Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka pritur në takim një delegacion të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuqë, Zyra në Prishtinë, të kryesuar nga Lina Millner, ndërsa u diskutua për disa nga çështjet kryesore të cilat sfidojnë procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komisionit Ndërqeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj.
Kuçi ritheksoi mbështetjen dhe nevojën për angazhimin e tij direkt në këtë proces dhe përkushtimin e tij ndaj drejtimit të këtij procesi deri në gjetjen e çdo personi të zhdukur.
Ai kërkoi nga të gjitha palët e përfshira në proces që të bëjnë një plan konkret me detyrat dhe afatet e përcaktuara kohore brenda të cilit këto detyra duhet të përmbushen.
Sipas tij, një plan i tillë konkret do të ndihmoj që të shtyjë këtë çështje përpara deri në gjetjen e secilit person të zhdukur në luftën e fundit, të çfarëdo kombësie që janë.
Për këtë, Kuçi theksoi se është e domosdoshme që bashkëpunimi ndërmjet dy palëve në grupin punues ndërshtetëror të jetë i vazhdueshëm dhe të shërbejë si forum i shkëmbimit të informatave nga të dy palët.
Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Komisioni Ndërqeveritar për Persona të Pagjetur dhe Ministri Kuçi, theksuan se problemet aktuale të cilat kryesisht sfidojnë dhe e ngadalësojnë këtë proces kanë të bëjnë kryesisht edhe me mungesën e informatave të reja, e cila lidhet ngushtë edhe me mos-ofrimin e informatave nga Serbia.
Ai sugjeroi që ajo e cila do ta ndihmonte më shumë këtë proces do të ishte angazhimi i plotë i zyrtarëve komunal për persona të pagjetur në secilën komunë.
Kuçi rikujtoi se këta zyrtarë kanë filluar punën në disa nga komunat e Kosovës, por bashkëpunimi i njëjtë nuk është hasur në të gjitha komunat.
Ministri Kuçi ritheksoi se kjo çështje tashmë është ngritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por e cila do të diskutohet më në detaje në raundet e ardhshme të tij.
Megjithatë, theksoi Kuçi, ndonëse kjo çështje do të diskutohet në nivel kryeministrash, është tejet e rëndësishme që ajo të mbetet më shumë çështje humanitare sesa politike.kohaislame