Publikohet video e plotë e sulmit ndaj policisë së Elbasanit natën e 18 shtatorit. Deri tani kishim parë si policët u zgjatën pak në hyrjen e tregut Agro-ushqimor, ku u fsheh makina e blinduar pas sulmit.
Ndërsa në videon e plotë shihet se si nuk u bë asnjë përpjekje për të hyrë brenda në vendstrehimin e të dyshuarit për ngjarjen, Suel Çela.
Policët qëndruan në pritje të forcave speciale nga Tirana, të ndërgjegjshëm se kishin të bënin me një njeri të rrezikshëm.
Në pamje duket që në orën 20 : 03 është ndaluar një mjet “Range Rover ”.
Në orën 20:06 duket furgoni i forcave Shqiponja që pasi mbërrijnë në vendngjarje dhe parkohet në hyrje të tregut ushqimor, shoqërohen 2 personat e ndaluar në mjetin “Range Rover”. Në vendngjarje numërohen mbi 15 policë.
Ora 20:07 momenti kulminant kur mjeti “Audi” përplas makinën e zv\drejtorit të policisë dhe futet në brendësi të tregut. Të paktën dy punonjës policie, një me Kallashnikov dhe një me pistoletë qëllojnë në drejtim të makinës së blinduar.
Ora 20:21, 14 minuta më vonë, në vendngjarje mbërrin përforcimë nga policia kriminale pasi në sallën operative është dhënë informacioni për ngjarjen e rëndë dhe të shtënat.
Ora 20:28 nga brenda rrethimit të tregut afrohet një automjet tip “Volkswagen ” që pas disa sekondash kthehet pas në pamundësi për të dalë.