2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Shejhul-Islam Ibën Tejmijje

Më të lexuarat

Shejhul-Islam Ibën Tejmijje (rahmetullahi alejhi)

Falendërimi i takon Atij që e pëlqeu për ne Islamin, skaliti në zemrat tona imanin, na ndihmoi që vetëm Atë ta adhurojmë, askënd në mbretërinë, zotërimin dhe hyjnizmin eTij mos ia shoqërojmë. E falendërojmë Allahun për begatitë e panumërta që na dhuroi. Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, Ai është një, i parival, me sinqeritet, me akide (besim) të pastër, jo me përgjasim (teshbih) i cili prish besimin as me mohim (ta’til) që zbrazë imanin, porse duke pranuar se “asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëndëgjuesi dhe Gjithëshikuesi.” Dëshmojmë se zotëriu ynë Muhamedi [alejhis-selam]është rob dhe i dërguar i Allahut të cilin e dërgoi mëshirë, udhëzues dhe begati për atë që ndjek rrugën e tij, shkatërrues të kufrit dhe bidateve.

Për Zotin njeriu ndien mangësi, kupton lartësinë e qëllimit, largësinë e përfundimit kur mendon të shkruaj për këtë kolos të historisë, për këtë dijetar të papërshkruar i cili ndriçoi rrugën e Pejgamberit [alejhis-selam]dhe shokëve të tij pasi që ishte zbehur. Allahu [subhanehu ve teala] e la në kujtesë të krijesave, e bëri simbol të rrugës së drejtë, e deshën pasuesit e sunnetit dhe përfituan nga dituria e tij, shkruajtën për aspektet e jetës së tij më tepër se njëqind libra . Pra për çka të shkruajmë? Për metodologjinë e tij në konsolidimin e akides së pastër dhe demantimin e shtrembërimeve, apo për xhihadin, durimin dhe sakrifikimin e tij? Apo për përpjekjen e tij për të përhapur thirrjen e selefit? Tema para të cilave njeriu mbetet i hutuar. Mirëpo ajo që s’arrihet në tërësi nuk lihet në tërësi.

Quhet Ebul Abbas Ahmed ibën Shihabuddin Ebil Mehasin Abdul Halim ibën Mexhdudin ibën Tejmije, i njohur me emrin Ibën Tejmije. U lind ditën e Hënë, dhjetë Rebiulevvel të vitit 661 sipas hixhretit në Harran, vend i cili shtrihet mes Irakut dhe Shamit. Në vitin 667 h. Tatarët sulmuan Harranin dhe familja e tij emigroi në Damask.

Allahu [subhanehu ve teala] qëndisi në shpirtin e Ibën Tejmijes vyrtyte të shumta, e ngriti në shkallë të lartë moralin e tij, bujarinë e bëri pasuri të tij, trimërinë vlerë, diturinë, urtësinë dhe butësinë stoli të tij, adhurimin dhe asketizmin thesar të tij. Nuk e tërheqnin ëndjet e kësaj bote, kënaqësinë e gjente në përhapjen e diturisë, shkrimin e librave dhe kryerjen e obligimeve ndaj Allahut [subhanehu ve teala]. I madhëronte ligjet e fesë me trup e me shpirt, nuk veçohej nga të tjerët në mendimet e tij, nuk polemizonte rreth asaj që ishin pajtuar dijetrët porse argumentonte me Kur’an, sunnet dhe Kijas. Nuk lëshonte pe në fenë e Allahut [subhanehu ve teala], e thonte të vërtetën të cilën e kishte kuptuar me zgjuarsinë e tij. Shumë shigjeta u gjuajtën prej një harku kundër tij por Allahu [subhanehu ve teala] e shpëtoi. Vetëm Allahun e luste, prej Tij kërkonte ndihmë, në Të mbështetej. Ishte durimtar i fjalëve të hidhura, i drejtë në fjalë, i guximshëm para sundimtarit të padrejtë. Kishte qëndrim të fortë, bënte xhihad në rrugë të Allahut me zemrën, gjuhën dhe dorën e tij, nuk u kushtonte rrëndësi fjalëve të ziliqarëve. Pas gjithë kësaj shohim se ai është më meritori për ofiqin “Shejhul Islam”, vërtet ai është dijetari i Islamit.

Qysh në fëmijërinë e tij u dallua me mendjemprehtësi të çuditshme, lexonte pa ndërprerë dhe i mësoi përmendësh shumë libra. Nxënësi i tij Bezzari thotë: “Vazhdimisht shfrytëzonte kohën që prej fëmijërisë së tij, mësoi Kur’anin përmendësh në vegjëli pastaj u angazhua në mësimin e Hadithit, Fikhut dhe rregullave të gjuhës arabe përmendësh derisa arriti kulminacionin. Prezetonte në tubimet e diturisë, në leximin e hadithit. Dëgjoi shumë libra të transmetuara me zinxhirë të saktë në tubimet shkencore kurse prej librave voluminoze dëgjoi disa herë Musnedin e imam Ahmedit, Sahihun e Buhariut, Sahihun e Muslimit, Xhamiun e Tirmidhiut, Sunenin e Ebu Davudit, Nesaiut, Ibën Maxhes dhe Darekutnit. Libri i parë që e mësoi përmendësh ishte El-xhem’u bejne sahihajn të Humejdit. Nuk kishte libër në shkencat fetare vetëm se e patë leuxuar. Allahu e patë veçuar me shumë gjëra, shumë shpejtë mësonte përmendësh, ngadalë harronte, në të shumtën e rrasteve atë që e dëgjonte apo lexonte mbetej në memorien e tij, tekstualisht apo me kuptim. Dituria sikur të ishte përzier me mishin, gjakun dhe tërë trupin e tij.”

Nxënësi i tij Ibën Abdul Hadi thotë: “…mësoi Kur’anin përmendësh, pastaj iu dha Fikhut, mësoi gjuhën arabe tek Ibën Abdul Kavij dhe e studioi librin e Sibevejhit, pastaj iu rrek Tefsirit me tërë qenien e tij derisa i tejkaloi garruesit, e përkreu Usululfikhun dhe shkencat tjera .. tërë këtë posa kishte kaluar të dhjetat e jetës së tij. Banorët e Damaskut u mahnitën me zgjuarsinë e tij, me kthjelltësinë e mendjes së tij, forcën e memories së tij dhe perceptimin e shpejtë të gjërave që kishte.”

Imam Dhehebiu shkruan për Shejhul Islamin: ” u lind në një familje të ndershme, të pastër, fetare dhe ekonomike në ushqim e të veshur. Që në vegjëlinë e tij prezentonte nëpër shkolla dhe tubime shkencore, debatonte me të rritur të cilët mbetnin pa përgjigje. Me dijen e thellë të tij habiteshin dijetarët e vendit të tij. Arriti gradën e muftiut në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, madje edhe më herët. Që në këtë kohë filloi të shkruajë…”, Imam Dhehebiu transmeton fjalët e disa dijetarëve për Shejhul Islamin të cilët kanë thënë: “E kemi njohur si njeri me dije të thellë, i kapërthente hadithet dhe fjalët e transmetuara nga të parët në memorien e tij. Nëse fliste në shkencën e Tefsirit mbante flamurin në këtë drejtim, nëse jipte fetfa në shkencën e Fikhut arrinte majen e qëllimit, kur pëmendte hadithe ishte dijetar i aftësuar në këtë shkencë, kur ligjëronte për popujt dhe fetë nuk kishim parë talent më të zhvilluar, as dituri më të gjerë se dituria e tij. I tejkaloi bashkëkohasit e tij në çdo fushë të diturisë, syri i njerut nuk ka parë si ai, as syri i tij nuk ka parë si vetvetja e tij.” Imam Dhehebiu poashtu thotë: “E ndihmoi sunnetin e pastër dhe rrugën e selefit të cilën e argumentoi me argumente dhe gjëra të papara deri në atë kohë.”

Ibën Tejmije [rahimehullah] mori dituri nga shumë dijetarë, biografët e tij i numëruan më tepër se dyqind mësues të tij. Ai ishte i kujdesshëm në shpërndarjen e diturisë së vet për atë shkak numri i nxënësve të tij arriti deri në 161, të gjithë arritën gradë të lartë të diturisë. Për të shpërndarë diturinë e gjërë që kishte shkroi edhe shumë libra numri i të cilave nuk mund të kapërthehet. Hafidh ibën Rexhebi thotë: “Librat e Shejhul Islamit janë tepër të njohura për t’u përmendur, tepër të pranuara për t’u mohuar, shkrimet e tij u bënë si Dielli për botën, të shpërndara nëpër qytete e krahina. Numri i veprave të tij kaloi kufirin e të shumtës, nuk mund asnjëri t’i numërojë ato as që është vendi për t’u përmendur ato.”

Imam Ibën Kajjim el-Xheuzije e shkroi një përmbajtje të librve të tij ku arriti të përmendë 321 librër të Ibën Tejmijes, mirëpo kjo nuk është e tëra, Imam Dhehebiu thotë: ” I mblodha veprat e Shejhul Islamit të cilat kishin arritur 1000 vepra, më pas gjeta edhe libra tjera të tij.”

Shejhul Islami shkroi në shumë sfera të diturisë, prej gjithë asaj që shkroi më tepër bie në sy akideja e selefu salihit (besimi i të parëve tanë të mirë), argumentimi i akides së selefit dhe demantimi i mendimeve kundërshtare të apologjetëve, filozofëve, sufinjëve, rafidijve, batinijëve dhe grupacioneve tjera të humbura e të kota të cilët patën për qëllim zhdukjen e sheriatit dhe futjen e dyshimeve te njerëzit. Shejhul Islami këtë e konsideronte obligimin më të rrëndësishëm dhe thoshte se çdo herë që përsëriten rregullat e konsolidimit të akides së selefit dhe shkatërrimit të shirkut dhe bidateve aq më tepër qartësohen ato, e kjo është dritë mbi dritë. Nuk është vetëm kjo e tërë veprimtaria e tij porse ai e nxori akiden në praktikë kur i theu disa gurë të cilët njerëzit i adhuronin pëveç Allahut [subhanehu ve teala] dhe i preu disa drunjë që adhuroheshin. Me këtë u realizua duaja e Imam Neveviut i cili e luti Allahun [subhanehu ve teala] që të dërgojë një njeri i cili do të prishë varrin në Xhejrut. Ashtu edhe ndodhi, Shejhul Islami e theu këtë idhull.

Allahu [subhanehu ve teala] e ruajti diturinë e Shejhul Islamit deri në ditët tona dhe inshalla do ta ruaj deri në ditën e Kijametit. Shumë dijetarë parashikuan përhapjen e diturisë së tij, prej tyre Imam Ahmed el-Merrij, Ahmed ibën Tarhan, Hafidh ibën Haxheri dhe shumë të tjerë. Kjo nuk është vetëm se largëpamsi që Allahu e vendosi në zemrat e tyre. Për të mos e zgjatur po përmendim vetëm fjalën e Hafidh ibën Haxherit i cili pas lëvdatës për Shejhul Islamin jep sinjal për mbetjen e diturisë së tij përgjithmonë, ai thotë: “Ofiqi i tij -Shejhul Islam- ka mbetur deri në ditët tona në gjuhët e pastra e ajo që ishte dje do të vazhdjë edhe nesër, këtë nuk e mohon askush përveç atij që nuk e din vlerën e tij dhe që ëshë larguar nga fjala e drejtë.”

Shejhu Islami ishte dijetarë fjala e të cilit përputhej me veprat e tij. Derdhi tërë mundin e tij për të përhapur davetin e vërtetë. Mirëpo ziliqarët nuk ndejtën duarkryq. Ata i kurdisën kurthë duke shpifur për të gjëra që vetë Shejhu i luftonte. Në vitin 719 h. u burgos. Aty mbeti deri në fund të jetës së tij, shkruante pandërprerë dhe ua dërgonte shkrimet dashamirëve të tij. Në vitin 728 h. iu ndalua letra, penda dhe libri. Pas kësaj iu kushtua adhurimit të Allahut [subhanehu ve teala] duke lexuar Kur’an, duke përmendur Allahun, duke falë namaz nate derisa i erdhi vdekja. E lexoi Kur’anin gjatë kohës së burgimit 80 herë apo 81 herë. Për së fundi herë arriti deri te fjala e Allahut: “Momenti është afruar…” (Kamer-1)

Nxënësi i tij Bezzari për ditët e fundit të jetës së Shejhul Islamit thotë: “Shejhu jetoi deri në natën e 22 të muajit Dhulka’de. Ndërroi jetë në mëngjesin e asaj dite në vitin 728 hixhrij. Tërë kohën bënte xhihad në për hirë të Allahut, ishte durimtarë, shpresonte shpërblimin e Allahut. Nuk u frikësonte nga armiqtë, as që shqetësohej, nuk dobësohej porse ishte i drejtuar kah Allahu deri në momentin e vdekjes. Kur dëgjuan njerëzit për vdekjen e tij, nuk mbeti asnjë njeri në Damask, u mbyllën të gjitha tregjet e Damaskut, u ndal zhvillimi i jetës normale atë ditë , të gjithë erdhën për t’ia falur namazin kufomës së tij. Njerëzit i lanë punët e tyrë, të gjithë u preukopuan me vdekjen e Shejhut. Dolën për t’ia falur namazin udhëheqësit, kryetarët, dijetarët, fukahatë, burrat, gratë, fëmijët dhe masa e gjerë…”

Në shumë vende të shtetit islam kur arrinte lajmi për vdekjen e Shejhul Islamit ia falnin atij namazin e Xhenazes. Ibën Kethirri ka përmendur se i është falur namazi i xhnazes edhe në Medinen e Pejgamberit [alejhis-selam]ditën e Xhuma, në fund të muajit Rebiulahar në vitin 829 h., pesë muaj pas vdekjes së tij.

Kështu e përfundoi jetën 67 vjeçare Shejhul Islami duke bërë xhihad dhe duke i këshilluar njerëzit. Ziliqarët dhe tradhëtarët e tij u harruan e mbeti dituria e shejhut dhe mbetën gjurmët e tij, po edhe do të mbeten inshaAllah deri në ditën e fundit.

Allahu e mëshiroftë Shejhul Islamin me mëshirën e Tij të gjerë, e shpërbleftë për punën e tij, i shumëfishoftë të mirat e tij Ditën e Kijametit dhe na udhëzoftë neve që të ndjekim menhexhin(metodën) e të devotshmëve.

WE SAL-LALLAHU ALA MUHAMMEDIN WE ALA ALIHI WE SAHBIHI EXHMEIN.

Përgatiti më: 9. 2. 2001

Agim Bekiri

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit