ShBA-ja kërkon të mësojë nëse Rusia ka qenë bashkëfajtore për sulmin kimik në Siri kryer nga regjimi i Beshar Esad, theksoi të martën një zyrtar i lartë amerikan.
“Si është e mundur që forcat ruse ndodheshin në të njëjtën bazë me forcat siriane që kanë përgatitur, planifikuar dhe kryer këtë sulm dhe nuk e kanë ditur më parë?”, nënvizoi zyrtari nën mbulimin e anonimatit.
“Ne mendojmë se kjo është një çështje që duhet të pyesim rusët”, shtoi zyrtari ndërkohë që kreu i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson ndodhet në Moskë për të diskutuar për këtë sulm dhe sulmin ndëshkues që ShBA-së që pasoi.
“Ne kemi parë ushtarët rusë dhe sirianë të ndërhyjnë në mënyrë shumë të ngushtë, në një nivel pothuajse operacional”, nënvizoi ai.
Një zyrtar tjetër i administratës amerikane akuzoi Moskën për përhapje të konfuzionit në botë për rolin e regjimit sirian në këtë sulm kimik.