Hyrje
Lavdërimi qoftë ndaj Allahut, i cili thotë: “…e Zoti yt nuk është që harron.”(Merjem, 64) Bekimi dhe paqja qofshin mbi atë që është dërguar si mëshirë për njerëzimin, i cili thotë: “Vërtetë, unë jam njeri, sikurse edhe ju, harroj ashtu sikurse harroni edhe ju, prandaj kur të harroj më përkujtoni.”[1] Nuk ka dyshim se namazi është një nga shtyllat më të rëndësishme të Islamit, me të cilin njeriu forcon lidhjen me Krijuesin e tij. Fakti që ky adhurim ka rëndësi të madhe jemi të obliguar që gjatë kryerjes së tij të jemi të përqëndruar, në mënyrë që ta kryejmë atë në formën më të saktë, ashtu siç na e ka mësuar Profeti (salallahu alejhi ue selem), ku ai me një rast thotë: “Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”[2]Kur robi i Allahut e kryen atë ashtu siç duhet, ai e arrin shpërblimin e premtuar dhe në të njejtën kohë e liron veten nga ky obligim. Mirëpo, për fat të keq, shumë nga muslimanët, jo vetëm të vendeve tona, nuk i njohin dispozitat e namazit ashtu siç duhet, veçanërisht rregullat e sehvi sexhdes. Ky ishte edhe shkaku pse vendosëm ta ndërmarrim këtë hap, që të përgatisim një punim, ku të sqarohen këto rregulla, me shpresë se do t’u ndihmojmë atyre që dëshirojnë që këtë shtyllë të Islamit ta realizojnë në formën më të përsosur. Në gjuhën shqipe deri më tani nuk ekziston ndonjë temë ku trajtohen këto rregulla në këtë formë, edhe pse gjen shkrime që përmendet kjo çështje, por nuk sqarohet aq sa është e nevojshme të sqarohet. Gjithashtu, dëshirojmë të cekim këtu edhe një çështje me rëndësi, e ajo është se rregullat e sehvi sexhdes janë të ndërlikuara, prandaj kërkohet nga ai që fillon leximin apo mësimin e tyre një përqëndrim dhe durim i madh. Jemi munduar që për çdo rast të përmendim shembull, me qëllim të lehtësimit të kuptimit të këtyre rregullave për lexuesin. Për çdo mangësi, gabim apo paqartësi, të gjitha sygjerimet janë të mirëseardhura. Lusim Allahun e Lartësuar të na begatojë me bujarinë e Tij, të na japë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër! Çfarë nënkuptojmë me sehvi sexhde Me sehvi sexhde apo sexhde të harresës nënkuptojmë dy sexhdet që i bën falësi në fund të namazit, si kompensim i gabimeve të shkaktuara gjatë faljes, qoftë mangësi, shtim apo dyshim. Dispozita e sheriatit rreth saj Qëllimi ynë me këtë është qartësimi se këto dy sexhde a janë të domosdoshme (vaxhib) që të bëhen, nëse shkaktohet gabimi, apo është e preferuar (sunet). Para se të filloj të përmend mendimet e dijetarëve për këtë pike, do të citoj atë që thotë Ibën Rushdi në librin e tij “Bidajetu muxhtehid”. Ai thotë:“Fukahatë (juristët islam) nuk janë unanim se sexhdeja e harresës a është e obliguar apo sunet. Imam Shafiu thotë se është sunet, kurse imam Ebu Hanife thotë se është farz, por nuk është prej kushteve të vërtetësisë së namazit, ndërsa imam Maliku dallon ndërmjet sehvi sexhdës, për shkak të veprave dhe thënieve, pastaj ndërmjet shtimit dhe mangësisë…”[3] Nga ajo që lexuam më lartë, kuptojmë se fukahatë (juristët islam) në këtë çështje kanë kryesisht tri mendime: 1. Sehvi sexhdeja është vaxhib, ky është mendimi i imam Ebu Hanifes dhe Imam Ahmedit . 2. Ajo është sunet, ky është mendimi i Imam Shafiut. 