1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Shala: Shteti i shkelur!

Më të lexuarat

Publicisti Blerim Shala është shprehur tepër pesimistë me zhvillimet në Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 17 Shkurt 2008. Ai ka thënë se nga viti 1999 deri në vitin 2008 ka pasur arritje të jashtëzakonshme, mirëpo vitet e fundit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, shoqëria e Kosovës po degradon, dhe se askush nuk është i kënaqur përveç qeveritarëve që shfaqen nëpër televizione me optimizmin e tyre të rrejshëm.

 Shala, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në emisionin Rubikon të KTV-së, ka shpjeguar pse në njërin nga librat e tij të fundit “Shteti i shkelur” është treguar tepër pesimistë lidhur me zhvillimet e përgjithshme në Kosovë viteve të fundit. Ai ka folur për politikën, për politikanët, për identitetin kombëtar dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Kosova, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, ka arritur të menaxhojë me sukses provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, ka arritur me sukses të vendosë raporte të mira me komunitetet pakicë, por ka dështuar në shumë pika tjera të rëndësishme për forcimin e shtetit”, ka thënë Shala duke përmendur edhe pyetjet që disa diplomatë amerikanë nga dëshpërimi ua kishin bërë drejtuesve të Kosovës pas vitit 1999, si ajo e Richard Holbrook: “E kemi ditur që duhet t’ju mbrojmë nga Serbia, por nuk e kemi ditur se duhet t’ju mbrojmë nga vetvetja”; dhe e Medeline Allbright: “Dëshironi të bëni shtet të mirëfilltë apo të dështuar”.

Shala ka thënë se gjendja gjatë këtyre viteve ka arritur deri aty sa në sytë e qytetarëve secili nga politikanët e Kosovës është hajn. Mbase sipas tij, pritjet e qytetarëve pas shpalljes së pavarësisë nuk kanë qenë reale, porse siç ka thënë ai, është shumë e vërtetë që drejtuesit e shtetit nuk kanë punuar që ata të ndjehen krenarë me Kosovën e tyre. Ai ka thënë se qytetarët nuk duhet mashtruar se do të hiqen vizat edhe pesë-gjashtë muaj, se Kosova do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda pesë-gjashtë vjetëve, por duhet t’u thuhet e vërteta.

“Kosova nuk mund të ndryshojë asgjë derisa nuk e arrin buxhetin prej të paktën tre miliardë eurove dhe ka gjasa që do të kalojnë vite derisa kjo të arrihet, sepse mungon strategjia. Dhe sipas rekomandimeve ndërkombëtare, nuk duhet të ketë rritje pagash edhe katër vjet. Kështu Qeveria vendnumëron dhe kur problemet arrijnë kulmin ngrihet shpejt dhe thyen qafen. Ashtu sikur ka ndodhur edhe me veriun deri më tani”, ka thënë Shala. Ai ka thënë se në vend që Qeveria të bëjë rritje graduale të çmimit të energjisë për çdo vit, tani kërkon të bëjë rritjen prej 30 për qind çfarë është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

“Koncepti bazik i shtetit nuk duhet të ndryshojë çdo katër vjet, pushtetet ndryshojnë, ndryshojnë kryeministrat, por proceset shtetërore duhet të çohen përpara pavarësisht se kush i fillon. Duhet të ketë strategji, por nuk mund të themi se sot jemi me Perëndimin dhe pas katër vjetësh të nisemi drejt Lindjes, sepse identiteti i shqiptarëve në Ballkan është i qartë dhe vetëm njerëzit e palexuar ngatërrojnë me ose pa qellim shtetësinë me kombin”.

Shala ka thënë se në rastin e Kosovës gjithçka është e qartë, Kosova është shtet i shqiptarëve, shqiptarët e Kosovës kanë shtetësi kosovare, ndërsa etnia e tyre është shqiptare. “Identiteti ynë është shqiptar, nënidentitetet janë: mysliman, katolik, ortodoks. Natyrisht, dihet që shumica e shqiptarëve të Kosovës janë mysliman që kanë kultivuar me shekuj tolerancën dhe islamin tradicional dhe këto vlera duhet ruajtur”, ka thënë Shala, i cili ka qenë edhe koordinator i Ekipit të Unitetit për zgjidhjen e statusit të Kosovës në bisedimet e Vjenës përpara shpalljes së pavarësisë.

Publicisti Shala ka shprehur nevojën e transformimit të politikanëve në mënyrë që shtetasit e Kosovës të ndjehen krenarë me Kosovën dhe shtetet që e kanë njohur Kosovën të mos pendohen me vendimin që kanë marrë, që sipas tij tashmë ka edhe prej tyre. Ai ka thënë se është e paimagjinueshme që në vitin 2012 të mbahen ligjërata patriotike të viteve të 90-ta.

“Duhet të transformohemi, të transformojmë partitë, të bashkohemi dhe ta bëjmë Kosovën vërtetë shtet të zhvilluar dhe demokratik. Nuk duhet të anashkalojmë meritat e askujt, por nuk duhet folur në veten e parë siç bën shembull kryeministri Hashim Thaçi… Askush nuk mund të thotë se ka pasur projekt personal pavarësinë e Kosovës. Ka qenë guxim i jashtëzakonshëm të luftosh me Serbinë, por nuk mund të mbetesh politikan apo komandant i përjetshëm. Shteti nuk i ka borxh askujt, ndërsa secili prej nesh i kemi borxh shtetit. Andaj është koha që sa më parë të ndryshojmë këtë mentalitet dhe ta bëjmë Kosovën ashtu si e duan qytetarët, të krenohen me të, ta çojmë aty ku e ka vendin – ta bëjmë anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”./kohaislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit