9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Sfidat e Shqipërisë për 2013

Më të lexuarat

Sfidat e Shqipërisë për 2013, integrimi dhe ekonomia

Shqipëria humbi shansin për të marrë statusin e vendit kandidat gjatë vitit 2012. Siç thotë analisti Armand Shkullaku, shkak ishte sërish konflikti politik që mbajti peng progresin e vendit në këtë drejtim, duke shënuar dështim për të tretin vit me radhë.

“Duam apo s’duam ne, pavarësisht progreseve që ka bërë Shqipëria në fusha të ndryshme, ishte vazhdimi i klimës së tensionit politik që konkludoi në fund të këtij viti me mosdhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, thotë Shkullaku.

Partitë u ngërthyen ashpër në debate që kushtëzuan plotësimin e tri kritereve që Komisioni Evropian i vendosi Shqipërisë për statusin. Shkullaku thotë se palët politike janë bashkëfajtore për situatën. Qeveria – sepse megjithatë s’ka bërë aq sa duhet për integrimin dhe opozita – se kushtëzoi procesin me alibi të dobëta politike.

“Unë jam nga ata njerëz që them se Shqipëria nuk e meriton statusin e vendit kandidat, jo vetëm për shkak të konfliktit politik, por edhe për shkak të shumë problemeve të tjera që kemi. Korrupsioni, zhvillimi ekonomik problematik, moszbatimi i ligjit, pavarësia e gjykatave dhe probleme të tjera. Pra, këto nuk janë në atë nivel që Shqipëria të jetë kandidate apo pjesë e Bashkimit Evropian”.

“Lënë mënjanë këto, nëse diskutojmë procedurën e dhënies së statusit do të thosha që për mua opozita humbi një shans shumë të madh për të treguar konstruktivitetin e saj, për të treguar interesin e saj, sepse në fund të fundit marrja e statusit nuk është diçka që shkon në favor të Qeverisë apo atyre që votojnë për Qeverinë, është një e mirë për të gjithë shqiptarët dhe opozita e kishte këtë mundësi”, konsideron Shkullaku.

Tri kriteret e mbetura, projektligji për Gjykatën e Lartë, ai për Shërbimin Civil si dhe amendamentimi i rregullores së Kuvendit ishin pjesë e 12 rekomandimeve që KE-ja, i vendosi Shqipërisë prej raportit te progresit të vitit 2011.

Analisti Lutfi Dervishi thotë se për plotësimin e tyre politika veproi sipas interesave tërësisht pragmatiste diktuar nga zgjedhjet e radhës parlamentare.

“Shqipëria ka pasur 12 kritere për të plotësuar kryesisht në fushën e legjislacionit, disa prej tyre u plotësuan dhe diktoheshin nga zgjedhjet siç ishte reforma zgjedhore, disa të tjera nuk u plotësuan, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjet”.

“Unë besoj qartësisht se në këtë rast opozita ka bërë kalkulime bazuar mbi zgjedhjet e ardhshme dhe jo bazuar mbi fatet e vendit. Ka zgjedhur në një farë mënyre të ndajë bashkëfajësinë, bashkëpërgjegjësinë për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Disa reforma do të duhej të kishin përfunduar, jo vetëm thjesht sepse janë kusht i Brukselit, por sepse janë nevoja të kohës”, vlerëson Dervishi.

Tonet nacionaliste në 100-vjetorin e pavarësisë

Duke u ndalur në disa prej ngjarjeve që shënjuan vitin, dy analistët veçojnë si pikë kulmore mënyrën se si u festua përvjetori i 100-të i pavarësisë së vendit.
Shkullaku thotë se shqiptarët dëshmuan majat e atdhedashurisë.

“Nuk ka asnjë gjë që dhe ne mbas kaq vjetësh të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë, të mos kemi nevojë t’i bëjmë emrat Jorgo, Sefer, Mario apo Antonio, por të mbajmë emrat që kemi, të afishojmë përkatësinë që kemi, të mos e fshehim pasaportën si dikur, por ta tregojmë me krenari”.

“Por, sigurisht krenar nuk të bën vetëm përkatësia në një komb, krenar të bën edhe niveli i demokracisë dhe mirëqenia e kombit, kështu që në këtë aspekt do të thosha që nëse këto të dyja do të kishin shkuar bashkë, do të ishte momenti më i artë për shqiptarët”, shprehet Shkullaku.

Megjithatë, ky përvjetor i pavarësisë krijoi jo pak pështjellime, qejf-mbetje dhe aludime kryesisht te vendet fqinje, nisur nga deklarata me tone nacionaliste të personaliteteve politikë në Tiranë.

Analisti Dervishi thotë se çfarë u prodhua në Shqipëri ishte rrjedhojë e mesazhit që diktoi entuziazmi qytetar.

“Politika e lexoi shumë shpejt mesazhin e 28 Nëntorit, në këtë lexim ku hyn padyshim dhe atmosfera festive ndoshta tonet nacionaliste kanë qenë të larta, e ndonjëherë shqetësuese për vendet fqinje. Tonet nacionaliste duhen lexuar në kuptimin e festës, por duhet pranuar si një realitet i ri që pas daljes së disa forcave të reja me theks nacionalist siç është rasti i Aleancës Kuq e Zi”.

“Tonet nacionaliste janë rritur edhe te liderë të tjerë të opozitës dhe në një farë mënyre kanë kulmuar me deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë. Por, unë besoj që Shqipëria nuk do të jetë problem dhe nuk mund të bëhet problem për fqinjët, sepse e ka shumë të qartë interesin e saj strategjik që është integrimi sa më shpejt në BE”, vlerëson Dervishi.

Ekonomia gjatë 2012-s

Në aspektin ekonomik, 2012-a ishte një vit i vështirë , megjithëse u arrit të ruhet një rritje pozitive ekonomike.

Analisti Dervishi përmend faktin e rritjes së nivelit të borxhit të brendshëm.

“Pasojat e darës së krizës kanë filluar të ndihen edhe në ekonominë shqiptare, çka u manifestua edhe në vendimin për të rritur nivelin e borxhit të brendshëm nga kufiri që quhej si vijë e kuqe 60 për qind, në nivele më të larta. Duket që prioriteti ka qenë ruajtja e vendeve të punës, pra moskalimi në recesion në një plan më të gjerë. Prapë mund të quhet një vit i mirë për shqiptarët”, thotë Dervishi.

Vendi u përball dhe me dështimin e një prej privatizimeve të rëndësishme që pritej të injektonte jo pak, por 850 milionë euro në ekonominë shqiptare.

Lidhur me këtë, analisti Armand Shkullaku thotë:

“Ishte një privatizim që u deklamua me një shifër të bujshme, por që në këto momente që po flasim, pra duket se dhe ky vit do të iki pa arkëtuar ato para që ishin parashikuar për ‘Albpetrolin’ dhe sigurisht kjo ka një ndikim tepër, tepër të madh në ekonominë shqiptare që po kalon ashtu si dhe ekonomitë e rajonit dhe Evropës një moment kritik”.

Bilanci i 2012-s dikton përballimin e disa sfidave të rëndësishme që sipas analistit Dervishi janë dy planesh. E para lidhet me detyrat e mbetura për integrimin, e dyta me aspektin ekonomik.

“Të zgjidhen variantet më të mira për prioritetet e ekonomisë, për privatizimet e mëdha të rëndësishme dhe për mënyrën se si shpërndahen dhe se si do të menaxhohen burimet publike. Mos harrojmë që Shqipëria ka pasur privatizime të suksesshme, por dhe ka pasur privatizime të dështuara, siç është rasti i CEZ-it , ku në radhë të parë dhe mbi të gjitha paguan konsumatori, që ka çmimet më të larta dhe shërbimin më të dobët”, shprehet Dervishi.

Në analizë të fundit të gjitha zhvillimet politike në Shqipëri përgjatë 2012-s, u diktuan jo pak prej vitit elektoral që po afron. Siç thotë analisti Dervishi kryesisht gjashtë muajt e fundit ishin trampolina për ngjarjet e pritshme apo dhe ato të paparashikuara të vitit 2013./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit