Shëndeti i syve mund të anashkalohet shpesh ose të merret për i mirëqenë.
Ai rrezikohet nga ushqyerja e keqe, përdorimi i tepërt i aparateve teknologjike por edhe nga mosha.
Ushqyerja e keqe është një faktor i rëndësishëm sepse manifestohet me mungesë vitaminash në organizëm. Këto të fundit përbëjnë mburojën më të madhe për sytë (dhe jo vetëm) nga dëmtimet oksiduese dhe inflamacioni.
4 Vitamina thelbësore për shëndetin e syve:
Në rutinën tuaj të përkujdesjes për sytë duhet të jini të vëmendshëm ndaj vitaminave të mëposhtme:
Vitamina A
Kjo vitaminë është e një rëndësie parësore për sytë. Prania e saj ndihmon që njeriu të shikojë qartë edhe në kushte të errësirës ose dritës së pakët. Mungesa e vitaminës A e bën syrin ndjeshëm më të thatë dhe rrjedhimisht dëmton shikimin.
Vitamina E
Vitamina E është një antioksidant i fuqishëm që lufton radikalet e lira të cilat dëmtojnë shumë organe të trupit. Në shumë raste, radikalet e lira dëmtojnë proteinat e syrit gjë që më pas shkakton mjegullim të shikimit.
Vitamina C
Vitamina C është gjithashtu një antioksidant i fuqishëm që mbron organizmin nga radikalet e lira. Studimet thonë se prania e kësaj vitamine e ul me 33 përqind rrezikun e problemeve me shikimin.
Kompleksi i Vitaminave B
Studimet tregojnë se një kombinim i vitaminave B6, B9 dhe B12 ul ndjeshëm rrezikun e degjenerimit të shikimit, kryesisht tek vajzat dhe gratë.
Ekspertët këshillojnë që këto vitamina të mos mungojnë në rutinën e përkujdesjes për sytë.
Ushqyes Të Tjerë Të Rëndësishëm Për Shëndetin e Syve.
Përveç vitaminave të lartpërmendura, ekspertët thonë se njerëzit duhet të kujdesen që të marrin dozat e nevojshme të zinkut. Ky i fundit lehtëson rrugëtimin e vitaminës A nga mëlçia tek retina e syrit ku edhe prodhon melaninën.
Ky pigment është i domosdoshëm sepse mbron sytë nga rrezet ultra vjollcë.
Marrja e 40-80 mg zink në ditë bashkë me antioksidantët mund të ngadalësojë përkeqësimin e shikimit me 25 përqind, thonë ekspertët.
Një ushqyes tjetër i nevojshëm janë acidet yndyrore omega-3 të cilat shërbejnë si mburojë e retinës por edhe lehtësojnë qarkullimin e gjakut drejt syve./AgroWeb.org