-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Serbia vazhdon të ekspozojë avionin bombardues Amer

Më të lexuarat

  • Gjashtëmbëdhjetë vjet pasi ai u rrëzua nga Forcat Ajrore Jugosllave gjatë bombardimeve të NATO-s, mbtejet e një avioni të Shteteve të Bashkuara shfaqen ende me krenari në Muzeun e Aviacionit në Beograd.

    “Qëllimi ishte të mblidhnim gjithçka që binte nga qielli. Kur i ashtuquajturi bombarduesi “i padukshëm” F-117 u rrëzua, ditën e tretë të luftës, ekipi ynë ishte ndër të parët që arriti në vendin e rrëzimit,” tha Petar Nedeljkoviq, një ciceron në Muzeun e Aviacionit.

    Koleksionimi i avionëve të shkatërruar, raketave dhe dronëve nga bombardimet e NATO-s, ka qenë pjesë e ekspozitës së përhershme të muzeut të quajtur “Eksponati koji su padali sa Neba” (“Eksponatet që ranë nga qielli”).

    Më i famshmi është “Lockheed F-117 Nighthawk” i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, i cili u rrëzua më 27 mars 1999, pranë fshatit Budjanovci në Vojvodinë.

    Në atë kohë, “Nighthawk” konsiderohej gjerësisht si një prej pajisjeve më të përparuara ushtarake të Shteteve të Bashkuara, i projektuar për të qenë i padukshëm ndaj radarëve.

    Por Brigada Jugosllave e Raketavtë e Mbrojtjes Ajrore arriti të zbulojë atë, qëlloi dy raketa dhe e rrëzoi avionin – një reklamë e madhe kjo për regjimin e Sllobodan Millosheviqit gjatë konfliktit.

    Sulmet ajrore të NATO-s mbi Jugosllavi, të cilat filluan më 24 mars 1999, ishin përgjigja e Perëndimit për dështimin e bisedimeve në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Bombardimet zgjatën 78 ditë derisa Beogradi ra dakord të tërhiqte forcat e tij nga Kosova.

    Në pjesët e mbetura nga “Nighthawk”-u përfshihen një ndenjëse, pajisje mbikëqyrjeje për natën, radioja e pilotit dhe një hartë e detajuar e Serbisë Qendrore. Ekziston edhe kapaku i kabinës bashkë me helmetën e pilotit brenda.

    “Kapaku i kabinës ra nga 8000-8500 metra lartësi dhe është i dëmtuar, por nuk është copëtuar,” tha Nedeljkoviq.

    Emri i pilotit mund të shihet ende i shkruar në kabinë – kapiteni Ken Wiz Dwelle. Megjithatë, Dwelle nuk ishte në kabinë kur avioni u rrëzua, por ishte nënkolonel Dale Zelko.

    Kur avioni i tij u godit, Zelko doli nga avioni dhe u shpëtua nga një ekip luftimi dhe shpëtimi i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në orët e para të mëngjsit pasues.

    Nedeljkoviq kujton se si ai u takua me Zelkon disa vite më vonë, kur piloti amerikan po filmohej për një dokumentar.

    “Ai erdhi në muze kur po xhirohej filmi “The second Meeting”. Ai e pa të gjithë këtë dhe madje një skenë e filmit u xhirua këtu,” tha Nedeljkoviq në fund të majit 1999.

    Filmi i vitit 2011 për Zelko dhe Zoltan Dani, një ish-kolonel i Ushtrisë Jugosllave dhe komandant i Brigadës së Raketave 250 që rrëzoi “Nighthawk”-un e Delkos, portretizon takimin e tyre 12 vjet pas ngjarjes që ndryshoi jetët e të dy njerëzve, në një film që ka për qëllim të dërgojë një mesazh toleranceje dhe pajtimi.

    Pranë pjesëve të mbetura nga F-117 ndodhet një pjesë e sistemit të raketës NEVA që goditi avionin “e padukshëm”.

    Ka gjithashtu pjesë dronësh, avionësh të tjerë, raketa “Tomahawk”, pjesë bombash dhe raketash thërrmuese, të gjitha të gjetura gjatë bombardimeve nga muaji mars deri në fund të majit 1999.

    Një tjetër pjesë në muze që tërheq gjithashtu shumë vëmendje – kapaku i kabinës së një avioni sulmues amerikan “Fajkua Sulmues F-16”, e cila u gjet në një fermë në fshatin Volujac pranë qytetit perëndimor të Shabacit.

    Krahu i avionit u gjet në vitin 1999, por kapaku i kabinës u ekspozua vetëm dy vjet më pas, pasi stafi i muzeut pa një kronikë në një stacion televiziv vendas.

    “Fermeri na tha se kishte gjetur një kapak kabine ndërsa punonte në fushën e tij, e kishte hipur në traktor dhe e kishte marrë në oborrin e tij. Ajo ishte përdorur si kolibe qeni,” rikujton Nedeljkoviq.

    “Dhe më pas ai ra dakord të na e jepte kapakun e kabinës, nëse ne i bënim atij një kolibe të re për qenin e tij,” tha ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit