Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu, salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thëniet e dijetarëve për dispozitën e blerjes së televizorit dhe shikimit të tij
1. Fetvaja e Lexhnetul Ame li Idarat el buhuth el Ilmije uel Ifta ued-dave uel irshad në Arabi Saudite:
Shikimi i televizionit është i lejuar nëse shikon gjëra të lejuara, si p.sh. lexim Kurani, ligjërata fetare, programe biznesi apo lajme politike, por nëse në televizor ka përmbajtje me haram, si p.sh. muzikë, apo këngëtare ose këngëtar duke kënduar dhe në përgjithësi themi se në qoftë se shikon gjëra të lejuara, atëherë lejohet shikimi i televizionit, por nëse shikon gjëra të ndaluara, ndalohet shikimi i tij. Nëse dikush shikon gjëra të lejuara për të kaluar kohën e tij, kjo nuk është e preferuar, pasi kohën njeriu duhet ta shfrytëzojë në gjëra më primare, si p.sh. të kaloj kohën me familjen e tij apo në ndonjë punë që do t’i sjellë dobi popullit musliman. Dhe më mirë është që të largohet në përgjithësi nga televizori për shkak se është mjet i cili të lehtëson shikimin apo dëgjimin e harameve. (Fetava Islamije 3/322)
Në një përgjigje tjetër i njëjti komision ka thënë: Videot, radiot dhe televorët nuk mund të themi se janë haram apo hallall për shkak se ato janë mjete, mirëpo mund të japim përgjigje për dëgjimin e tyre apo shikimin e tyre, a është e lejuar apo jo. Themi se nëse këto gjëra përdoren për haram, atëherë përdorimi i tyre është i ndaluar, kurse nëse përdoret për hallall, atëherë është i lejuar. Dhe sipas kësaj, nëse nuk e përdor videon për tjetër gjë vetëm se për të mirë, atëherë është e lejuar dhe është mirë, përndryshe (nëse përdoret për keq) është haram përdorimi i tij (dhe kështu është radioja, televizori, sateliti etj.). (Fetava Islamije 3/366)
2. Dijetari Abdullah Nasih Ulvan, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Pasi televizioni në kohën tonë me shumicën e programeve në të shkatërron moralin e njerëzve dhe është një mjet i cili thërret dhe nxit në haram dhe në përzierjen e meshkujve me femra, duke pasur parasysh këto gjëra, themi se shikimi dhe dëgjimi i televizorit konsiderohet prej mëkateve të mëdha. Do të sjell disa argumente për këtë:
a) Të gjithë dijetarët e të gjitha kohërave janë të pajtimit (ixhma) se ligjet islame janë vendosur për të mbrojtur 5 gjëra: 1. Për të mbrojtur fenë; 2. Mendjen; 3. Nderin; 4. Jetën e njeriut dhe 5. Pasurinë e njeriut.
Dhe kanë thënë: Meqë ajo me të cilën ka ardhur legjislacioni islam, si në Kuran dhe hadithe të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, po ashtu edhe rregullave të usulit kanë për qëllim mbrojtjen e 5 gjërave që cekëm më lart, duke pasur parasysh që programet televizive në këtë kohë përmbajnë muzikë, femra të zhveshura, filma të shfrenuar që të gjitha këto kanë për qëllim shkatërrimin e moralit, largimin e xhelozisë, përhapjen e imoralitetit dhe gjërave të këqija, për këtë shkak ndalohet shikimi i televizorit dhe dëgjimi i tij për të ruajtur nderin. Për këtë shkak ndalohet mbajtja e televizorit pasi është mjet i cili ia lehtëson njeriut shikim e harameve dhe dëgjimin e tyre.
b) Transmeton Maliku, Ibn Maxhe dhe Darikutni nga Ebu Seid El Hudri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk lejohet t’i bësh dëm dikujt e as t’ia kthesh dikujt me të keqe.” (Maliku, Ibn Maxhe, dhe Darikutni dhe ky hadith është sahih. Shih Sahih el Xhami es-sagir, nr. 7517.)
Ky hadith llogaritet si rregull në Islam dhe dijetarët e kanë llogaritur prej rregullave më të rëndësishme pasi ky rregull ndalon çdo gjë që i bën dëm ndonjë personi apo një populli apo ia shkatërron moralin e atij populli.
Pasi programet që jepen në televizionet e tanishme ftojnë në harame dhe në shfrenimin e epsheve, u ndalohet muslimanëve të blejnë televizor dhe ta fusin atë në shtëpi për shkak që të ruajnë besimin e familjes dhe moralin e tyre duke praktikuar hadithin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, që thotë: “Nuk lejohet t’i bësh dëm dikujt e as t’ia kthesh dikujt me të keqe.”
c) Prej rregullave të sheriatit islam është edhe rregulli “Ndalimi i gjërave të cilat të çojnë tek e keqja”. Kuptimi i këtij rregulli është: Ka raste kur ndalohen gjërat e lejuara nëse këto gjëra të çojnë në haram. Dhe sipas këtij rregulli, duke pasur parasysh se programet televizive të çojnë tek haramet, për këtë shkak përdorimi i televizorit është haram sepse të çon në haram dhe në shkatërrim të moralit.
d) Gjithashtu shikimi i televizorit është haram për shkak se shumë prej programeve janë të përziera me muzikë dhe këngë të shfrenuara. Dhe pasi e kemi përmendur se muzika është haram dhe shikimi i femrave apo këngëtareve është haram dhe të gjitha këto janë shkaqe për shfrenimin e njeriut dhe ngritjen e epshit të tij, për këto shkaqe është haram edhe shikimi i programeve televizive në të cilat ka muzikë apo femra të zhveshura. (Hukmul Islam fi vesail el i’lam – Abdullah Nasir Ulvan)
Dijetari Abdullah ibn Hamid (kryetar i mbikëqyrjes fetare të xhamisë së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Sprovat të cilat i afrohen zemrës janë shkak i sëmundjes së saj.” Këto janë sprovat e dyshimeve, sprovat e epsheve, sprovat e harameve dhe bidateve (risive), sprova e zullumit dhe e injorancës. Zemra është dy llojesh: 1. zemra e cila në rast se e sulmon ndonjë sprovë e thith atë sprovë, e do atë dhe anon nga ajo sprovë dhe 2. zemra e cila e refuzon sprovën, e urren atë dhe largohet nga ajo, për shembull sprovat shkatërruese të cilat shfaqen në programet televizive, si valëzime të ndryshme, këngëtare, festime të festave të ndryshme etj. Ka zemër që anon nga këto gjëra, i do ato dhe fton në to. Kjo lloj zemre është nxirë dhe xhelozia e saj ka vdekur. Këtë zemër e ka kapluar sëmundja. Ka zemër që e urren këtë (shikimin e këtyre gjërave), largohet prej tyre dhe i këshillon edhe të tjerët që të largohen. Kjo zemër është e pastër dhe e bardhë, është e ndriçuar me dritën e imanit (besimit).”
Pastaj vazhdon dhe thotë: “Dhe nuk ka dyshim në atë se televizori është një mjet i të këqijave, që fton për shkatërrimin e familjes (dhe moralit të saj), është humbës i kohës pa nevojë e në shumë raste është shkaktar i lënies së shumë obligimeve (farzeve), si namazi, kryerja e obligimeve të tjera etj. E gjithë kjo nëse shpëton pa shikuar ndonjë haram në televizor, që nuk mund të jetë e mundshme pasi nuk ka asnjë emision apo program televiziv që të mos ketë ndonjë femër të zhveshur apo ndonjë mashkull që flet për dashurinë ose për skandale të ndryshme, vrasje, vjedhje etj.”
Pastaj ai thotë: “O ju muslimanë, kini kujdes dhe këshillojeni njëri-tjetrin që t’i respektoni urdhrat e Islamit dhe ta luftoni këtë lloj sëmundjeje, e cila po e shkatërron nderin e muslimanëve dhe po e prish atë.” (Usretul Muslime emamel Fidju uet-tilifizjun – Mervan Kexhik)
Shejh Muhamed ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka asnjë person që Allahu i Lartësuar të mos i ketë caktuar të bëhet mbikëqyrës për dikë. Dhe pasi vdes dhe i ka tradhtuar ata për të cilët është caktuar si përgjegjës i tyre, Allahu i Madhëruar ia ka bërë haram atij xhenetin.”
Dhe kjo përgjegjësi përfshin përgjegjësinë e madhe, të mesme dhe të vogël.
Po ashtu përfshin edhe përgjegjësinë e burrit ndaj familjes së tij duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Burri është përgjegjës i familjes së tij.” Dhe sipas kësaj, ai i cili vdes dhe lë në shtëpinë e tij satelit, ai ka vdekur si tradhtar i personave për të cilët ka qenë përgjegjës dhe për këtë shkak do t’i bëhet haram atij xheneti siç ka ardhur në hadith. Dhe për këtë ne themi se çdo mëkat që bëhet me këtë satelit (dhe televizor) që e ka vendosur dora e njeriut para se të vdesë, do ta ketë mëkatin edhe pasi të vdesë, edhe nëse zgjat koha dhe shtohen mëkatet (duke shikuar pasardhësit satelit dhe televizor).
Ki kujdes, o vëlla musliman, që mos të lësh pas teje diçka që do të sjellë mëkate në varrin tënd!
Nëse në shtëpinë tënde ke satelit, e ke për obligim ta thyesh atë dhe ta shkatërrosh për shkak se ky mjet nuk përdoret në këtë kohë për ndonjë send tjetër përveçse në haram dhe nuk lejohet shitja e tij për shkak se ti, nëse e shet atë, ai që e blen do ta përdorë në mëkat ndaj Allahut dhe në këtë rast do të jesh prej ndihmëtarëve në haram. Nuk ka rrugë tjetër për pendim para se të vdesësh përveçse ta thyesh këtë mjet (satelitin) i cili sjell të këqija, të cilat janë të njohura për të gjithë.
Shembuj që vërtetojnë rrezikshmërinë e televizorit
1. Gazeta El Xhumhurije (në Egjipt) ka shkruar një artikull me titullin “Fëmijët
tanë dhe si ka ndikuar televizioni dhe videot te fëmijët” dhe ndër të tjera thekson: “Një vajzë pesëvjeçare ishte mësuar të bënte një vallëzim të çmendur dhe kur është pyetur se nga e kishte mësuar, ka thënë: “Kam mësuar nga televizori.”
Kjo vajzë, e cila quhej Shejma, është ngritur nga gjumi pas mesnate dhe e ka zgjuar edhe motrën e saj Shibrinin e cila ishte mësuese në parashkollore dhe i tha asaj me zë të ulët: “Kërkoj nga ti oj motra ime që të më presësh derisa të kthehem dhe të ma hapësh derën fshehurazi që të mos zgjohet askush prej familjes. Mua më duhet të shkoj në parkun e qytetit.” Kur motra e pyeti se cili ishte shkaku i shkuarjes së saj në park, ajo i tha: “Unë kam lënë një takim me shokun tim Amrin që të takohemi në parkun e qytetit pas gjysmës së natës dhe ai tani është duke më pritur. Ai më tha mua që të zgjohem nga shtrati dhe të takohem me të te kopshti pa më hetuar askush dhe unë tani do të shkoj e ti pritmë derisa të kthehem.”
Motra i zgjoi prindërit e saj dhe i tregoi për bisedën e saj me motrën e vogël. Pasi u bë mëngjes, babai i saj shkoi në çerdhen e fëmijës së vet dhe e thirri Amrin (i cili mësonte në të njëjtën klasë me vajzën e tyre), i cili kishte lënë takim me vajzën e tyre dhe e goditi atë me shuplakë që t’i tregojë shkakun pse ka lënë takim me vajzën e tyre. Ai i tha se kishte parë një film në të cilin dy çifte kishin lënë takimin e tyre në një kopsht pas gjysmës së natës dhe larg shikimit të familjes së tyre. Ai film i kishte pëlqyer dhe kishte pasur dëshirë që të linte edhe ai një takim me shoqen e tij Shejmën larg shikimit të familjes dhe mësuesve.
2. Gazeta Ehram (gazetë në Egjipt) shkruan për një problem të madh i cili ka ndodhur në një shkollë, ku shumica e nxënësve iknin nga orët e mësimit. Pas hulumtimit të shkakut të ikjes së tyre nga orët e mësimit, u zbulua se nxënësin organizoheshin dhe iknin për të parë filma të fëlliqur nëpër shtëpitë e ndonjërit prej shokëve, familja e të cilit ka qenë në punë në atë kohë.
Shumë djem të rinj kanë filluar të përdorin drogën apo hashashin duke parë në filma se këto gjëra janë qetësuese për njeriun dhe ia heqin të gjitha brengat dhe problemet njeriut.
E të mos flasim për serialët e fëlliqur, të cilët na i kanë stërmbushur kanalet televizive, shumica e të cilave kanë tematikë dashurie dhe i mëson rinisë si të dashurohen apo si të jenë më tërheqës.
Mirëpo pasojat e këtyre gjërave shihen më vonë dhe në fakt në vendet tona çdo ditë është duke u rritur numri i konsumatorëve të drogës e të mos flasim për amoralitetin në shoqërinë tonë, ku një djalosh qysh në shkollën fillore fillon të ketë shoqëri me vajza dhe shumë prej tyre përfundojnë duke bërë marrëdhënie intime, abort e vetëvrasje.
Të gjitha këto dukuri janë duke u shfaqur nëpërmjet televizionit, i cili 24 orë është duke e nxitur rininë për shfrenim dhe degjenerim.
Dëmet e shikimit të televizorit
Për dëmet e shikimit të televizorit shejh Muhamed Salih el Munexhid thotë:
– Dëmet në akide (besim)
1. Shfaqja e simboleve të devijuara të jobesimtarëve si kryqi, Buda (idhull i
budistëve) apo vendadhurimet e devijuara (si tyrbet, teqetë etj), zotat e dashurisë, zotat e së mirës dhe së keqes apo filma të ndryshëm të cilat nxisin në hyrjen e fesë së krishterë dhe flasin për vlerën e saj.
2. Përhapja e gënjeshtrave të ndryshme si ringjallja e disa të vdekurve nga disa persona, si p.sh. duke përdorur kryqin apo ndonjë shkop magjik.
3. Përhapja e sihrit (magjisë), falleve të ndryshme apo njerëzve të cilët pretendojnë se dinë të fshehtën.
4. Në shumë programe televizive shumë njerëz betohen në dikë tjetër e jo në
emër të Allahut apo tallen me emrat e Allahut (si p.sh duke u betuar rrejshëm në Allah etj).
5. Largimi i urrejtjes ndaj armiqve të Allahut duke shfaqur gjëra interesante të jobesimtarëve, të cilat lënë përshtypje te besimtarët dhe fillojnë të kenë simpati ndaj jobesimtarëve, e në kohën kur largohet urrejtja ndaj jobesimtarëve apo kur fillojnë muslimanët të kenë simpati ndaj jobesimtarëve, fillojnë edhe t’i imitojnë ata.
– Dëmet shoqërore
1. Mahnitja nga disa personalitete të jobesimtarëve duke i shfaqur ata si trima dhe heronj nëpër filma.
2. Nxitje në krime duke shfaqur skena të vrasjeve, vjedhjeve apo përdhunimeve.
3. Mësimi i vjedhjeve, mashtrimeve, falsifikimeve, marrja e ryshfeteve dhe harame të tjera.
4. Nxitja në përngjasimin e meshkujve me femra dhe përngjasimin e femrave me meshkuj duke rënë në kundërshtim me hadithin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, i cili i ka mallkuar meshkujt që u ngjajnë femrave dhe ato femra që ngjajnë me meshkuj. Ka meshkuj që e bëjnë zërin e tyre si femrat apo ecin sikur femrat apo disa prej meshkujve stolisen me ar dhe argjend etj.
5. Shembulli më i mirë nga të cilët marrin mësim janë bërë artistët, këngëtarët apo këngëtaret apo lojtarët në vend që të marrim shembull dhe mësim nga Pejgamberi salallahu alejhi ue selem apo sahabët ose dijetarët.
6. Shumë njerëz kanë filluar të sillen keq edhe me familjen e tyre në rast të
shikimit të ndonjë programi, saqë ka shumë raste kur prindi e rreh fëmijën e tij nëse ai e ndërpret apo e pengon nga shikimi i filmit, serialit apo nga ndonjë ndeshje futbolli.
7. Mosinteresimi i fëmijëve për prindërit e tij duke marrë mësim nga filmat dhe
emisionet që secili prej tyre duhet ta shikojë jetën e tij personale, saqë nëse prindit i nevojitet të marrë diçka nga pasuria e fëmijës së tij, fëmija do ta quaj atë hajdut, kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ti dhe pasuria jote i takoni babait.” (Ebu Davudi nr. 3530 dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Irvaul Galil 3/323.)
8. Këputja e marrëdhënieve farefisnore duke mos gjetur kohë që ta vizitojnë njëri-tjetrin për shkak të shikimit të filmave apo serialeve, edhe nëse e vizitojnë njëri-tjetrin do t’i shohësh që nuk do t’i ndërrojnë as dy fjalë mes tyre apo nuk do të flasin për ndonjë problem familjar dhe e gjithë kjo për shkak se janë të zënë duke shikuar ndonjë film, serial apo ndonjë ndeshje futbolli. Po ashtu tek kjo pikë hyn edhe mosrespektimi i musafirit duke shikuar televizor.
9. Shfaqja e problemeve të shumta në familje dhe urrejtje ndërmjet dy
bashkëshortëve duke shikuar ky ndonjë femër të zbukuruar nëpërmjet televizorit dhe gruaja duke shikuar ndonjë mashkull të zbukuruar, nga këtu fillojnë problemet dhe xhelozia ndërmjet tyre.
10. Zhdukja e xhelozisë, e cila është e lavdëruar, duke filluar gruaja të zhvishet para meshkujve të huaj, po ashtu edhe të përzihen meshkujt me femra, dhe e gjithë kjo duke marrë mësim nga televizioni (dhe duke i quajtur ata të cilët nuk përzihen me femra si të prapambetur).
– Dëmet në aspektin e moralit
1. Ngritja e epshit duke shfaqur femra të cilat janë tërheqëse për meshkujt dhe duke shfaqur meshkuj tërheqës për femrat.
2. Nxitja e shoqërisë për të shfaqur avretet e tyre duke reklamuar rroba gjysmëlakuriq.
3. Nxitja e shoqërisë në amoralitet duke i mësuar ata se si të takohen me femra, si të shkojnë me to, çfarë fjalësh duhet të përdorin kur takohet me një femër, si të sillet me të dhe gjëra të tjera të ndaluara.
4. Disa njerëz futen në amoralitet për shkak të shikimit të filmave me përmbajtje pornografike, ku disa prej tyre këta filma i shikojnë me të afërmit e tyre, shokët e tyre etj, e disa prej tyre gjatë shikimit të këtyre filmave bëjnë masturbim.
5. Mësimi i vallëzimit për femrat duke shfaqur avretet e tyre për t’i mahnitur
meshkujt e që është prej shkaqeve të shkatërrimit të një shoqërie.
6. Formimin e një personaliteti komik duke qeshur shumë e që i vdes zemrat dhe e gjithë kjo duke shikuar filma komedi.
7. Përdorimi i një fjalori të fëlliqur duke marrë shembull prej shumë filmave të
cilat e përdorin këtë fjalor.
– Dëmet në aspektin e ibadetit (adhurimit)
1. Humbja e namazit të sabahut duke ndenjur natën deri vonë duke shikuar televizor (dhe pasi bie vonë për të fjetur, nuk do të ketë mundësi të zgjohet për namazin e sabahut).
2. Vonimi i faljes së namazeve në kohën e tyre e mos të flasim për faljen e tyre në xhami për burrat, për shkak se zemrat e tyre janë të lidhura me serial apo ndonjë ndeshje futbolli.
Zvogëlimi i shpërblimit të disa agjëruesve e tek disa është shkak që të gjitha sevapet t’i humbin për shkak të shikimit të harameve në televizor.
3. Shpifja dhe të tallurit me disa norma fetare si mbulesa apo poligamia etj.
– Dëmet në aspektin historik
1. Shtrembërim të historisë islame, shuarje të realitetit dhe zhvlerësim të arritjeve të muslimanëve në historinë e njerëzimit.
2. Shtrembërimin e së vërtetës historike të vërtetuar, duke paraqitur njeriun i cili ka bërë zullum (shkatërrim në tokë) si njeri të cilit i është bërë e padrejtë, sikurse pretendimi i tyre se çifutët janë njerëz të drejtësisë.
3. Nënvlerësimi i trimave muslimanë si sahabët apo njerëzit të cilët kanë hapur shtete të mëdha duke i paraqitur në filma ata si të nënçmuar, kurse në realitet artistët që luajnë rolin e tyre në këto filma janë fasika (dhe prej tyre edhe jobesimtarë).
4. Në shumë raste i paraqesin muslimanët si të zhgënjyer moralisht duke mbjellë frikë në zemrat e besimtarëve kur shfaqin filma ku jobesimtarët kanë pasur teknikë në luftë kundër muslimanëve dhe muslimanët nuk kanë arritur t’i mundin jobesimtarët në luftë!
– Dëmet në aspektin personal (shpirtëror)
1. Mbjellja e urrejtjes apo vrazhdësisë duke shikuar filma me armë të
ndryshme duke u përgjakur.
2. Përhapja e frikës tek shumë persona duke shikuar filma të frikshëm (horror), ku disa persona ngrihen edhe nga gjumi duke bërtitur nga ndonjë ëndërr që u është dukur si filmi që kanë parë.
3. Prishja e jetës së fëmijëve duke i gënjyer ata në filma vizatimorë me gjeste jashtë normales (si fluturimi i njerëzve, kafshëve, babadimri duke u sjellë dhurata e gënjeshtra të tjera të shumta) e që të gjitha këto i bëjnë fëmijët të jetojnë jashtë jetës reale.
– Dëmet në aspektin shëndetësor
1. Dobësimi i të parit, por shikimi është një dhunti për të cilën do të
pyetet robi në Ditën e Gjykimit.
2. Gjatë shikimit të filmave të frikshëm (horror) zemra fillon të shpeshtojë rrahjet e saj dhe tensioni fillon të rritet.
3. Qëndrimi zgjuar gjatë natës dëmton trupin, për të cilën do të pyetet robi në Ditën e Gjykimit.
4. Po ashtu nuk duhet harruar dëmet që u sjell fëmijëve, të cilët mundohen të imitojnë Supermenin apo artistët e tjerë dhe gjestet e tyre.
– Dëmet materiale
Shpenzimi i parave për blerjen e televorit, filmave. Në rast prishjeje të televizorit, duhen shpenzuar para që të rregullohet dhe për të gjithë këtë pasuri do të pyetet robi në Ditën e Gjykimit se ku e ka shpenzuar.
1. Shumë prej njerëzve shpenzojnë shumë para duke blerë gjëra të panevojshme të cilat shfaqen në televizione, duke u munduar t’i emitojnë të tjerët. (Ahtar tuhedidul bujut)
Përktheu: Eroll Nesimi
31.5.2009