Uashingtoni thotë se shpreson se marrëveshja për rolin e ardhshëm të trupave amerikane në Afganistan, pasi nga ky vend të largohet pjesa më e madhe e ushtarëve të jashtëm, deri në fund të vitit 2014, do të nënshkruhet së shpejti.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të shtetit tha mbrëmë se të dy palët vazhdojnë të bëjnë progres.
Këto komente u bënë disa orë pasi presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe forcat e NATO-s për shkeljen e sovranitetit të Afganistanit.
Kjo deklaratë e tij u bë pas sulmit ajror të NATO-s në provincën Nangarhar më 5 të këtij muaji.
Kabuli tha se pesë civilë ishin vrarë, përfshi 3 fëmijë.
Por, NATO-ja u arsyetua se kishte marrë në shënjestër militantët, që ishin përpjekur për ta sulmuar aeroportin i cili shfrytëzohet nga forcat ndërkombëtare, dhe ka premtuar se do të zhvillohen hetime.