Shkruan: Milazim Krasniqi
Kërkesat e ripërsëritura publike të disa institucioneve dhe subjekteve legale të vendit tonë, për të inkuadruar lëndën e edukimit fetar në shkollat publike, është e mbështetur në praktikat e mira të shkollave publike në vendet, të cilat respektojnë të drejtat e njeriut dhe liritë fetare dhe që synojnë të ruajnë e të kultivojnë identitetet kulturore, besimore e kombëtare. Diskutimi brenda këtij kuadri është i rëndësishëm, që të evitohen tendencat e disa qarqeve, që bëjnë kujdestari për të lancuar dyshime e akuza ndaj bartësve të këtyre kërkesave, si gjoja prishës të orientimit evropian të shqiptarëve dhe të identitetit tonë kombëtar. Agresiviteti i këtyre qarqeve, në fakt, është në funksion të injektimit të frikës te të gjithë ata që qëndrojnë para këtyre kërkesave, që t’i zmbrapsin dhe që të vazhdojë gjendja e deritashme e çmoralizmit të shoqërisë nga pasojat e ideologjisë komunistoateiste dhe të urrejtjes patologjike me prejardhje pansllaviste ndaj Islamit.
Edukimi fetar në shkolla
Arsyet e aplikimit të një lënde të veçantë të edukimit fetar në shkollat tona publike janë të shumta, po unë do të fokusohem në njërën prej tyre e që ka të bëjë me pengimin e procesit të tjetërsimit kulturor, besimor e kombëtar të neve shqiptarëve në trendët e globalizimit. Natyrisht këtu në Kosovë, ende ka shpresë më shumë që tjetërsimi i panatyrshëm të pengohet, ndërsa në Shqipëri e pamë se si konvertimi masiv i shqiptarëve në grekë, ishte duke e zhdukur një pjesë jo të vogël të kombit tonë, për çka u desh të ndodhte ndërhyrja e shtetit që të pengohej epidemia e dealbanizimit demografik të jugut të Shqipërisë. Shembulli i Shqipërisë, ku ateizmi vulgar ka dëmtuar në palcë identitetin kulturor, besimor e prej andej edhe kombëtar, duhet të na shërbejë si alarm, për të parandaluar kobin e tjetërsimit edhe të ndonjë pjese të kombit në shtetin tonë të ri e të pastabilizuar ende. Këtu nuk bën punë llafazanëria primitive e antiislamikëve fanatikë, po bëjnë punë zgjidhjet adekuate, të cilat do ta mbronin identitetin tonë shumëplanësh, e ku pa dyshim roli i shkollës publike dhe i edukimit fetar si njëra nga unazat përbërëse të shtyllës së saj kurrizore, do të luanin një rol shumë pozitiv. Cila është gjendja aktuale identitare e shqiptarëve në Kosovë, kur po zhvillohet ky debat e kur po shtrohen këto kërkesa të ligjshme? Sot një pjesë e bashkëkombësve tonë edhe në Kosovë, po e përjeton procesin e tjetërsimit kulturor, besimor e kombëtar ashtu siç përjeton një njeri i sëmurë përparimin e sëmundjes në organizmin e tij, duke e ndier përparimin e saj, po në të njëjtën kohë duke mos e pasur as guximin që ta pranojë se ai përparim po ndodhë dhe po e shpie drejt ndryshimit jetën e tij. Si edhe të gjitha analogjitë e tjera, edhe këto e kanë një asimetri brenda vetes: përderisa sëmundja nuk është e vullnetshme, nuk është zgjedhje e vetë njeriut të sëmurë, tjetërsimi në rrethanat tona të anarkisë së zgjedhjes, tingëllon si i vullnetshëm, si zgjedhje e lirë e atyre që i janë ekspozuar atij ndryshimi, paçka se në fakt është i nxitur nga naiviteti dhe nga prirje hedoniste që nuk frenohen lehtë.
Impulset hedoniste
Pikërisht impulset hedoniste janë impulset kryesore, që i nxisin kryesisht të rinjtë drejt inkuadrimit në sisteme të tjera të vlerave kulturore, e që pastaj i rrezikon t’i përfshijë në procesin e tjetërsimit kulturor. Lajmotivi hedonist, “Kënaqu tash”, ka shkaktuar një ciklon trullosës në gjeneratat e reja anekënd globit, duke përfshirë madje edhe rininë e qytetërimeve më rezistuese ndaj konceptimit hedonist të jetës, sikundër janë qytetërimi konfuçianist dhe ai islam. Një pjesë e konsiderueshme e rinisë në gjithë botën sot, po shkëput me shpejtësi lidhjet me traditat kulturore të kombit të vet e të fesë së vet dhe po inkuadrohet në “kulturën globale”, me parashenjën hedoniste “Kënaqu tash”. Në vend të soditjes së artit, që ka qenë koncepti themelor i estetikës moderne, ndodh pjesëmarrja në “krijimin e artit”, me anën e ulërimave. Në vend të mesazheve që do të duhej të përthitheshin nga një ngjarje kulturore, e që mund të shndërroheshin në shenja të deshifrueshme të situatave jetësore, ndodh konfuzioni edhe më i madh, bllokimi i energjive kreative të individit, barazimtaria intelektuale, morale e estetike, në një shkallë shumë të ulët të tyre, po të krahasohet me shkallët që kanë arritur ato vlera shumë më herët, në periudhat pararendëse kulturore e historike. Hyrja në këtë proces të tjetërsimit, e nxitur nga motivi hedonist në fillim, më vonë merr drejtimin e shndërrimit në një vuajtje kronike e humbje të paevitueshme të viktimave të tjetërsimit kulturor. Rritja e tmerrshme e numrit të narkomanëve, të homoseksualëve, të delikuentëve e të kryesve të veprave kriminale, pjesërisht është edhe produkt i këtij tjetërsimi kulturor. Energjitë që u duhet shoqërive të sotme moderne, për të përballuar pasojat që shkakton narkomania, homoseksualizmi dhe krimi, janë shumë të mëdha. Fatkeqësisht gjasat për ta mposhtur të keqen që prodhon tjetërsimi, nuk janë të mira. Zhan Bodriari, duke analizuar shkaqet dhe frymën e terrorizmit, mendon se e mira dhe e keqja rriten “njëkohësisht, me dinamikë të njëjtë”. Pikëshikimi i tij është mbi botën e sotme demokratike, e cila duke e shpallur triumfin e së mirës, ka nxitur një valë të ashpër të së keqes. Përtej analizës lucide të Bodriarit, mund të thuhet me siguri të plotë se triumfi i së mirës është i pamundur në këtë botë të dizajnuar si botë e pabarazive ekstreme. Në fakt, për të ëndërruar fitoren e së mirës mbi të keqen ose së paku zvogëlimin e të keqes krahas rritjes së të mirës, duhet një organizim më fisnik i gjithë jetës së njerëzve e të institucioneve. Por, kjo është një çështje tjetër. Tash për tash, tjetërsimi kulturor, besimor e kombëtar është hapi në drejtimin krejtësisht të gabueshëm, i cili mund të dëmtojë edhe më shumë ekuilibrat e prishur ndërmjet të mirës dhe të së keqes edhe në shtetin tonë dhe në kombin tonë. Dukuria e tashme e tjetërsimit kulturor, besimor e kombëtar të një pjese të të rinjve tanë, të cilët kur shndërrohen në imitatorë të grupeve margjinale të të rinjve zezakë, kur i japin përparësi anglishtes para shqipes, kur për një vizë mund ta ndërrojnë identitetin kombëtar, më shumë paraqet një shkallë çmoralizimi të një pjese të shoqërisë, se sa një proces të transformimit të identitetit. Por, meqë populli ynë e ka rininë kontigjentin kryesor demografik, rezulton se në këtë aspekt është e rrezikuar e ardhmja e identitetit të tij nacional dhe fetar.
Gjetja e paqes me veten
Prandaj, nëse do të gjendeshin mënyrat adekuate të komunikimit me këtë pjesë të rinisë, duke i dhënë ofertën adekuate arsimore e kulturore, të krijuar brenda vlerave të identitetit tonë dhe mbi të gjitha duke i dhënë ofertën e gjetjes së paqes me veten, do të fillonte rehabilitimi i tyre kulturor e shpirtëror e prej andej edhe krijimi i hapësirave të reja të kohezionit shoqëror. Këtij synimi, krahas arritjes së standardeve evropiane të respektimti të të drejtave dhe lirive njerëzore e fetare, duhet t’i shërbejë edhe inkuadrimi i lëndës së edukimit fetar në shkollat tona publike. Pra, nuk kërkohet edukimi fetar për të prerë buleta për botën tjetër, siç mund të pandehin cinikët, po për të formuar në këtë botë dhe brenda kombit tonë, individë të edukuar, të dobishëm, të suksesshëm e të fortë përballë sprovave të jetës individuale dhe kombëtare. Kjo edhe është mënyra më efikase e pengimit të manipulimit tinëzar me ndjenjat fetare në shoqërinë tonë. Heqja e dimensionit mistifikues të besimit fetar, krijon përjetim normal të besimit dhe sjellje normale e tolerante në shoqëri. Rrjedhimisht, eliminimi i mundësive të indoktrinimit fetar, parandalon lindjen e ideve dhe të veprimeve ekstremiste. Pra, në realitetin tonë specifik, ku është e domosdoshme të ruhen ekuilibra të shumtë, edukimi fetar në shkollat publike do të kishte rol të rëndësishëm edhe në këto aspekte. Natyrisht, organizimi dhe administrimi i edukimit fetar duhet të bëhet brenda ligjeve që ka shkolla jonë publike, programeve që miraton ministria jonë e arsimit dhe standardeve që zbatojnë shtetet evropiane në këtë fushë. Asgjë më shumë se sa kanë shtetet demokratike, të cilave Kosova synon t’u bashkohet, nuk ka pse kërkohet as në këtë rast. (Kosova sot)