-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

SHBA-ja bashkëpërgjegjëse për dhunën në Egjipt

Më të lexuarat

Me qëndrimin e saj pasiv, SHBA-ja mban përgjegjësi për rritjen e nivelit të dhunës brutale në Egjipt, thonë kritikët. Ekspertët kanë mendime të ndryshme sa i përket influencës amerikane në këtë vend.
Pas ndërhyrjes së dhunshme të ushtrisë egjiptiane kundër Vëllazërisë Myslimane, në SHBA u kumtua qëndrimi zyrtar i cili është dëgjuar në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.

“SHBA-ja dënon rreptësisht masat që kanë ndërmarrë qeveria kalimtare dhe forcat e sigurisë”, deklaroi presidenti Barack Obama më 15 gusht.

“Ne jemi kundër dhunës ndaj civilëve”, tha Obama, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vlerave njerëzore dhe të drejtën për protesta paqësore.

Shumë media pohojnë se një deklaratë kaq e shkurtër e Obamas nuk mjafton, kur dihet se këtu bëhet fjalë për qindra të vrarë brenda një dite.

London Times shkruan se “lejimi i heshtur i dhunës në botën islame kuptohet si mbështetje”.

New York Times kërkon prej SHBA-ve që të ndërpresë ndihmën prej 1,3 miliardëve euro për ushtrinë e Egjiptit.

Washingtoni ka refuzuar deri tani që rrëzimin e Mursit ta quajë si puç, sepse kjo do të nënkuptonte ndërprerjen e menjëhershme të ndihmave prej Kongresit amerikan.

“Qeveria amerikane gjendet tani para një konflikti”, thotë për Deutsche Wellen, Paul Roberts nga organizata britanike “Oxford Research Group”. Ajo do të dëshironte që Vëllazëria Myslimane të mos kenë fituar zgjedhjet e vitit të kaluar në Egjipt.

“Më e mirë do të ishte për Washingtonin një qeveri properëndimore, qoftë edhe duke mbetur pushteti në duart e ushtrisë”.

Rogers mendon se mbështetja e gjeneralëve egjiptianë në shtigje të gjata mund të jetë kontraproduktiv për SHBA-në.

“Nëse ushtria e përdor këtë nivel dhune si tani, kjo nënkupton edhe mundësinë e radikalizimit të mëtejmë të gjendjes, që nuk është në interesin amerikan”, thotë ai.

Tarek Radwan, zëvendësdrejtor i organizatës amerikane “The Atlantic Council”, nuk është fare dakord me reagimin amerikan ndaj ngjarjeve në Egjipt.

“Ndërkohë, edhe anëtarë të kabinetit qeveritar amerikan e kanë kuptuar se strategjia e tyre ka dështuar”, thotë ai për DW. “Duket sikur SHBA-ja gjithmonë po vonohet një hap”.

Radwan nuk i vlerëson as deklaratat e Obamas për manovra të përbashkëta me ushtrinë egjiptiane.

“Kjo ka mundur të jetë një mjet presioni para ngjarjeve të fundit”, mendon Radwan.

Edhe komentatorë të tjerë mendojnë se Washingtoni nuk e ka më influencën e mëparshme.

“SHBA-ja ka gabuar që gjërat nuk i ka quajtur në fillim si probleme shtetërore”, mendon Maza Azzam, eksperte e “Chatham House” duke shtuar se “heshtja amerikane ka bërë që të shtohet dhuna brutale e ushtrisë ndaj demonstruesve”.

Ndërkohë, Egjiptit i jepen ndihmat më të mëdha financiare amerikane, pas Izraelit.

“Shkurtimi i këtyre ndihmave do të ishte një grusht i rëndë, sepse regjimi ushtarak në Egjipt nuk do që të jetë i izoluar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian”.

Edward Turzanski nga Instituti amerikan për Politikë të Jashtme mendon se rëndësia e madhe e Egjiptit për SHBA-në ka të bëjë edhe me lidhjet e tij të ngushta me Izraelin.

“Egjipti është vendi më i madh arab dhe paraqet boshtin e këtij rajoni. Ndërsa, Marrëveshja e arritur në Camp David, për miqësi mes Egjiptit dhe Izraelit, ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, thotë ai. “Amerikanët duan që ta evitojnë me të gjitha mjetet mundësinë e kthimit të Egjiptit kundër SHBA-së apo Izraelit”.

Turzanski beson se në të ardhmen një rol të rëndësishëm mund të luajnë Rusia dhe vendet e Gjirit, në qoftë se amerikanët e ndëpresin mbështetjen financiare.

“Askush nuk flet hapur, por në rastin më të keq, dihet se Rusia e ka mbështetur dhe po e mbështet edhe regjimin e Assadit. Putini mund t’i thotë regjimit ushtarak: shikoni, nëse amerikanët ua kanë kthyer shpinën, ne nuk do ta bëjmë këtë”, mendon ai. /DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit