Serbia ka nisur me të madhe lobimin në mesin e shteteve anëtare që të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Siç shkruan gazeta Blic, Serbia ka formuar grupin punues i cili përbëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovën.
Burime të kësaj gazete serbe thotë se ka gjasa që kjo çështje të mos diskutohet në shtator.
“Vendimi për rendin e ditës merret pak para Asamblesë së Përgjithshme”, ka thënë burimi i gazetës.
Tema e Asamblesë së përgjithshme vendoset nga organi ekzekutiv i Interpolit, i cili përbëhet nga një numër më i vogël i vendeve anëtare. Burimi i Blicit, i afërt me grupin punues, thotë se edhe nëse kjo temë do të jetë në rendin e ditës në Pekin, nuk do të thotë se Kosova do të bëhet pjesë e Interpolit.
Gazeta shkruan se për anëtarësim në Interpol nevojiten dy të tretat e votave dhe se Serbia ka besim të madh në lobimin e Kinës dhe Rusisë për të mos lejuar anëtarësimin e Kosovës.
Ndryshe, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Interpol pritet të jetë në rendin e ditës në seancën e asamblesë së përgjithshme të kësaj organizate, e cila do të mbahet në muajin shtator, në Pekin.
Në Interpol janë të anëtarësuara 186 shtete.