3. Nga Imam Maliku kemi dy transmetime: njëra është e njejtë, sikurse mendimi i parë, kurse transmetimi tjetër është se ajo është vaxhib në përgjithësi, mirëpo ai bën dallim nëse harresa është bërë në vepra, thënie, shtim dhe mangësi. Ai thotë se nëse gabimi bëhet në vepra, që i ka lënë të mangëta, atëherë ajo është vaxhib dhe konsiderohet prej kushteve të vërtetësisë së namazit, që do të thotë se nëse sehvi sexhdeja, në këtë rast, harrohet nuk konsiderohet namazi i plotë.[4] Sehvi sexhdeja është vaxhib, nëse shkaktohet arsyeja për të Nëse i shohim hadithet të cilat janë transmetuar në këtë çështje, kuptojmë se praktika e Profetit (salallahu alejhi ue selem) aludon se nëse shkaktohet arsyeja e bërjës së sehvi sexhdes, ajo duhet të bëhet dhe konsiderohet vaxhib. Kjo është edhe thënia e shumicës së dijetarëve si: imam Ebu Hanifes, imam Malikut dhe imam Ahmedit. Ata të cilët thonë se është sunet, nuk kanë ndonjë argument të fortë që mund të zbusë këtë obligueshmëri, pasi në esencë, urdhëri i Resulullahut aludon në obligim, derisa të vijë ndonjë gjë që e zbut atë. Allahu e di më së miri. Hadithet që transmetohen rreth sexhdes së harresës Nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) kemi të transmetuara disa hadithe, ku ai ka praktikuar sehvi sexhden. Në vazhdim do t’i përmendim këto transmetime, pastaj do të zgjerohemi në nxjerrjen e dispozitave, kryesisht nga këto hadithe: 1. Hadithi i parë. Hadithi që është i njohur te juristët islam si “Hadithi i Dhuljedejnit”, ku i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka dhënë selam para se ta përfundoj namazin, në dy rekate. Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti (salallahu alejhi ve selem) fali njërin nga dy namazet e pasdites (drekën apo ikindinë, nuk i kujtohet saktësisht se cila nga këto dy namazet) dhe pas dy rekateve dha selam, pastaj u ul në xhami para njerëzve, derisa ndër ata që u falën ishte prezent Ebu Bekri dhe Umeri, por nguruan të flasin. Njerëzit filluan të dalin nga xhamia, duke pyetur: a u shkurtua namazi? Një njeri, që i Dërguari i Allahut e quante Dhuljedejn, pyeti: “O i Dërguar i Allahut, a u shkurtua namazi apo harrove?” Profeti (salallahu alejhi ue selem) u përgjigj: “As nuk u shkurtua as nuk kam harruar.” Ai tha: “Jo, ke harruar.” Pastaj i Dërguari i plotësoi dy rekatet të cilat nuk i kishte falur, dha selam, pastaj i bëri dy sexhde si ato të mëparshmet, pastaj dha selam. (Buhariu dhe Muslimi) 2. Hadithi i dytë. Transmetohet se ka dhënë selam pas tri rekateve nga harresa. Transmetohet në hadithin e Imran Ibën Husejnit, se Profeti (salallahu alejhi ue selem) fali namazin e ikindisë, dha selam në rekatin e tretë, pastaj hyri në shtëpinë e tij. I shkoi pas një njeri që quhej Hirbak, e thirri dhe i tregoi se çfarë kishte vepruar. Doli Profeti (salallahu alejhi ue selem) i hidhëruar derisa arriti te njerëzit në xhami dhe i pyeti: “A e thotë ky njeri të vërtetën?” Ata iu përgjigjën: “Po.” Ai e plotësoi rekatin e mbetur, dha selam, pastaj i bëri dy sexhde të harresës, pastaj dha selam. (Muslimi) 3. Hadithi i tretë. Transmetohet se ai e ka harruar uljen e parë. Hadithi i Abdullah Ibën Buhejnës se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit pas dy rekateve të para të namazit të drekës dhe nuk u ul në teshehudin e parë. Ai vazhdoi namazin duke mos u ulur deri në teshehudin e fundit, pastaj në fund të namazit para selamit, i bëri dy sexhde të harresës, pastaj dha selam. (Buhariu dhe Muslimi) 4. Hadithi i katërt. Transmetohet se e ka falë namazin e drekës pesë rekate. Nga Abdullah Ibën Mesudi transmetohet se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) fali namazin e drekës pesë rekate, pasi e përfundoi namazin e pyetën se mos është shtuar namazi, ai u përgjigj se jo, kur i treguan se ka falë një rekat tepër, i bëri dy sexhde të harresës dhe dha selam. (Buhariu dhe Muslimi) 5. Hadithi i pestë. Transmetohet nga Ebu Hurejre se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju bëhet gati për t’u falur, i vjen shejtani dhe mundohet t`ia ngatërroj namazin, derisa të harroj sa ka falur. Nëse i ndodh kjo ndonjërit nga ju, le t’i bëjë dy sexhde duke qenë i ulur.” (Buhariu dhe Muslimi) 6. Hadithi i gjashtë. Hadithi i Ebu Seid el Huderi ku thotë se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju dyshon në namazin e tij dhe nuk di sa rekate ka falur, tre apo dy. Le ta lejë anash dyshimin dhe le ta vazhdojë namazin në atë që është i sigurtë se ka falur, pastaj le të bëjë dy sexhde para selamit. Nëse ndodh që i ka falur pesë rekate, atëherë (ato dy sexhdet) do t’ia bëjnë namazin atij çift. Nëse i ka falur të plota (katër rekate), atëherë (këto dy sexhde) do të jenë për të kundërshtim ndaj dëshirës së shejtanit.” (Muslimi) 7. Hadithi i shtatë. Transmetohet nga Abdullah Ibën Mesudi se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) e fali namazin dhe pasi dha selam i thane: a është ndryshuar namazi? Ai pyeti: “Pse çfarë ndodhi?” Ata i thanë: “Ke falur kaq.” Ai u kthye nga kibla, i bëri dy sexhde dha selam dhe tha: “Nëse ndodh ndonjë ndryshim në namaz, unë do t’ju informoja për të, por unë jam njeri sikur edhe ju, harroj ashtu siç harroni edhe ju, prandaj nëse harroj diçka më përkujtoni. Nëse dikush nga ju dyshon në namazin e tij (nuk di se sa ka falur) atëherë le ta zgjedhë atë që e sheh më të saktë (nga dy opsionet që i ka në mendje) dhe le ta vazhdojë namazin, pastaj le të japë selam dhe (pas selamit) le të bëjë sehvi sexhde.” (Buhariu dhe Muslimi) Urtësia e sehvi sexhdes Përderisa muslimani është i obliguar të falë namazin dhe ajo konsiderohet si një nga kushtet më të rëndësishme pas dëshmisë (shehadetit), kërkohet nga ai që ta kryej atë në formën sa më të përsosur, duke e pastruar nga çdo të metë, kështu që mos t’i ikë asnjë nga shpërblimet që mund t’i arrijë nga ky adhurim. Prandaj, sexhdeja e harresës konsiderohet si kompensim i atyre shpërblimeve që gjatë namazit falësi është e mundur t’i humbë. Ibën Kajim thotë: “Transmetohet se Profeti (salallau alejhi ue selem) ka thënë: “Unë me të vërtetë jam njeri sikurse edhe ju, harroj ashtu si harroni ju, prandaj kur të harroj më rikujtoni”[5]. Harresa e tij në namaz ishte përmbushje e begatisë së Allahut ndaj umetit të tij dhe plotësim i fesë, kështu që ne ta kemi shëmbëlltyrë atë dhe ta pasojmë praktikën e tij.”[6] Ky është edhe kuptimi i haditit të sipërpërmendur: “Unë me të vërtetë jam njeri sikurse edhe ju, harroj ashtu si harroni ju, prandaj kur të harroj më rikujtoni” [7]. Pra ai harronte e nga kjo harresë shpalleshin dispozita me të cilat vepron umeti deri në ditën e gjykimit. Prandaj harresa e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem) në këto raste, asesi, nuk guxon të kuptohet si ulje e personalitetit të tij, por të kundërtën, se ai ishte njeri sikurse të gjithë njerëzit e tjerë, ku Allahu e dalloi atë me shpallje. Në anën tjetër begati për umetin se nga këto harresa shpalleshin dispozita me të cilat do të veprojnë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit. Kur jemi të obliguar të bëjmë sexhden e harresës Dijetarët islam, në