Kryetari i Komisionit Parlamentar për AKI, Haxhi Shala, ka ritheksuar se presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Brendshëm, Skendër Hyseni, kanë qenë në dijeni për lëvizjet e njerëzve të armatosur nëpër Kosovë e që për qëllim kishin përgatitjen e planit për krijuar incidente në Maqedoni.
Ai është shprehur i befasuar me deklaratat e Kryeministri Isa Mustafa dhe ministrit të Brendshëm, Skendër Hyseni, të cilët kanë mohuar se kanë qenë në dijeni për grupin e armatosur kosovarë që u përfshi në konflikt ditë me parë në Kumanovë të Maqedonisë.
“Presidentja, kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë qenë në dijeni për grupin e armatosur dhe i kanë ditur me emër e mbiemër njerëzit të cilët kanë qenë duke përgatitur sulme të armatosura në Maqedoni”, ka thënë Shala në Klan Kosova, transmeton ORAinfo.
Edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e ka pranuar se institucionet e Kosovës kanë pas informacione për grupin e armatosur. Ai ka kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit e shtetit kosovar për ngjarjet e krijuara në Kumanovë.