Serbët e Kosovës po shesin tokat e tyre, për shuma të mëdha parash me të cilat po blejnë banesa dhe shtëpi nëpër Serbi, e më së shumti në Beograd, shkruajnë mediet serbe. Sipas tyre, një hektar i tokës në rrethinën e Graçanicës arrin deri në 300 mijë euro.
“Shqiptarët posaçërisht janë të interesuar për tokat serbe në komunën e Graçanicës dhe nuk pyesin sa kushton. Sa më afër qytetit toka është më e shtrenjtë. E njoh një grua nga Graçanica, e cila ka shitur për 300 mijë euro një hektar tokë. Me ato para u ka blerë fëmijëve katër banesa në Beograd”, ka thënë një burim i gazetës serbe “Kurir”, i cili ka pohuar se serbët kërkojnë shuma enorme kur shesin, pasi e dinë që sa ato do t’i marrin.
Kryetari i Këshillit të Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe për Kosovë, Randjel Nojkic, thotë se serbët e shesin tokën për shkak të çmimeve atraktive, e jo për çështje ekzistenciale.
“Për shqiptarët janë atraktive lokacionet në Laplasellë Çagllavicë dhe Preoc përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë-Shkup… Në Çagllavicë është shitur më shumë se 50 për qind e tokës. Nga një fshat I pastër serb tash në Çaglavicë ka trefish më shumë shqiptarë sesa serbë”, tha Nojkic. /Telegrafi/kohaislame