1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Serbët e veriut kërkojnë ndihmë nga Rusia

Më të lexuarat

Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës i kanë dërguar të mërkurën një letër të hapur, siç thuhet, kreut shtetëror të Federatës Ruse, me lutjen që t’ju ndihmojnë autoriteteve të Serbisë që procesin e bisedimeve, si thuhet, për statusin e Kosovës, ta kthejnë nën ombrellën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këtë letër e kanë miratuar 92 përfaqësues të 4 komunave paralele serbe në veri të Kosovës, të cilët gjatë ditës së mërkurë kanë mbajtur mbledhjen, ku kanë diskutuar lidhur me çështjen e zbatimin të marrëveshjes së Brukselit, e cila ishte arritur më 19 prill ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit serb, Ivica Dacic.

Kjo mbledhje ka pasuar takimin që përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës e kanë pasur, më 7 maj, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic dhe zëvendësin e tij, Aleksandar Vucic.

Në letrën e miratuar nga përfaqësuesit e serbëve të veriut të vendit, thuhet se është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare në nivelin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të sjellë zgjidhje legjitime lidhur me Kosovën, gjegjësisht një rezolutë të re, të cilën Serbia do ta ratifikonte në përputhje me Kushtetutën e saj.

“Po ju drejtohemi me lutjen që edhe neve, sikurse edhe autoriteteve në Beograd, të na ndihmoni që ta mbrojmë rregullin kushtetues të Republikës së Serbisë në Kosovë, sikurse edhe Rezolutën 12 44 të KS të OKB nga aksionet e njëanshme të Washingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, të cilët po përpiqen ta imponojnë zgjidhjen, e cila është në dobi të tyre”, thuhet në letrën e përfaqësuesve serbë të veriut, e cila është dërguar në adresat e kryetarit rus Vladimir Putin, kryeministrit rus, Dimitrij Medvedev, dhe autoriteteve tjera të larta ruse, transmeton REL.

I ashtuquajturi shef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkovic, gjatë mbledhjes i ka informuar përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës lidhur me bisedimet që kanë pasur përfaqësuesit e të ashtuquajturave pesë qarqeve të Kosovës me Dacicin dhe Vucicin.

Nedeljkovic ka theksuar se me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, do të instaloheshin institucionet e Kosovës në veri të vendit, të cilat ai i ka quajtur institucione paralele, krahas atyre serbe.

“Ky është legalizim i institucioneve paralele në Kosovë. Na kanë thënë se situata ekonomike në Serbi është e keqe, se qytetarët nuk mund të mbijetojnë pa investimet e huaja dhe se vetëm ato investime mund ta shpëtojnë shtetin e Serbisë”, ka thënë Nedeljkovic.

Ai ka theksuar se në takimin me kreun e shtetit serb, e ka parashtruar qëndrimin se marrëveshja e Brukselit është e papranueshme për serbët e Kosovës, sepse, sipas tij, kjo nënkupton shuarjen e institucioneve të Serbisë në Kosovë.

Gjithashtu, ai ka shtuar se, kreu i shtetit serb nuk mendon kështu dhe se marrëveshja garanton prosperitetin e qytetarëve serbë në të ardhmen.

Nedeljkovic, gjithashtu, ka theksuar se serbët e veriut janë pajtuar që të ketë një zgjidhje me kompromis, por nuk mund të pranojnë që marrëveshja të bëhet në dëm të popullit dhe në drejtim të shuarjes së institucioneve të Serbisë në Kosovë.

Lideri tjetër i serbëve, Marko Jaksic, ka thënë se serbët e veriut nuk guxojnë ta pranojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Ne nuk guxojmë ta pranojmë këtë marrëveshje, sepse thjesht, ai që do ta pranojë, me të do ta ndajmë përgjegjësinë, por edhe tradhtinë. Le të jetë kjo kori dhe turpi i kujtdo, por jo yni”, ka theksuar Jaksic.

Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, kanë paralajmëruar se ditën e premte në Beograd do të mbahet një miting i serbëve të Kosovës, që janë kundër marrëveshjes së Brukselit.kohaislame

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit