9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Shitësit e varrimit të tyre – Kim Mehmeti

Më të lexuarat

Shitësit e varrimit të tyre

Kim Mehmeti

“Nëpër vendbanimet tona nuk ka librari e biblioteka, por në çdo lagje ka nga një palestër për mirëmbajtjen e trupit, sepse te ne nuk është e turpshme të jesh ‘trutrashë’, por truptrashë: vashat tona nuk e vlerësojnë djalin nëpërmjet asaj që ka në kokë e shpirt, por për nga marka e xhipit që ai grahë!”

Shpesh ma bëhej sikur nëna ime do të hapte derën me brengën se do të më ndodhte ndonjë e keqe, se jashtë rrezikohesha për shkak të asaj çka shkruaja për politikanët tanë, pse shpesh përsërisja thënien se për fatkeqësinë e një populli nuk janë fajtorë vetëm njerëzit e këqij, por edhe të mençurit e të mirët që nuk e luftojnë të keqen. Pse pohoja se sa i përket të keqes shqiptare, atë e kanë ndihmuar edhe ‘ekspertët’ e relativizimit të saj, pra ata që mbështetën aleancat e ‘qelbësirave’ dhe që u bënë ‘deve’ mediatike karvanit të pushtetarëve.

E si mund ta heshtja të vërtetën se të këqijtë që na e zhvatën shqiptarinë dhe të mirët që nuk e luftuan të keqen, na bënë neve shqiptarëve të ndjehemi si popull pa mëmëdhe? Si dhe nga Tirana zyrtare të mos presim më shumë sesa të na kursejë nga turpi i politikanëve të paturpshëm. Apo të shpresojmë se burrështetasit e ardhshëm shqiptarë, në mos më shumë, të na bënin të mburremi me ta, se e dinin që sa për ta turpëruar shqiptarinë, mjaftojnë ata që ishin.

Përderisa shprehja mendimet e mia, Shqipëria u bë shtet me ministra që nuk guxonin të përzihen në punët e veta dhe me një kryeministër i cili sa nuk e kishte dhënë me qira të gjithë vendin që drejtonte dhe i cili pohonte se do i bënte presidentë e ministra shumë nga politikanët që jetonin jashtë kufijve të mëmëdheut, por kryesisht ata që i dallonte inferioriteti ndaj tij dhe injoranca politike.

Ndërkohë ne shqiptarët që jetonim jashtë kufijve të mëmëdheut vazhdonim të ëndërronim një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo që pas tri dekadash nga rënia e socializmit, ishte zhytur në baltën e grindjeve ndërpartiake, nga ajo e zhurmës së spektakleve televizive që prodhonin amoral dhe paturpësi, zhurmë që kishte thuajse vetëm një qëllim: të mbulojë burrështetasit hajdutë, ata që e kishin kuptuar se jo vetëm shoqëritë autokrate, por edhe shumë nga ato të tipit demokratik, më shumë e parapëlqejnë hajnin e dëgjueshëm, sesa të drejtin kokëfortë.

Thënë edhe më qartë: në dekadat e para të shekullit XXI, shqiptarisë i mungonin burrështetas që lënë gjurmë në faqet e ndritura të historisë shqiptare, vetëm atëherë kur kombit do t’ia kthejnë ndjeshmërinë ndaj fatit kolektiv, pra vetëm nëse do të ishin e kundërta e atyre që ishin arrogantë e mospërfillës ndaj fatit të popullit të vet. E që ishin të atillë sepse nuk e njihnin të vërtetën për popullin e vet, sepse shqiptarinë e shihnin me syzet e Beogradit dhe nga dritaret e restoranteve të Dubait.

Pa marrë parasysh dëshirat dhe pritjet tona, çdo gjë do të varej nga brumi njerëzor i gjeneratave të reja të politikanëve që do të vinin, nga e vërteta se nga një politikan i keq mund të bësh një njeri të mirë dhe se nga një njeri i keq nuk mund të bësh një politikan të mirë. Siç nuk kishte dyshim se burrështetasit e Shqipërisë së fillimshekullit të XXI mbeten të pandjeshëm ndaj së vërtetës se vendi po çshqiptarizohet po aq ngutshëm sa edhe gjitha trojet tjera shqiptare, me çka mëmëdheu u bë vend i vështirë për tu jetuar, por i lehtë për të të vrarë. Vend ku fëmijëve nënat nuk ua mësojnë dashurinë ndaj popullit të vet dhe vendit ku kanë lindur, por udhët që do t’i çonin drejt shteteve që ishin e kundërta e asaj që u bënë “Shqipëritë’ tona: vende që u takonin qytetarëve e jo pushtetarëve.

Kur i shihja nënat shqiptare që rrisnin fëmijë për t’ia dhënë Perëndimit, mua më rikujtohej djepi ku ishim rritur ne, siç më rikujtoheshin edhe ninullat e nënës. Nga ajo fanepsje më vinte një mllef që më çonte të mos ndjehesha mirë përderisa shëtisja rrugëve të Tiranës .

Shëtitjet rrugëve të Tiranës nuk mund ta shmangnin nga unë ndjenjën se kryeqendra e shqiptarisë e kishte harruar fytyrën e vet të vërtetë. Se ashtu si edhe shumë vashat me buzë e gjoks të fryrë – që shëtisnin rrugëve të qytetit – me asgjë nuk t’i rikujtonte ‘prindërit’ që e kishin lindur, por ‘kirurgun’ që ua kishte rregulluar pamjen.

Po, Tirana e dekadës së tretë të shekullit XXI dukej si qytet pa të shkuar, ku banorët e saj të vjetër ngushëllohen me thënien se ka edhe më keq, pa u përballuar me të vërtetën se është arritur deri aty ku mbase edhe më keq nuk ka më. Se kjo kryeqendër, njësoj si edhe i tërë shteti, ishte bërë pjesë e spektaklit dhe gënjeshtrave ulëritëse që kishin për qëllim narkotizimin e popullit, që donin të mbulonin kriminalizimin dhe plaçkitjen e vendit, që kishin bënin çmos të fshihnin varrosjen e moralit dhe të vlerave familjare.

Tirana e asaj kohe, në të vërtetë, pasqyronte realitetin në të cilin vlerë mbi të gjitha vlerat ishin prapanicat e ‘kardashianeve’ tona, ngjarje kulturore ishin dasmat e ‘VIP–ave’, ndërsa ditë festash mitingjet partiake, mitingje ku populli lirshëm e jetonte varfërinë e vet dhe gjithashtu, lirshëm u duartrokiste politikanëve injorantë e hajdutë, atyre që para syve e gënjejnë dhe e plaçkitin.

Pa dyshim, sa më jetë të gjatë politike të kishin ata që e kriminalizuan Shqipërinë pas rënies së komunizmit, aq më jetëshkurtër do të ishte e vërteta për Tiranën, së cilës i rrënuan Teatrin Kombëtar dhe shumëçka ‘përdhese’, për ta lartësuar me kullat që nuk e lejonin diellin të shihte tokën në të cilën thelloheshin rrënjët shekullore të këtij qyteti. Tirana dukej si qytet i zaptuar nga ‘armiku’ që urren popullin autokton, që bën çmos që vendasit të mos e kujtojnë të shkuarën e vet, t’i harrojë sunduesit dhe ndërtuesit e vet të mëparshëm. Ndërkohë, banorët e atyshëm dukeshin të lodhur duke treguar se cilët ishin dhe nga vinin, mbase pse e shihnin dhe ndjenin se kishin mbetur pa asgjë që mund të dëshmonte se nga vijnë dhe të kujt janë.

Kështu pra, më ndodhte që duke shëtitur lagjeve të Tiranës të kuptoja se ky qytet nuk guxonte të ‘tregonte’ e të pranonte se ishte marrë peng nga ata që pushtuan mediat, nga ata që donin të dëgjohej vetëm e vërteta e tyre. Me çka më së miri dëshmonin sa nuk e dinë se sundues i gjithëfuqishëm është vetëm ai që ia lejon popullit t’i thotë të gjitha që i mendon. Tirana duket si e dhunuar, asfare nuk i ngjante vetvetes, duket se ka bërë çmos që ta pëlqejnë të huajt e jo shqiptarët, kështu as ajo vetë të mos e ndjehet mirë me atë që është. Me çka pra u shndërrua në pasqyrë ku shihej fytyra e atyre që donin të ngjiteshin lart e më lart në piramidën pushtetmbajtëse, por duke u zhytur thellë e më thellë në paturpësinë e vet.

Tirana pra, vazhdonte të ecte drejt të ardhmes së vet duke u ngjitur lartësive qiellore, duke u shkëputur kështu nga e vërteta e saj shqiptare. Dhe sa më shumë lartësohej ajo, aq më e thellë bëhej gropa e krimit ku zhytej e tërë Shqipëria, ku ‘kalbej’ mëmëdheu ynë, i drejtuar nga ata që shqiptarinë e kishin vetëm si dekor për të dëshmuar se janë mendjehapur dhe më ndryshe se shqiptarët tjerë.

Jo vetëm Tirana, por gjithë kryeqendrat e ‘Shqipërive’ tona u bënë pasqyrë ku shihej fytyra e atyre që nuk e kuptojmë se vetëm ai që nuk e njeh fatkeqësinë e popullit të vet, mund të jetë, për shembull, kryeministër arrogant. Ato kryeqendra u bënë edhe simbol i shoqërive që prodhojnë shumë amoral, i shoqërive ku ishte harruar ajo që kishin dëshmuar shekujt dhe kishin thënë dijetarët: shthurja seksuale dhe mosbesimi në Zot janë shenjat e para se një shoqëri po kalbet. Ato u bënë shenjë njohëse e shoqërive të drejtuara nga njerëzit që nuk frikësoheshin nga asgjë, që çdo gjë e matnin nëpërmjet interesit personal, pa llogaritur nëse atë interes e realizojnë duke bërë diçka të mirë për popullin e vet, apo duke e dëmtuar interesin kolektiv.

Kur u dëgjuan boritë e luftës në Ukrainë, njerëzit gjithnjë e më shpesh pyesnin se a do ketë luftë bërthamore? Ndërkohë përgjigja ishte e thjeshtë: lufta bërthamore ishte thuajse e pashmangshme.

Të çoroditur nga plaçkitjet që u bëheshin ‘Shqipërive’ tona, shqiptarët pyesin se a mund t’i ‘shpëtonin’ trojet e tyre nga duart shkatërrimtare të burrështetasve të papërgjegjshëm, pa pasur nevojë për trazira më të mëdha. Edhe përgjigja e kësaj pyetjeje ishte e ditur: konflikti dhe përballja mes ndershmërisë shqiptare dhe mafies politike ishin thuajse të pashmangshme.

Pasi u përhap era e luftës nëpër Evropë, shqiptarët gjithashtu pyesnin: si është e mundur që sot, kur vetëdija dhe mençuria njerëzore janë në shkallën më të lart se kurdo qoftë më parë, luftërat të jenë edhe më shkatërrimtare se gjitha të mëparshmet? Apo të pyesin: si është u mundur që sot, kur jemi më të arsimuar e më të ditur se kurdoqoftë më parë, të shtohet numri i burrështetasve hajdutë dhe i mafies politike? Edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve janë shumë të thjeshta: në fillim të shekullit XXI vetëdija dhe mençuria ishin në shkallën më të lartë se kurdoqoftë më parë, por atyre u mungonte ndërgjegjja, ndershmëria dhe morali njerëzor. Dhe vetëdija e mençuria pa ndërgjegje, pa ndershmëri dhe pa moral janë si kuajt pa drejtues e pa fre, të cilët pa ndalë i godet kamxhiku i interesave personalë dhe i epsheve.

Ka edhe diçka që, siç duket, nuk e kuptojnë shqiptarët që pyesin si t’i shpëtojnë ‘Shqipëritë’ nga krimi: ajo që politikani pa ndërgjegje jo vetëm që do që të jetë në qendër të vëmendjes publike, por ka edhe mjeshtërinë për të mbijetuar si burrështetas i pandershëm dhe pa moral njerëzor: ka mjeshtërinë ta mbulojë atë që është pa e parë populli e t’i ‘shpalosë’ të paqenat që do të donte t’i kishte populli.

Por sidoqoftë, mbetej e vërteta se pyetjet shpalosnin naivitetin dhe atë që nuk e kishin kuptuar njerëzit, pra pyetjet tregonin se njerëzit kishin harruar që edhe armët shkatërrimtare i kanë shpikur shkencëtarët e mençur dhe të vetëdijshëm e jo budallenjtë e mëhallës. Pra pyetjet e shqiptarëve tregonin sa ata nuk e kishin kuptuar se shtetin nuk e dëmtojnë hajdutët e lagjes, por burrështetasit hajna, të cilëve nuk u mungon mençuria, por ndërgjegjja, ndershmëria dhe morali. Ndaj shqiptarëve të asaj kohe nuk u mbetej gjë tjetër përpos të përballen me përgjigjet e vërteta dhe të mos harrojnë se historia njerëzore njeh plot politikanë të ndershëm e të ndërgjegjshëm, që kanë dhënë dorëheqje, por nuk njeh asnjë hajdut e të pafytyrë, që vullnetarisht e ka braktisur pushtetin.

Siç nuk duhej të harrojnë se botën thuajse asnjëherë nuk e ka mbrojtur mençuria dhe vetëdija e njerëzve, por ndërgjegjja, ndershmëria dhe morali njerëzor. Dhe se zemra e së keqes njerëzore punon më vrullshëm se ajo e mençurisë dhe mirësisë, se botës ‘moderne’ më shumë se kurdoherë më parë i mungonte ndërgjegjja, ndershmëria dhe morali.

Andaj shqiptarët nuk duhej të pyesnin pse të huajt nuk na shpëtonin nga hajnat tanë, ngaqë duhej ta dinin se ata e kishin përcaktuar sëmundjen vdekjeprurëse të shoqërive shqiptare – hajdutërinë – dhe shtireshin se e kanë zbuluar edhe ilaçin kundër saj, por në ndërkohë, duke mos e përdorur atë ilaç kurrë kundër burrështetasve kryehajdutë.

Ku ta dish, mbase kishte ardhur koha kur ne shqiptarët duhej ta besonim atë që prej moti e kishin thënë të mençurit: sikur demokracia të kishte mundur të ndryshonte diçka, atë prej moti do ta ndalonin. Ashtu siç kishin ndaluar çdo gjë që mund t’i dëmtonte të pasurit e të fortët e t’u sillte ndonjë të mirë skamnorëve e të pambrojturve.

Siç duhej ta besonim se nuk mund të ketë të ardhme të ndritur për shoqëritë ku mbi të gjitha idealet qëndron ideali i ‘xhepit’. Dhe ku të rinjtë për çdo ditë përballen me të vërtetën se atje ku mund të të ngjitë libreza partiake nuk mund të të çojnë aftësitë vetjake, se ‘Shqipëritë’ tona ishin bërë pasqyrë ku shiheshin të gjitha dështimet e deritanishme të shqiptarisë dhe ku shumëçka të dukej e veçantë, si e shkëputur nga realiteti dhe ku, edhe kur dëgjohej se leh e ha mish, banorët e atyshëm nuk e besonin se është qen pa ua thënë atë ndonjë kryetar partie.

 

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit