Qendra amerikane për “Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve” vlerësoi se ka rreth 20 milionë raste të reja të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në vit, ku kostoja e trajtimit të këtyre sëmundjeve arrin në 16 miliardë dollarë në vit.
Një raport i Entit Federal, i publikuar të mërkurën, pohon se të rinjtë e moshës 15-24 vjeç, janë më të prekur nga këto sëmundje, veçanërisht nga virusi HPV (virusi human papilloma), ku numri i të prekurve me këtë virus arrin në 14 milionë raste të reja. Rreziku kryesor i virusit human papilloma, është se mund të shkaktojë edhe disa sëmundje, përfshirë kancerin e qafës së mitrës tek femrat.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thekson se këto shifra janë të bazuara në vlerësime konservative dhe se numri i të prekurve në Shtetet e Bashkuara mund të jetë shumë më i lartë se këto vlerësime. /krenaria.com/