SHEJH NASIRUDIJN ALBANI
Hadithologu më i Shquar i Këtij Shekulli
Nasirudin Nuh Nexhati, apo siç njihet nga të gjithë si Albani (për shkak të origjinës së tij shqiptare), ka lindur në Shkodër, në vitin 1914, në një familje të varfër, por fetare. Babai i tij, Haxhi Nuhu, pasi studioi disa vite me radhë në Stamboll, u kthye në vendlindjen e tij, për t’iu përkushtuar arsimimit të popullit dhe pajisjes së tij me njohuritë më të nevojshme fetare. Me ardhjen në pushtet të Ahmed Zogut, u duk mjaft afër se Shqipëria po shëndërrohej dalëngadalë në një shtet sekularist (laik), i cili mund të pengonte deri diku zhvillimin normal të jetës fetare islame, andaj shumë familje u shpërngulën nga Shqipëria për t’u vendosur në vende të ndryshme të botës. Njëra prej këtyre familjeve ishte dhe familja e Haxhi Nuhut, i cili zgjodhi Damaskun për t’u vendosur përfundimisht. Në këtë qytet Nasirudini i vogël kaloi fëmijërinë e tij dhe kreu shkollën fillore. Babai i tij, i pakënaqur nga programi mësimor i shkollave të qytetit të Damaskut, e largoi atë nga shkolla dhe në të njëjtën kohë përpiloi një program të caktuar për të mësuar vetë djalin e tij. Nasirudini ishte një djalë i zellshëm dhe ishte i dhënë shumë pas leximit. Ai lexonte gati çdo gjë që i binte në dorë, por interesimi i tij për shkencën e hadithit u zgjua në moshën 20 vjeçare si pasojë e një artikulli të botuar në revistën “Menar”, i cili bëntë një analizë të librit të Imam Gazaliut “Ringjallja e diturive fetare” duke vënë në dukje anët pozitive dhe negative të librit. I tërhequr nga analiza e librit në fjalë, ai vendosi që ta merrte me qira, pasi nuk kishte para të mjaftueshme për ta blerë.Ky pra ishte hapi i parë që hodhi Albani në detin e pafund të shkencës së hadithit, në të cilën ai u bë më vonë një nga figurat më të njohura botërore.Albani filloi të kalonte në një prej bibliotekave të Damaskut një pjesë mjaft të madhe të kohës së tij. Ai studionte atje 8 – 12 orë në ditë dhe nuk ndiente lodhje nga ky lexim i gjatë, i cili e bënte të ishte më këmbëngulës dhe më kërkues nga vetvetja. E gjithë kjo bëri që emri i Nasirudin Albanit të bëhej i njohur në rrethin e dijetarëve të hadithit.Për shkak të aktivitetit të tij të pandërprerë dhe përpjekjeve të tij të palodhura në shërbim të Sunetit, ai u bë pre e shpifjeve të shumë ziliqarëve, andaj edhe futet në burg ku qëndron gjashtë muaj. Pasi del nga burgu, ai iu përgjigj ftesës së Universitetit Islamik të Medines për të mbajtur leksione rreth shkencës së hadithit. Në këtë detyrë ai qëndroi tre vite, mirëpo shpifjet e ziliqarëve nuk munguan as atje, andaj për shkak të shkarkimit nga detyra, ai detyrohet të kthehet përsëri në Damask. Qëndrimi i tij në këtë qytet nuk zgjati shumë, pasi u detyrua që të largohej për në Jordani, Liban, Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’u kthyer e për t’u vendosur përfundimisht në Aman, kryeqytetin e Jordanisë ku edhe ndërroi jetë më 2.10.1999. All-llahu [subhanehu ve teala] e shpërbleftë me Xhennet.