-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Sfidat me populizmin

Më të lexuarat

Nuk ka gjë më të vështirë se sa të prodhosh alternativa politike përballë populistëve”, shkruan në librin e tij “Ç’është populizmi” filozofi dhe historiani gjerman… Jan-Werner Muller. Në fakt, populizmi është i lidhur ngushtësisht me komunikimin, e për pasojë, zërat e komunikimit në ndërrjetet online kthehen në lëndën e parë të politikës, e cila tenton t’i përkthejë në identitetin e tyre të premtimeve. Shprehjet “Ne jemi populli”, “Ne jemi zëri i kombit”, e kanë bazën në dëshirën e shumë qytetarëve për të komentuar apo për të dhënë opinionet e tyre.

Por mungesa e informacionit, pamundësia për të analizuar në mënyrë shkencore apo filozofike si dhe emocionet e pashmangshme në dhënien e opinioneve, i kthejnë komentuesit më shumë në shërbim të atyre që i emërtojnë dëshirat e tyre. Lidhur me këtë rrezik, ish-kreu i Bundestagut, Norbert Lammert, theksoi në dhjetëvjetorin e fondacionit “Konrad Adenauer”, në Tiranë, se demokracia do të ishte në rrezik nëse në një shoqëri do të humbte pjesa që vepron në mënyrë demokratike në marrëdhëniet shoqërore.

Pra, nëse një pjesë e shoqërisë, që gjithnjë ka qenë orientuese për pjesën tjetër, si shkencëtarët, shkrimtarët dhe opinionistët e rëndësishëm të mediave, nuk arrijnë më të prodhojnë një mendim mbi lirinë, apo të jenë një mbështetje publike për të drejtën dhe të vërtetën, atëherë pushteti do të tentojë ta zërë këtë frekuencë me simbolika të tilla, që më shumë sesa ide, prodhojnë një urrejtje ndaj traditës, ndaj të pasurve dhe të diturve.

“Demokracitë ekzistojnë për sa kohë që demokratët ngrihen në këmbë për ruajtjen e tyre. Sapo ata nuk e bëjnë më këtë apo bien pre e besimit të gabuar se demokracia është e vetëkuptueshme, rendi demokratik fillon të shpërbëhet”, u shpreh Lammert, duke ftuar të lexojmë historitë e sotme të debateve në disa prej vendeve me demokraci funksionale që përballen me këto pyetje të rëndësishme të ruajtjes së institucioneve demokratike. Lammert ishte si një vazhdë e diskutimit të madh që kanë hapur dy profesorët e Harvardit, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, përmes librit të tyre “Si vdesin demokracitë”. Levitsky dhe Ziblatt shtrojnë, pikërisht nevojën e debatit të hapur për lëvizjet e sotme politike në shumë vende në botë, të cilët, në një mënyrë apo në një tjetër, kërkojnë të krijojnë shumicën qeverisëse, duke iu drejtuar shoqërisë së thjeshtë që të mos qëndrojë më e papërfaqësuar.

Politologët bien dakord se, shumica nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe të vërtetën, por nënkupton, më së shumti, interesat. Dhe nën diktatin e interesave, të papërfaqësuarit mund të mbeten sërish të tillë, edhe pse fituesit vijnë në pushtet me parullat “në emër të besimit kombëtar” apo “për një politikë që përfaqëson vetëm popullin”. Por, a e rrezikojë populistët një funksionim demokratik të shtetit dhe shoqërisë?

Sipas Mullerit, modeli i lëvizjeve populiste është përgjithësisht antielitizëm dhe antiinstitucional, duke krijuar premisat e një lëvizje të re që përfshin gjithë shoqërinë përmes ngacmimit se gjithkush ka të drejtë të vendosë dhe të përfaqësohet. Këto lëvizje shkaktojnë më së pari një pasiguri institucionale, çka rrezikon më pas t’i kthejë të tria pushtetet, përfshi edhe median si pushtetit i katërt, në shërbim të një pushteti të vetëm: atij politik.

Madje, ajo që parashikon Levitsky dhe Ziblatt, është fakti se, shumë prej ndryshimeve në dëm të demokracisë, bëhen me ligje apo në emër të ligjit, duke dhënë idenë se gjithçka është e mbështetur në vullnetin e votës së ligjvënësit, pra, në respektimin e pushtetit të shumicës. “Rruga elektorale e shkatërrimit të demokracisë është e rrezikshme në vellon e mashtrimit që hedh… Sipas mënyrës elektorale, asgjë e çuditshme nuk ndodh me Kushtetutën. Madje, nuk ka as tanke në rrugë e as ekzil për ish-drejtuesit e mëparshëm. Kushtetuta dhe institucionet e tjera demokratike vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre.

Njerëzit votojnë. Por, janë ata, autokratët e zgjedhur, që nën velin e demokracisë, gërryejnë e zbrazin gjithë substancën e saj”, shkruajnë dy profesorët e Harvardit në librin “Si vdesin demokracitë”. Por a është populizmi vetëm një dështim apo sjell edhe ndryshime në shoqëri? Autorë të shumtë politikë, të cilët janë marrë së fundmi me ngjarjet në Britani me Brexit, apo në Itali me “Pesë yjet”, në Greqi me “Syrizan”, me “Podemos” në Spanjë, si dhe që kanë analizuar ndryshimet në shumë vende në Amerikën Latine, ku flitet gjithnjë e më shumë “Në emër të popullit të vërtetë”, e shohin populizmin si një sfidë të asaj që njihet si “politika e përfaqësimit”.

Sipas Muller, populistët në parim nuk janë kundër përfaqësimit politik, por ata këmbëngulin se janë të vetmit përfaqësues legjitimë, duke i dhënë të drejtë vetes më pas që të pushtojnë sferën e pushteteve të tjera. Ndërsa Levitsky dhe Ziblatt këmbëngulin në frikën e zhbërjes së substancës së institucioneve, që kthen në një formalizëm të gjitha ndarjet e pushtetit.

Arma më e madhe e populistëve është dyshimi dhe pasiguria, përmes të cilave krijojnë edhe terrenin e ardhjes apo mbajtjes së pushtetit, duke krijuar më së shumti një ndrydhje intelektuale. Ndërkohë, Muller thekson se, përdorimi i sloganeve politike si përfaqësues të “popullit të vërtetë” apo “shumicës së heshtur”, i kthejnë populistët në një përfaqësi të vështirë përballë alternativave të tjera, pasi qasja e tyre është e vështirë të rrëzohet nga ana empirike.

“Gjithë pushteti buron nga populli. Por, ku shkon?”, pyeste në mënyrë ironike shumë vite më parë poeti i famshëm Bertolt Breht, duke vënë gishtin në pasojat e flirtimit demagogjik të populistëve mbi turmat. Breht parashikoi më së pari populizmin kulturor, që bazohet te spektakli, çka dërgon më pas në periferi të shoqërive artistët dhe mendimtarët e vërtetë. Dhe, me mënjanimin nga shoqëria apo me korruptimin moral të asaj pjese që është konsideruar gjithmonë si “Të Urtët”, rrugët e kontrollit të pushtetit politik të transferuar nga turmat te qeverisësit, duken gjithnjë e më të pamundura.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit