Vëmendja ndaj Kosovës vazhdon të jetë e lartë në mediat evropiane. “Varur nga Serbia në Kosovën e pavarur”, është titulli i tekstit të së përditshmes austriake “Der Standard”, në të cilin autori fokuset në gjendjen në të cilën ndodhen serbët e Kosovës, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Der Standard” me rastin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës sqaron se në shkurt të vitit 2008, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, ka vlejtur plani i quajtur sipas ish presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili ka paraqitur garanci për pjesëmarrjen politike të pakicave, para se gjithash të serbëve, në mënyrë që në shoqërinë shumicë shqiptare ata mos të jenë të shtyrë në margjina.
“Implementimin e Planit e ka marrë përsipër Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Më shumë se katër vjet pas pavarësisë, kjo Zyre largohet nga Kosova. Në fillim të shtatorit Kosova edhe zyrtarisht do të shndërrohet në shtet sovran. Çfarë ka ndryshuar?”, shkruan “Der Standard”.
E përditshmja “Der Standard” në këtë pyetje përgjigjet duke marrë shembull enklavën në Shtërpcë. Gazeta shkruan se Plani i Ahtisaarit për serbët e Kosovës ka sjellë ndryshime dhe shpjegon se kjo shihet kur bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes, e cila është përmirësuar dukshëm, kurse shumë serbë më nuk i bojkotojnë institucionet e Kosovës, edhe pse ende kanë dyshime. Gazeta njëkohësisht përmend se një pjesë e serbëve, të cilët nuk bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, janë të varur nga ndihmat financiare të Serbisë.
“Komuna serbe në jug tash pranojnë para nga Prishtina, por nuk janë plotësisht të integruara në shtetin e Kosovës. Sistemi arsimor dhe shëndetësore për serbët në jug mbetet në duart serbe. Mësuesit dhe mjekët në Shtërpcë marrin paga edhe nga shteti serbe edhe nga shteti i Kosovës, edhe pse kjo është në kundërshtim me Planin e Ahtisaarit. Varësia nga institucionet serbe mbetet e larë. 40.000 nga gjithsejtë 100.000 serbe të Kosovës marrin ndonjë ndihmë nga Serbia; 21 mijë prej tyre marrin paga nga Beogradi. Por, nuk janë implementuar asnjë pikë konkrete nga Plani i Ahtisaarit. Për shembull, Kisha ortodokse serbe ka refuzuar bashkëpunimin kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore dhe fetare. Megjithatë, jashtë udhëzimeve të atij plani ka kthesa të papritura. Kështu, dy priftërinj nga Manastiri i Deçanit mësojnë ndërkohë shqip, kurse pesë të tjerë kanë kërkuar shtetësinë e Kosovës”, shkruan gazeta./kohaislame