përgjithësi, kur flasin rreth rasteve se kur duhet të bëhet sehvi sexhde, dallojnë në metodologjinë e trajtimit të këtyre rasteve. Ne do të zgjedhim formën që është më gjithëpërfshirëse dhe në të njetën kohë më e lehtë për t’u kuptuar. Nga hadithet e Resulullahit (salallahu alejhi ue selem) të transmetuara rreth sehvi-sexhdes shohim se arsyet e sehvi sexhdes janë tri: 1. Shtimi (në namaz) 2. Mangësia 3. Dyshimi. Për secilën do të flasim një nga një. Arsyeja e pare për bërjen e sehvi sexhdes: 1. Shtimi në namaz Shtimi në namaz është dy lloje: a) shtimi i veprave b) shtimi i thënieve (fjalëve) a) Shtimi i veprave Me shtim të veprave kemi për qëllim nëse e bëjmë ndonjë vepër në namaz që nuk është e kërkuar nga ne ta bëjmë. Shtimi i veprave mund të jetë në tri raste: Rasti i parë: Shtimi i veprave që janë të njejta me veprat e namazit, si: shtimi i rukusë, apo i uljes (teshehudit), apo i një rekati të tërë, etj. Këtë formë të shtimit nëse falësi e bën me qëllim, namazi i tij prishet. P.sh: nëse shton një ruku më tepër. Kurse nëse e bënë nga harresa, namazi i tij është i pranuar, por nga ai kërkohet të bëjë sehvi sexhde. Nëse ka shtuar një rekatë të tërë nga (harresa) dhe nuk e ka kuptuar këtë deri sa e përfundon këtë rekatë të tërin, atëherë ai vetëm bën sehvi sexhde në fund të namazit. Por nëse e kupton shtimin gjatë faljes së rekatit të shtuar, atëherë ai ulet në atë moment që e kupton se është i tepërt ai rekat, pa thënë tekbirin (Allahu ekber), vazhdon këndimin e teshehudit dhe lutjeve të tjera, jep selam, bën sehvi-sexhde dhe jep edhe njëherë selam. Nëse njeriu falet pas imamit dhe kupton që imami ka gabuar, obligohet t`ia tërhek vërejtjen, për shkak se Resulullahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëron sahabët ta përkujtojnë atë: “Unë me të vërtetë jam njeri sikurse edhe ju, harroj ashtu si harroni ju, prandaj kur të harroj më përkujtoni.”[8]. Forma e tërhekjes së vërejtjës nga meshkujt bëhet me thënien: subhanallah, kurse femrat me rrahje të shuplakave, ashtu siç transmetohet në hadithin Sehl ibën Sadit, ku Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nëse është e nevojshme të përkujtoni ndonjërin (në namaz), atëherë le ta bëjnë me tesbih (thënia subhanallah) burrat, kurse me rahjen e shuplakave grate.”[9] Imami është i obliguar ta përmirësojë gabimin dhe të kthehet në atë që është e saktë. Rasti i dytë: Shtimi i veprave që nuk janë nga esenca e namazit, sikurse ecja, lëvizjet e ndryshme, etj. Në përgjithësi lëvizjet mund të jenë tri lloje. Lloji i parë: Lëvizjet që e prishin namazin, në këtë hynë të gjitha ato lëvizje që nuk janë pjesë e namazit dhe që janë të shumta (të përsëritura shumë). Këto lëvizje, nëse janë të shumta, e prishin namazin, nëse nuk janë të shumta nuk e prishin atë[10]. Ajo që duhet të konsiderohet lëvizje e shumtë e cila e prish namazin duhet të konstatohet në bazë të urfit (tradita apo zakoni)[11]. Lloji i dytë: Lëvizje e urrejtur (mekruh), janë të gjitha ato lëvizje të pakta të panevojshme, si prekja e mjekrrës pa nevojë, apo flokëve, lëvizja e dorës, etj. Lloji i tretë: Lëvizje të lejuara. Janë ato lëvizje që i bëjmë në rast të nevojes, sikurse që transmetohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) është falur duke e mbajtur Umame bint Zejnebën[12]. Kur ngritej në këmbë e merrte me vete, kur shkonte ne sexhde e linte (në tokë).”[13] Për këto tri lloje të lëvizjeve themi se për llojin e parë duhet ta përsërisim namazin, kurse për dy të fundit nuk ka prishje të namazit dhe nuk jemi të obliguar për sehvi sexhde. Rasti i tretë i shtimit të veprave: Të hash apo të pish në namaz. Nëse kjo bëhet me qëllim atëherë namazi prishet, nëse bëhet nga harresa nuk prishet, pasi në hadith thuhet: “Umeti im është i falur në atë që e vepron gabim, apo nga harresa …”[14] b) Shtimi i thënieve Me shtim të thënieve kemi për qëllim nëse shtojmë diçka nga fjalët që nuk janë të kërkuara të thuhen në namaz, apo nëse thuhen ato, por jo në vendin e duhur. Kjo ndahet në dy raste: Rasti i parë: Shtimi i thënive që janë nga esenca e nammazit, sikurse të lexojë diçka nga Kurani apo ndonjë nga lutjet jo në vendin e duhur, si të lexojë Kuran në ruku apo në sexhde apo ta këndojë teshehudin në këmbë, etj. Nëse këto (thënie) bëhen qëllimisht, atëherë ajo është e urryer (mekruh) dhe nuk obligohemi për sehvi sexhde[15]. Nëse kjo ndodh nga harresa, atëherë është e preferuar sehvi sexhdeja, për shkak të hadithit të përgjithshëm ku thotë Muhamedi (Paqja bekimi i Allahut dhe qofshin mbi të!): “Nëse shton njeriu diç apo e lënë të mëngët (në namaz), le të bëjë dy sexhde”[16]. Por nëse ai e lë thënien që është vaxhib (nga harresa) dhe në vend të saj thotë diçka tjetër, si p.sh: në vend që të thotë në ruku “Subhane rabijel adhijm” të thotë ndonjë lutje tjetër, e cila nuk është e transmetuar të thuhet në atë vend. Në këtë rast kërkohet të bëjë sehvi sexhde për lënien e vaxhibit[17]. Rasti i dytë: Shtimi i thënieve që nuk janë nga esenca e namazit. Kjo mund të jetë në dy forma: a) Të mendojë se ka përfunduar namazin dhe të japë selam para kohe (nga harresa) dhe të flasë, qoftë të thotë lutje apo të bisedojë. b) Nëse duke u falur e flet ndonjë fjalë që nuk është nga esenca e namazit. Për formën e parë themi se nëse e bënë këtë me qëllim atëherë namazi i tij është i papranuar (batil). Nëse kjo ndodh nga harresa, atëherë shikojmë nëse koha e daljes nga namazi është e gjatë apo e ka prishur abdestin, ai namaz është i papranuar dhe duhet ta përsërisë nga fillimi. Nëse koha nuk është e gjatë[18], atëherë ai e plotëson namazin (edhe pse ai ka dhënë selam apo ka folur, qoftë edhe bisedë që nuk ka të bëjë me namazin), pastaj bën sehvi sexhde, ashtu siç qartësohet në hadithin e Dhuljedejnit që e transmeton Ebu Hurejra e që ndodhet në “Sahihul Buhari.”[19] Kurse për formën e dytë themi se nëse këtë e bën me qëllim, namazi i tij është gjithashtu i papranuar, siç vërtetohet në hadithin e Zejd ibën Erkamit që e transmeton Muslimi.[20] Nëse flet nga harresa duke qenë në namaz, atëherë mendimi më i saktë është se namazi nuk prishet dhe nuk është e obliguar sehvi sexhdeja, pasi këto fjalë nuk kanë të bëjnë me namazin.[21] Arsyeja e dytë: Mangësimi në namaz Mangësimi në namaz është tri lloje: a) Lënia e ndonjë rukni (farzi) të namazit b) Lënia e ndonjë nga vaxhibet e namazit c) Lënia e ndonjë nga sunetet.
a) Lënia e ndonjë rukni (farzi) të namazit, si: rukunë, sexhden etj. Nëse këtë e bën me qëllim, atëherë namazi i tij është i prishur. Nëse është bërë pa qëllim nga harresa, atëherë shikojmë se cilën rukën (farz) të namazit e ka lënë. Nëse është tekbiri fillestar (farzi i parë i namazit), atëherë ai nuk konsiderohet se e ka filluar namazin, prandaj ai që nga ai moment që i kujtohet kjo duhet ta përsëris namazin nga fillimi, edhe nëse është në fund të namazit apo edhe nëse e ka përfunduar, ai duhet ta përsëris atë në tërësi. Nëse ka lënë ndonjë farz tjetër përveç tekbirit fillestar, atëherë ekzistojnë tri raste: Rasti i parë: Nëse ai e ka lënë ndonjë nga farzet përveç tekbirit fillestar dhe kjo i kujtohet para se të fillojë leximin e rekatit vijues, obligohet që ai të kthehet në vendin ku e ka lënë të mangët atë farz dhe nga aty të vazhdojë. P.sh: nëse në rekatin e parë ka harruar të bëjë rukunë dhe menjëherë pas përfundimit të leximit shkon në sexhde (pra nuk e bën rukunë) e vazhdon namazin dhe para se të ngrihet të vazhdojë rekatin e dytë i kujtohet se e ka lënë të mangët rukunë, ai duhet të kthehet te vendi i rukusë ta bëjë rukunë dhe të vazhdojë namazin nga aty, pastaj të bëjë sehvi sexhde në fund të namazit. Rasti i dytë: Nëse i kujtohet se e ka lënë ruknin (farzin) pasi ka filluar leximin në rekatin vijues, atëherë rekati paraprak, të cilin e ka lënë të mangët, anulohet dhe rekati vijues merr vendin e këtij rekati. P.sh: Nëse e ka harruar rukunë dhe kjo nuk i kujtohet derisa fillon rekatin vijues, atëherë rekati paraprak anulohet dhe rekati të cilin e ka filluar e zë vendin e rekatit të mëparshëm. Rasti i tretë: Nëse i kujtohet se e ka lënë farzin, pasi që jep selam, atëherë nëse koha është shumë e gjatë, ai duhet ta përsërisë namazin në tërësi[22]. Kurse, nëse koha nuk është e gjatë, atëherë është e njejtë sikur rasti i dytë, sikur të lërë një rekatë të tërë. Prandaj e plotëson atë me një rekatë të tërë dhe bën sehvi sexhde, përveç nëse e harron uljen e fundit apo teshehudin, atëherë nuk ka nevojë ta plotësojë me një rekatë të tërë, por mjafton vetëm ta plotësojë me uljen e fundit dhe teshehudin, pastaj të bëjë sehvi sexhde.[23] b) Lloji i dytë: Nëse lë ndonjë nga vaxhibet e namazit. Si p.sh: nëse harron leximin e sures pas Fatihasë, apo lënia e thënies “Subhane rabijel adhim” në ruku[24]. Atëherë themi nëse e lë me qëllim, namazi prishet. Nëse e lë uaxhibin nga harresa, atëherë shikojmë se kur i kujtohet atij se e ka lënë të mangët atë. Nëse është para se të kalojë në ruknin (farzin) e ardhshëm, atëherë lejohet të kthehet[25]. Nëse i kujtohet kjo, pasi ka kaluar në farzin vijues, atëherë ai vazhdon namazin dhe nuk ka nevojë ta përsërisë rekatin, por kjo kompensohet me sehvi sexhde. P.sh: Nëse nga harresa e lë uljen e parë që është uaxhib dhe ngrihet për në rekatin e tretë, atëherë këtu kemi katër raste: Rasti i parë: Nëse e harron uljen e parë dhe kjo i kujtohet para se të ngrihen apo më saktësisht para se t’i ndahen kofshët nga kërcenjtë, apo para se t`i ndajë gjunjët nga toka. Në këtë rast kthehet dhe ulet dhe nuk ka nevojë për sehvi sexhde. Për shkak se nuk ka shtuar diçka në namaz. Rasti i dytë: Nëse e harron uljen e parë, mirëpo gjatë ngritjes (për në rekatin e tretë) para se të ngrihet plotësish i kujtohet kjo, ai kthehet dhe e bën uljen e parë, vazhdon namazin dhe ne fund bën shvi sexhde. Rasti i tretë: Nëse i kujtohet se e ka lënë uljen e parë, pasi ngrihet plotësisht për në rekatin e tretë, atëherë është mekruh të kthehet në teshehud dhe ta plotësojë atë, por namazi nuk prishet dhe obligohet për sehvi sexhde. Rasti i katërt: Nëse i kujtohet kjo pasi ka filluar rekatin e tretë me lexim, atëherë nuk lejohet të kthehet. Nëse kthehet qëllimisht duke e ditur, atëherë namazi i tij prishet, pasi ka shtuar diçka jo në vendin e saj.[26] c) Loji i tretë: Nëse e lë të mangët diçka nga sunetet, atëherë namazi i tij nuk prishet edhe nëse e lë atë qëllimisht dhe nuk ka nevojë për sexhden e harresës. Arsyeja e tretë: Dyshimi në namaz. Me dyshim nënkuptojmë kur gjatë faljes njeriu bie në dyshim dhe nuk di në cilin rekatë ndodhet, apo dyshon a e ka bërë rukunë apo sexhden, etj. Dyshimi në namaz mund të jete dy llojesh: a) Nëse shkaktohet dyshimi, pasi që të ketë kryer namazin, atëherë kjo nuk ka kurfarë rëndësie që të merret parasysh. P.sh: nëse njeriu e ka falë namazin e drakes (farzin) dhe pasi ta ketë kryer atë dyshon se a i ka falur tri apo katër rekate. Ky lloj i dyshimit nuk ka asnjë peshë, përveç nëse bindet se ka shtuar, apo ka lënë të mangët. Nëse është e para (se ka shtuar) atëherë ai i bënë dy sexhdet e harresës, nëse është e dyta (ka lënë mangët), atëherë vepron ashtu siç kemi sqaruar më herët kur kemi folur për mangësitë në namaz. Kurse nëse kjo është vetëm dyshim, atëherë nuk merret parasysh. b) Nëse dyshimi shkaktohet gjatë faljes, atëherë kjo ndahet në dy raste: 1. Rasti i parë: Nëse dyshon dhe në vete ka dy opsione, por në njërën është më i sigurtë se kjo është e sakta, në këtë rast vepron sipas asaj që e sheh më të saktë. P.sh: Nëse dyshon gjatë namazit se a e ka bërë rukunë apo jo dhe në mendimin se e ka bërë është më i sigurtë, atëherë nuk merret parasysh ky dyshim i shkaktuar dhe vazhdon namazin dhe bënë sehvi sexhde në fund. Argument për këtë kemi hadithin e Profetit ku thotë: “Kush dyshon në namazin e tij dhe nuk di a ka falur tri rekate apo katër, le të zgjedhë atë që është më i sigurtë, le të plotësojë mbi këtë bazë, pastaj le të japë selam dhe le të bëjë dy sexhde.”[27] 2. Rasti i dytë: Nëse dyshon në dy opsione, por nuk është në gjendje ta vërtetojë se cila mundet të jetë e saktë, pra të dyja janë të njejta tek ai si të mundura, atëherë ai duhet të zgjedhë atë që është më e paktë (në sasi të veprave) dhe të plotësojë namazin në bazë të saj. P.sh: Një njeri është duke falur drekën (farzin) dhe para përfundimit dyshon dhe nuk di sa i ka falur tri apo katër rekate dhe nuk është në gjendje të vërtetojë për asnjërën nga dy mundësitë, atëherë ai e merr supozimin e tri rekateve pasi ajo është e vërtetë dhe e plotëson atë me një rekatë tjetër. Argument për këtë kemi hadithin e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nëse ndonjëri nga ju dyshon në namazin e tij dhe nuk di sa ka falur, tri apo katër rekate. Le ta largojë dyshimin dhe le të plotësojë (namazin) mbi atë që është i bindur, pastaj le të bëjë sehvi sexhde para selamit, nëse i ka falur pesë rekate, atëherë (ato dy sexhdet) do t`ia bëjnë namazin atij çift. Nëse i ka falur të plota (katër rekate), atëherë (këto dy sexhde) do të jenë për të, kundërshtim ndaj dëshirës së shejtanit.” (Muslimi) A ka teshehud pas sexhdes së harresës Nëse falësi i namazit e bënë sehvi sexhden pas selamit a këkohet të japë selam menjëherë pas sexhdeve apo duhet ta këndojë teshehudin edhe njëherë, pastaj të japë selam. Në këtë çështje fukahatë janë në mospajtim, në vazhdim do t`i cekim thëniet e tyre: 1. Medhhebi hanefi thotë se teshehudi pas selamit dhe dy sexhdeve të harreses është uaxhib, pastaj dërgon salavate mbi të Dërguarin, gjithashtu i thotë edhe lutjet e tjera pasi që është fundi i namazit dhe lutjet e kanë vendin në fund të namazit. Argument për këtë formë e kanë hadithin e Imran Ibën Husejnit se Profeti ua fali namazin dhe gaboi, ai i bëri dy sexhde, pastaj e këndoi teshehudin dhe dha selam[28]. 2. Medhhebi maliki thotë se teshehudi pas sexhdeve është sunet dhe nuk dërgon salavate mbi Profetin (salallahu alejhi ue selem), gjithashtu nuk bën dua (lutje) pas teshehudit. 3. Shafitë thonë se në përgjithësi sexhdet e harresës janë para selamit dhe nuk ka teshehud pas sexhdeve ,por menjëher pas tyre jepet selam. Argument për këtë e kanë hadithin e Dhuljedejnit, ku vërtetohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk e këndoi teshehudin pas sexhdes së harresës. 4. Hanbelitë thonë se nëse sehvi sexhdeja bëhet para selamit nuk ka teshehud, kurse nëse bëhet pas selamit sehvi sexhdeja, atëherë e thua teshehudin, dërgon salavate dhe bën lutje. [29] Pra, më lartë pamë thëniet e secilt medhheb, por më e sakta nga këto thënie është ajo se nuk ka teshehud pas sexhdeve të harresës, kjo është zgjedhje e Shejhul Islamit (Ibën Tejmijes)[30], pasi ajo që transmetohet nga Profeti (sallahu alejhi ue selem) në të gjitha hadithet nuk ekziston se ai ka kënduar teshehudin apo ka urdhëruar në të. Imam Neveviu thotë: “Nuk ekziston diçka e saktë rreth kësaj nga Profeti (salallahu alejhi ue selem). Kurse, hadithi i Imran ibën Husejnit[31] se Profeti ua fali namazin dhe gaboi, ai i bëri dy sexhde, pastaj e këndoi teshehudin dhe dha selam[32]”, shtesa “pastaj e këndoi teshehudin” në hadith nuk është e saktë dhe ky shtim konsiderohet “SHADHË”[33] pasiqë transmetuesi i këtij shtimi “ pastaj e këndoi teshehudin ” Eshath Ibën Abdulmeliku i cili e përcjell nga Muhamed ibën Sirini, është veçuar me këtë shtim, derisa të gjithë transmetuesit e tjerë e të njëjtit hadith nga Muhamed Sirini e përcjellin pa këtë shtesë.[34] Nesaiu e transmeton po të njejtin hadith në sunenin e tij pa përmendur këtë shtim. Nga ata dijetarë që kanë gjykuar se ky shtim është i papranuar apo shadhë janë: Bejhakiu, Ibën Abdulberri, Ibën Haxheri dhe nga dijetarët bashkohorë shejh Albani në librin e tij “Iruaul galil”[35] . Mirëpo, Sheukani në librin e tij “Nejlul eutar” përmend edhe dy hadithe njërin nga ibën Mesudi që gjendet tek Ebu Daudi dhe tjetrën nga Aishja që gjendet te Taberaniu, ku tregohet se këndohet teshehudi pas sexhdeve të harresës. Këto transmetime nuk janë të sakta, e para është mursel[36], kurse tjetri është i dobtë, por ibën Haxheri thotë se është e mundur që dikush nga dijetarët të thotë se këto tri transmetime mund të përforcohen dhe të bëhen hasen, ashtu siç ka thënë Elalai se kjo nuk është aq e largët, pra se këto tri hadithe së bashku të ngrihen në shkallën e hadithit hasen. Në fund, pasi kuptuam thëniet e dijetarëve dhe argumentet e tyre themi se dispozita në këtë çështje është se këndimi i teshehudit nuk është i nevojshëm dhe esencë është të mos këndohet, ky është mendimi më i saktë dhe njëkohësisht është zgjedhja e Ibën Tejmijes dhe shumë dijetarëve tjerë[37], kurse nga dijetarët bashkohorë Ibën Bazi, Uthejmin, Albani dhe të tjerët. Por, nëse kjo praktikohet nga dikush, atëherë nuk duhet kundërshtuar, pasi ky është mendim i disa dijetarëve të njohur si fukahatë hanefi dhe dijetarët e tjerë. Allahu e di më së miri. Kur duhet të bëhet sevi sexhdeja, para apo pas selamit Çështja se a duhet të bëhen sexhdet e haresës pas selamit apo para selamit është një nga gjërat që fukahatë në përgjithësi kanë shumë mendime, numri i të cilëve arrin në nëntë thënie[38]. Shkaku i këtij mospajtimi është numri i shumtë i transmetimeve nga Resulullahu (salallahu alejhi ue selem), rreth vendit se ku i ka bërë këto sexh |