1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Shefat vendosin për reformën zgjedhore

Më të lexuarat

Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Blerim Shala e Behgjet Pacolli e kanë në dorë zhbllokimin e reformës zgjedhore. Ata duhet të arrijnë një marrëveshje për numrin e zonave zgjedhore dhe mënyrën e hapur apo të mbyllur për listat zgjedhore.
Deri më tash, partitë kryesore kanë dhënë propozime të ndryshme për zonat zgjedhore, duke ia pamundësuar Komisionit për Reformën Zgjedhore të marrë një vendim konsensual për të zhbllokuar përmbylljen e ndryshimeve të Ligjit për Zgjedhje.

Kështu, PDK ka propozuar prej 6 e më shumë zona; LDK më shumë se dhjetë; AAK njëqind; Vetëvendosje, SLS dhe Gjashtë Plusi kanë propozuar të mbetet edhe më tutje Kosova me një zonë zgjedhore.

Asnjëri propozim nuk ka marrë shumicën e votave në Komisionin nëntë anëtarësh, shkruan Express.

Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, ka thënë se pas kësaj situate duhet të mblidhen liderët dhe të arrijnë një marrëveshje për numrin e zonave.

“Sa i përket zonave dhe listave zgjedhore, fjala e liderëve do të jetë vendimtare. Sepse, nëse do të kishim pasur ne anëtarët e Komisionit konsensus, atëherë nuk kishim pasur nevojë për ndihmën e liderëve. Mirëpo, situata ka qenë e tillë që pesë propozime dhe nëntë anëtarë nuk kemi mundur të arrijmë në marrëveshje”, ka thënë Demolli.

Sipas tij, liderët e partive politike kanë nisur takimet dhe diskutimet për të arritur një marrëveshje për zonat dhe listat zgjedhore.

Partitë politike, pas presionit ndërkombëtar, kanë arritur marrëveshje për të ndryshuar Ligjin e Zgjedhjeve dhe për të ndryshuar formën e zgjedhjes së presidentit. Se a do të ketë nevojë të përsëritet ky presion edhe për përmbylljen e procesit, Demolli thotë se për këtë vendosin liderët vendorë.

“Nuk mendoj se ka nevojë për presione. Besoj se do të ketë marrëveshje mes liderëve tanë”, ka thënë ai.

Mandati dymbëdhjetë muajsh i Komisionit për Reformën Zgjedhore përfundon të dielën. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit