuar e koncesionimit në fillim të vitit, ishte ndërprerë në muajin maj të vitit 2015, pasi një gjë të tillë e kishte kërkuar Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Komuna sipas tij i ka shkruar një kërkesë AKP-së përmes së cilës kërkonte lejimin e vazhdimit të procedurës për dhënien me koncesion. Sipas Demukajt, komuna më 28 qershor 2016 ka marrë konfirmim nga AKP-ja për vazhdimin e procedurave.

“Ne prapë kemi rihapur konkursin i cili ka qenë jo 45 ditë, po 52 ditë dhe kemi zhvilluar procedurat e konkursit. Kemi një kompani që ka fituar, është si fituese e përkohshme e projektit në fjalë”, ka thënë Demukaj.

Përkundër që e kanë shpallur kompaninë fituese, Komuna e Deçanit nuk ka nënshkruar kontratë, sepse ka pritur që të kalojë periudha e kufizimit prej 4-vjetëve.Fitues i këtij konkursi publik të komunës ka dalë kompania “Fidani-L”.

“Me këtë kompani deri sot nuk kemi kontratë, sepse ne e kemi ditur se para datës 11/10/2016 nuk kemi të drejtë të bëjmë një kontratë të tillë”, thotë kryetari i Komisionit për Dhënie me Koncesion në Komunën e Deçanit.

Në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal(MAPL) thonë se kërkesa e AKP-së ka arritur në adresën e ministrisë më 12 tetor të vitit 2016.

prona3

Një ditë përpara, me datën 11 tetor, pikërisht në katërvjetorin e ndërrimit të pronave mes AKP-së dhe Komunës së Deçanit, kjo e fundit e kishte njoftuar ministrinë(MAPL) se ka shpallur fituesin për dhënien me koncesion për 99 vjet të pronës(Lloti Nr 6)për ndërtim. Ministria e Pushtetit Lokal ka reaguar pas kërkesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për anulim të vendimit të Komunës së Deçanit. Kjo ministri me datën 26 tetor të vitit 2016 i ka dërguar kërkesë Komunës së Deçanit për rishqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit.

“Komuna, brenda një periudhe katër (4) vjeçare, nuk ka të drejtë t’ia japë paluajtshmërinë ose pjesë të saj e cila i është bartur komunës palëve të treta, ose ta shfrytëzojë vetë atë, ose të lejojë shfrytëzimin nga palët e treta për ndonjë qëllim tjetër, përveç nevojave publike, me përjashtim të rasteve të vendimit paraprak të bordit”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Ministria thotë se AKP-ja ka të drejtë të anulojë vendimin për këmbim të pronave.

“Shkeljet e paragrafit 1 të këtij neni (nenit 22 të Ligjit Nr.04/l-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës)dhe në rast se komuna nuk ka pasur nevojë publike, apo ka paraqitur qëllimisht të dhëna të gabueshme me rastin e bartjes të së drejtës mbi paluajtshmërinë, atëherë Bordi i AKP-së ka të drejtë që me vendim ta anulojë bartjen e tillë brenda katër (4) vjetëve të transferit”, thuhet në përgjigjën e Zyrës për Informim të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

AKP-ja thotë të mos ketë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Pushtetit Lokal rreth kërkesës së dërguar për rastin e Komunës së Deçanit.

“Deri më tani në AKP nuk ka ardhur ndonjë përgjigje/shkresë nga MAPH-ja në lidhje me këtë çështje”, njofton AKP-ja.

Ankesa e komunës dhe veprimet e kompanisë fituese

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha për gJnK se komuna që ai udhëheq ka pranuar vendimin e ministrisë.

“Na ka ardhur vendimi i ministrisë që ne nuk kemi pasur të drejtë sipas tyre. Ne dy-tri javë jemi ngutur në këtë temë dhe ketë shkas e kanë qetu,” thotë kryetari Selmanaj.

Kreu i Deçanit thotë së do ankohet në Ministrinë e Pushtetit Lokal.

“Ne do ta kërkojmë të njëjtën të drejtë, nëse po pajtohem që dy javë ditë nuk e kemi respektuar atë(marrëveshjen), ne do vazhdojmë (me ankesë) së ajo është pronë komunale dhe duam ta shohim atë konform planit rregullativ dhe zhvillimit të qytetit. Ne duam që atë pronë ta shfrytëzojmë në interes të qytetarëve”, theksoi Selmanaj.

Gazeta ka bërë disa herë përpjekje që të kontaktojë me kompaninë e përzgjedhur nga Komuna e Deçanit për ndërtimin e objekteve shumëkatëshe në këtë pronë. Është lajmëruar, Durim Beqiraj, i cili është prezantuar në emër të kompanisë, ndërsa në profilin e tij në Facebook shkruan se është drejtor financiar në Kompaninë “Fidani”.

“Sa i përket tenderimit dhe procedurave, çdo gjë ka shkuar në rregull. Ne ende nuk kemi ndërmarrë asgjë deri me tani dhe nuk do ndërmarrim deri në vendimet përfundimtare të kësaj çështjeje”, tha Beqiraj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai thotë se kompania “Fidani-L” nuk do marrë masa ligjore ndaj komunës në rast së anulohet konkursi publik i hapur nga Komuna e Deçanit. Por, ai pret që komuna t’i kompensojë mjetet e shpenzuara ndaj kompanisë në rast të anulimit të kontratës mes tyre.

“Neve na rimbursohen mjetet qe i kemi shpenzuar, tarifat e aplikimit, nëse del që është bërë ndonjë shkelje prej anës së komunës”, tha Beqiraj.

Pretendimi pronësor i “Drinit të Bardhë”

Në ndërkohë që AKP-ja dhe komuna po kërkojnë që rikthejnë mbrapa vendimin për këmbim të pronës, në dritë ka dalë edhe pretendimi pronësor i Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë”. Ajo pretendon se prona që është objekt i kontestit në qendër të Deçanit i takon asaj. Nëse pretendimet e kësaj kompanie janë të qëndrueshme, i bie që aksionar është prapë Komuna e Deçanit.

Beqë Hadergjonaj, kryesues i Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë”, tha se pas shqyrtimit e kanë kuptuar së prona e këmbyer nga AKP-ja me Komunën e Deçanit i takon kompanisë “Drini i Bardhë”.

“AKP-ja s’ka pasur të drejtë me dhanë atë pronë, sepse s’ka qenë pronë shoqërore. Ajo ka qenë pronë publike edhe për ketë insistojmë që të kthehet në pronësi të kompanisë, sepse është aset qeveritar dhe jo shoqëror”, tha Hadergjonaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në muajin gusht të vitit 2016, “Drini i Bardhë” kishte paditur AKP-në dhe Komunën e Deçanit në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, padi të cilën gJnK e ka në posedim.

Gjykata Supreme merr vendim për masë të përkohshme që deri në vendimin përfundimtar të paditësit të mos zhvillohen procedura në kontestin e pronës.

Tashmë pretendimi i kompanisë do të shqyrtohet nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërkohë që të gjitha procedurat e ndërrimit të pronësisë duhet të ndalen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit