2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Shëndeti i mirë

Më të lexuarat

Ta çmojmë atë derisa e kemi!

Shëndeti i mirë është bekim i madh i Allahut të Plotfuqishëm për njeriun. Koha e vetme që njeriu e kupton rëndësinë e shëndetit të tij është kur ai sëmuret, qoftë përkohësisht, dhe shëndeti i mirë i merret atij nga Allahu i Madhëruar.

Nuk ka dyshim se shëndeti i mirë është diç të cilin e dëshiron dhe lutet për të çdo njeri duke mos e pasur parasysh kujdesin për të. Ne jemi të prirë për ta lënë pas dore rëndësinë e të jetuarit të një jete të shëndoshë dhe vendosim ta korrigjojmë mënyrën tonë të jetës vetëm pasi na godet sëmundja dhe na rrëzon.

Ata prej nesh që kanë qenë të bekuar me shëndet të mirë rrallë e falënderuan Allahun për këtë mirësi të cilën Ai na e dha. Ne duhet ta çmojmë shëndetin tonë të mirë dhe vazhdimisht ta falënderojmë Allahun për këtë dhuratë me të cilën Ai na ka bekuar.

I dërguari Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, na përkujtoi neve që të interesohemi për rëndësinë e përkujdesjes për shëndetin tonë. Ai ka thënë:

“Janë dy gjëra nga i Plotfuqishmi të cilat njerëzit nuk i çmojnë sa duhet: njëri është shëndeti i mirë dhe tjetri koha e lirë.”

Duhet ta bëjmë shprehi që kur të lutemi për shëndet të mirë, ne duhet të lutemi gjithashtu për ruajtjen prej sëmundjeve vdekjeprurëse. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, shpesh e thoshte lutjen e mëposhtme:

“O Allah i Plotfuqishëm! Të lutem që të më mbrosh nga lebrosa, leukoderma, çmenduria dhe nga të gjitha sëmundjet e tjera vdekjeprurëse.”

Ne duhet t’i çmojmë gjithmonë të gjitha gjërat e mira që na i dha Allahu i Madhëruar para se ato të na merren. Një i urtë ka thënë se vetëm njeriu i verbër e din ndjenjën e mospasjes mundësi për të shikuar, vetëm njeriu pa këmbë e di vlerën e vërtetë e mos mundësisë për të ecur dhe vetëm njeriu me probleme të rënda të frymëmarrjes e di vlerën e vërtetë të secilës frymë që e merr dhe e nxjerr.

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave:
1. Rininë tuaj para pleqërisë
2. Shëndetin e mirë para sëmundjes
3. Begatinë e pasurisë para varfërisë
4. Kohën e lirë para punës
5. Vlerën e jetës para vdekjes.”

Një prej mënyrave për ta mbrojtur shëndetin tuaj është marrja e masave paraprake të domosdoshme për t’iu larguar disa sëmundjeve. Ne duhet të kemi kujdes për gjërat e rëndësishme në jetën tonë të përditshme, si: çka të hamë, si ta mbajmë higjienën e përgjithshme dhe si ta stërvitim trupin tonë. Me ndjekjen e rregullave të thjeshta të higjienës, secili mund ta mbroj veten prej mikrobeve dhe baktereve të shumta.

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Gjithmonë mbulojeni ujin tuaj, mbylleni vrimën e shishes së ujit, se sëmundja dhe e keqja vjen nga uji që ka mbetur i pambuluar.”

Dijetarët e fesë dhe mjekësia islame kanë thënë se barku është nëna e të gjitha sëmundjeve. Barku është një enë e madhe e cila mban çdo gjë që ne hamë dhe pimë. Sidoqoftë secili duhet të jetë i kujdesshëm që të mos hajë tepër se ngrënia e tepërt e çrregullon stomakun dhe kjo është burim i shumë sëmundjeve të trupit. Kur hamë, secili duhet të mundohet që lukthin ta ndajë në tri pjesë:
1. Një për ushqim
2. Një për pije
3. Një për frymëmarrje.

Nëse njeriu e mban këtë në mend atëherë problemi i ngrënies së tepërt mund të zhduket. Çështja tjetër e rëndësishme në lidhje me ushqimin dhe shëndetin e mirë është largimi nga të shkuarit drejt në shtrat pasi të hahet darka. Njeriu duhet të ecë së paku 40 hapa para se të shkon në shtrat se kjo i ndihmon në tretje dhe i mundëson atij të ketë gjumë të mirë gjatë natës dhe siç e dimë të gjithë, gjumi i mirë i natës i mundëson njeriut të zgjohet në mëngjes duke u ndjerë i shëndoshë në trup dhe në mendje.

Le të mundohemi të përkujdesemi për shëndetin tonë të mirë dhe ta çmojmë atë derisa e kemi! Përktheu: Fexhrie Kaçiu

/www.lutonmuslims.co.uk/kohaislame

 


- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit