0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Shembuj në Kuran

Më të lexuarat

Lexues të nderuar, këtu janë përmbledhur vetëm disa prej shumë shembujve që përmenden në Kuran. E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej atyre që i kuptojnë këta shembuj!

1- “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson Allahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.” (Bekare, 264)

2- “E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që veproni.” (Bekare, 265)

3- “Shembulli i asaj që ata e japin në këtë jetë (për t’u lavdëruar e për t’u përmendur) është si i një erë me breshër që godet dhe shkatërron të mbjellat e një populli që e ka lëshuar rrugën në dëm të vetes. Allahu nuk u bëri zullum atyre, por ata ishin që i benë të padrejtë vetes së vet.” (Ali Imran, 117)

4- “E sikur të donim Ne, do ta ngrinim lart me atë (dituri), por ai nuk iu largua tokës (dynjasë) dhe shkoi pas epshit të vet. Shembulli i tij është si ai i qenit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i atyre që i konsideruan të rreme argumentet Tona. Ti rrëfe tregimet (umetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë.” (Araf, 176)

5- “Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu që e kemi zbritur nga qielli, e me anën e të cilit gërshetohen bimët e tokës (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) prej nga hanë njerëzit e kafshët deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar (me bimë, pemë e behar), e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhri Ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.” (Junus, 24)

6- “Shembulli i gjendjes së këtyre dy grupeve është (i atyre që nuk besuan) si ai i verbëri dhe i shurdhëti dhe (i atyre që besuan) si ai që sheh dhe dëgjon. A janë në pozitë të barabartë? A nuk përkujtoni?!” (Hud, 24)

7- “Shembulli i veprave të atyre që nuk besuan është si hiri, të cilin me puhi e shkapërderdh era në ndonjë ditë të stuhishme, e ata nuk mund të realizojnë asgjë nga veprat që kanë bërë, e ky është ai dështimi i madh.” (Ibrahim, 18)

8- “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet në çdo kohë. Allahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.” (Ibrahim, 24-26)

9- “Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. Allahu sjell shembuj për njerëzit. Allahu çdo gjë di shumë mirë.” (Nur, 35)

10- “Shembulli i atyre, të cilët veç Allahut morën mbrojtës (zota idhujsh), është si shembulli i merimangës që thur shtëpi, e sikur ta dinin ata, më e dobëta shtëpi është e shtëpia e merimangës.” (Ankebut, 41)

11- “Muhamedi është i Dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (Allahu i shumoi) Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” (Fet’h, 29)

12- “Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga Allahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues.” (Hadid, 20)

13- “Shembulli i atyre që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është si shembulli i ndonjë gomari që bart libra. Shembull i keq është shembulli i popullit që i përgënjeshtroi ajetet e Allahut, e Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtar.” (Xhumua, 5)

Përmblodhi: Almedin Ejupi/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit